Pse vendosa të kandidoj për Avokatin e Popullit

Nov 17, 2025 | 8:30

NGA BESIM NDREGJONI besimndregjoni

Unë jam Besim Ndregjoni, aktivist për të drejtat dhe liritë e njeriut. I udhëhequr nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila i njeh çdo qytetari të drejtën për të kandiduar në institucionet e shtetit, kam vendosur të kandidoj për detyrën e Avokatit të Popullit. Ky vendim buron nga një veprimtari e imja prej një periudhe 35-vjeçare në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të vlerave themelore të lirisë. Si përfaqësues i asaj pjese të shoqërisë shqiptare 35-40% e bashkëqytetarëve tanë që i mbijetuan diktaturës dhe përjetuan vuajtje të rënda e padrejtësi, ndiej detyrimin moral të jem zëri i tyre në institucionet e shtetit.

Pse vendosa të kandidoj për postin e Avokatit të Popullit!

Gjatë legjislaturës së kaluar, pasi përmbusha të gjitha etapat e parashikuara nga rregullorja e Kuvendit, opozita unifikoi kandidaturën time të vetme për postin e Avokatit të Popullit. Megjithatë, mazhoranca u tërhoq në mënyrë të pajustifikuar, duke mos e kryer votimin në seancë plenare, në kundërshtim me detyrimet ligjore. Ky mosveprim përbënte një shkelje të hapur të ligjit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Në të kaluarën, diktatura më kishte cilësuar si “armik të Partisë”, duke më mohuar të drejtën për të u votuar me ligjin diktatorial “armiqtë nuk lejohen të votohen”. Sot, duket se historia përsëritet me një gjuhë tjetër: Më mohohet e drejta për t’u votuar si “antikominist”, vetëm sepse kam kandiduar për t’i shërbyer shtetit dhe të drejtës.

Si qytetar i këtij kombi, dëshira ime është t’i shërbej shtetit të së drejtës, t’i rikujtoj se asnjë mazhorancë nuk qëndron mbi ligjin dhe se institucionet ekzistojnë për të mbrojtur qytetarët, jo për t’iu nënshtruar interesave politike. Vizioni im është një Shqipëri ku drejtësia dhe liria të mos varen nga përkatësitë politike apo bindjet ideologjike, por të jenë të garantuara për çdo individ.

Në këtë frymë synoj të sjell përvojën time 15-vjeçare në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në trajtimin e çështjeve të torturës, në bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe institucionet ndërkombëtare. Kam shërbyer me dinjitet në mbrojtje të rreth 450 shtetasve që kanë kërkuar ndihmë, se nga torturat që kishin pësuar në burgjet politike të diktaturës kishin humbur çdo gjë deri dhe krijimin e familjes dhe i trajtuam duke kontribuar me përkushtim e integritet.

Besoj se Shqipëria meriton një Avokat të Popullit që qëndron mbi interesat politike, që i flet me forcën e ligjit çdo padrejtësie dhe që përfaqëson zërin e qytetarit të zakonshëm përballë pushtetit. Besim Ndregjoni duke paraqitur platformën e tij për të drejtuar institucionin kushtetues të Avokatit të Popullit në Komisionin e ligjeve. 12.11.2025

Institucioni i Avokatit të Popullit ka në thelb mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, përballë çdo veprimi apo mosveprimi të padrejtë nga organet publike. Kjo detyrë kërkon jo vetëm njohje të ligjit, por edhe ndjeshmëri dhe përkushtim njerëzor. Pikërisht ata që kanë ndier në mënyrë të drejtpërdrejtë mungesën e lirisë e kuptojnë më mirë sa e rëndësishme është ta mbrosh atë sot.

Ata që kanë provuar mungesën e lirisë, e kuptojnë më thellë vlerën e saj dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur. Sot, pas dekadash, ende përballemi me plagët e së kaluarës: me mijëra njerëz të vrarë apo të zhdukur nga diktatura, ndërsa familjet e tyre vazhdojnë të kërkojnë një vend për të vendosur një lule e për të thënë një lutje. Mbi 6000 familje shqiptare për tri dekada ndeshen me heshtjen e një shteti përçmues dhe mosveprues, sa sot mbas tri dekadash, prokurorë të diktaturës që i kanë shkatërruar këto familje në tri breza, fatkeqësisht sot drejtojnë organet e drejtësisë shqiptare thonë: “I ka vra shteti dhe nuk mund të quhen krimet kundra njerëzimit”.

Kjo plagë nuk është thjesht çështje e së shkuarës, është një detyrim moral i shoqërisë sonë për të mos harruar. Heshtja e institucioneve, mungesa e reagimit të shoqërisë civile dhe mosangazhimi i atyre që duhet të mbrojnë të drejtat e njeriut e bëjnë këtë plagë edhe më të dhimbshme. Në këtë kuptim, Avokati i Popullit nuk është vetëm një institucion ligjor, por një zë moral i shoqërisë. Ai duhet të kujtojë aty ku të tjerët harrojnë, të flasë aty ku të tjerët heshtin dhe të mbrojë dinjitetin njerëzor aty ku ai është shkelur. Ky institucion duhet të qëndrojë mbi çdo ndarje politike dhe të shërbejë si ura e besimit midis qytetarit dhe shtetit, duke rikthyer ndjesinë se drejtësia nuk është privilegj, por e drejtë themelore për të gjithë. Për mua, ky mision nuk është thjesht një detyrë profesionale, por një përkushtim personal – një mënyrë për të kthyer në vlerë dhimbjen, për ta shndërruar kujtesën në drejtësi dhe për të treguar se shteti i së drejtës fillon aty ku njeriu ndjehet i mbrojtur e i respektuar. Avokati i Popullit duhet të jetë nxitës i ndërgjegjësimit shoqëror dhe të paraqesë rekomandime konkrete për forcimin e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Është e domosdoshme që ky institucion të kërkojë përfshirjen e plotë të ligjit për dënimin e krimeve të komunizmit dhe rishikimin e çdo dispozite që ka cenuar të drejtat e pronarëve ligjshëm. Siç është ligji 7501 për pronat, ligji që qeveria ndan fonde për shoqërinë civile që ajo të heshtë kur pushteti dhunon të drejtat e liritë e qytetarëve, ligji për pensionet që është një ligj racist, vetëm në vendin tonë ish-prokurorë, gjyqtarë, hetues të Sigurimit të Shtetit kanë pensione deri në 3000 ero dhe të burgosurit politikë që kanë nxjerrë me miliona tonë bakër për një periudhe 30-vjeçare marrin pensionin 100 ero! Avokati i Popullit duhet të monitorojë sistemin e burgjeve në Shqipëri se duke qenë ky institucion jashtë kontrollit të mediave, ka shumë mundësi për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Shqipëria sot numëron mbi 70 të burgosur për çdo 100.000 banorë, një tregues më i lartë se mesatarja europiane. Ky realitet duhet të na bëjë të reflektojmë mbi mënyrën se si funksionon drejtësia, mbi respektin ndaj dinjitetit njerëzor dhe mbi nevojën për depolitizimin e institucioneve kushtetuese. Unë besoj se Avokati i Popullit duhet të qëndrojë i pavarur nga çdo ndikim politik, i lirë nga interesat e pushtetit apo të opozitës dhe të udhëhiqet vetëm nga ligji dhe nga ndërgjegjja njerëzore. Sepse vendimet që shkelin Kushtetutën nuk janë veprime politike, janë padrejtësi që godasin qytetarin dhe shpirtin e shtetit të së drejtës. Në çdo vend europian ku kam shkuar, jam nderuar si një nga ata që i kanë mbijetuar diktaturës; vetëm në vendin tim, ende përballem me gjykimin e së shkuarës dhe me urrejtjen që politika ka ushqyer për dekada ndaj atyre që kanë vuajtur. Papa Françesku më ka nderuar, ndërsa në vendin tim, më mohojnë të drejtën për t’u votuar. Prandaj i drejtohem këtij Komisioni dhe të gjithë shoqërisë shqiptare: Le ta shembim njëherë e përgjithmonë murin politik të urrejtjes dhe të harresës ndaj të përndjekurve politikë, ndaj këtyre fisnikëve që falën dhe nuk gjetën drejtësi. Ne që kemi vuajtur nuk kërkojmë mëshirë, por barazi. Kërkojmë që të trajtohemi si qytetarë të denjë e me shanse të barabarta në vendin tonë, Shqipëri. Morali i ynë i shërben shtetit të së drejtës, për të cilin po vuan shoqëria shqiptare prej 35 vitesh!

* Kandidat për Avokat Populli!

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura