
FIER – Punëtorët e ndërtimit të aksit Levan-Tepelenë bllokojnë punimet në shenjë revolte për mospagesën e tyre. Mbi 100 punëtorë janë mbledhur para firmës italiane “Todini Construksion Generali” dhe kanë protestuar pasi nuk kanë marrë pagesat nga firma në fjalë, prej 8 muajsh. Në shenjë proteste ata bllokuan punimet ne aksin Levan-Tepelenë, duke u shprehur se nuk mund të vazhdojnë punën në këto kushte, kur firma nuk respekton afatet për pagat. “Ka 8 muaj që s’po shpërblehemi për atë që po punojmë. Na kanë thënë në kontratë që do të marrim rrogat çdo muaj. Tani janë bërë shumë muaj dhe ne s’kemi pse të durojmë më. Nuk do të punojmë derisa të në jepet çdo qindarkë që e meritojmë se është djersa jonë. Nuk duam fjalë boshe. Punimet do të ndërpriten pa afat”, ka deklaruar Shemsi Lato. Ndërkohë, Angelo Cangemi, administrator i firmës “Todini Construzioni Generali” duke parë situatën ka dalë në një konferencë për shtyp. Ai ka marrë përsipër se do të shfaqë interes për rastin dhe se do të jetë i interesuar për të zgjidhur në kohë problemin, megjithëse këmbëngul se firma në fjalë i ka shlyer detyrimet e saj. “Ne kemi shlyer detyrimin tonë ndaj firmës nënkontraktore, “Edil 4″ dhe këta të fundit duhej të bënin shlyerjen e pagave të punonjësve. Ne do të verifikojmë situatën dhe më pas do të shohim se si do të veprojmë”, ka theksuar Cangemi. Ndërkohë, ende nuk ka pasur deklaratë nga firma nënkontraktore. Këta të fundit nuk kanë pasur asnjë përfaqësues të pranishëm gjatë zhvillimit të protestës. Punimet për këtë aks të rëndësishëm financohen nga BEI dhe BERZH dhe kapin një vlerë prej rreth 70 milionë eurosh. Seksioni Levan-Tepelenë paraqet një rrugë me gjatësi 70 km dhe është i projektuar me dy kalime, sipas standardeve europiane. Gjerësia e asfaltuar e rrugës është parashikuar të jetë 10.5 m. Në seksionin e parë Levan-Damës, punimet kryhen nga firma italiane “Todini Construzioni Generali”, ndërsa për seksionin e dytë nga Dames në Tepelenë punimet do të kryhen nga firma austriake Alpine “Bau Gmbh”. m.r











