Punë 24 orë për përmbytjen, VKM: Të kthehet shpërblimi

Oct 28, 2011 | 12:41
Albert Tuka, kreu i BSPSH-së në Shkodër

Punonjësit e Shëndetësisë dhe të Policisë, që punuan 24 orë pa ndërprerje në periudhën e përmbytjeve të dhjetorit të 2010-s, u shpërblyen sipas ligjeve në fuqi, por tashmë këto para iu është kërkuar që t’i kthejnë në arkën e shtetit. Argumenti është se ka dalë një vendim i Këshillit të Ministrave në muajin korrik të këtij viti, ku nuk lejohet më që punonjësit e administratës të përfitojnë shpërblime financiare për punën jashtë orarit. Por një gjë e tillë është konsideruar si një paradoks nga ana e punonjësve që kanë përfituar. Ata ngrenë pyetjen se si ka mundësi që VKM-ja nr. 463 del në muajin korrik të një viti më pas dhe penalizon edhe ata punonjës që kanë përfituar para daljes së këtij vendimi. BSPSH-ja e Shkodrës, nëpërmjet kreut të saj, Albert Tuka, ka reaguar në bazë të veprimeve më të fundit që po ndërmerren ndaj punonjësve të sektorit të Shëndetësisë dhe të Policisë, të cilëve po u mbahen nga pagat e tyre shumat që kanë përfituar si shpërblim për punët jashtë orarit. “Është paradoksale që një VKM e qeverisë, i dalë në muajin korrik, të ketë fuqi paravepruese”, u shpreh kreu i BSPSH-së, Albert Tuka. Punonjësit e dy sektorëve kishin përfituar shpërblime të ndryshme deri në një pagë mujore për gatishmërinë e punën 24 orë, në periudhën e përmbytjeve. Por, edhe pse shpërblimin e kanë marrë në muajin maj të këtij viti, auditi i këtyre sektorëve ka përcaktuar se shpërblimet duhet të kthehen prapa nga personat që i kanë përfituar ato, pasi janë marrë në mënyrë të paligjshme. Si argument, auditet kanë përmendur VKM-në me nr. 463 të korrikut 2011. “Në asnjë vend të botës nuk ndodh që të dalë një vendim qeverie në korrik dhe të ketë fuqi edhe për veprimet financiare të marra para kësaj periudhe, pasi këto veprime janë kryer konform ligjeve të shtetit shqiptar dhe të Kodit të Punës për punën heroike që punonjësit e këtyre dy sektorëve kanë bërë gjatë muajit dhjetor, 7 muaj përpara se të dalë VKM-ja”, u shpreh Tuka. Tashmë punonjësve do t’u mbahen nga pagat me 2 këste shpërblimi i marrë.
“Një veprim i tillë është në kundërshtim me Kodin e Punës dhe të marrëveshjes që BSPSH-ja ka bërë me Ministrinë e Punës. Si ka mundësi që kjo qeveri harxhoi miliona për të përballuar një situatë të tillë, në bazë materiale, në karburante, në dieta për forcat e shumta ushtarake, për ushqimin dhe për fjetjen e tyre në Shkodër, për blerjen e inerteve për të forcuar argjinaturat, dhe tani kërkon të përmirësojë buxhetin e saj, duke u kërkuar buxhetorëve të Shëndetësisë dhe të Policisë që të kthejnë shpërblimet që ata kanë marrë”, tha kreu i BSPSH-së. Sipas tij, VKM-ja me numër 463 është marrë me propozim të ministrit të Financave dhe ministrit të Brendshëm, që mbulon pjesën e administratës publike. Punonjësit e Shëndetësisë dhe të Policisë janë përballuar me një veprim të tillë, kur rroga mujore është pakësuar. Pasi janë interesuar, përgjigja e drejtuesve të këtyre institucioneve ka qenë se shpërblimi i përfituar për punën e bërë gjatë muajit të përmbytjeve ka qenë në kundërshtim me VKM-në.

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura