
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar në Kuvend projektligjin për uljen e TVSH-së për mallrat ushqimore dhe ilaçet. Drafti pritet të përfshihet në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare për t’u bërë më pas pjesë e diskutimeve në komisionet parlamentare. Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar nga Grupi Parlamentar socialist, drafti parashikon përjashtim nga TVSH-ja të ushqimeve bazë, si buka, gruri, veza e qumështi, e bashkë me to ilaçet dhe shërbimi shëndetësor.
“Barra fiskale për çdo familje shqiptare gjatë 5 viteve të fundit është rritur me 18%. Gjatë kësaj periudhe, megjithëse të ardhurat disponibël për konsum ishin rritur me 44%, vetëm disa nga zërat bazë për të përballuar jetesën e përditshme janë rritur si më poshtë: energjia elektrike është rritur 62%; barnat janë rritur 43%; shërbimi shëndetësor është rritur 50%; mielli, buka, sheqeri, vaji, orizi janë rritur mesatarisht me 52%”, thuhet në draftin e PS. Në këto kushte, selia rozë kërkon heqjen e TVSH-së për mallrat bazë të shportës konsumatore: miell, bukë, qumësht, vezë dhe ilaçe, janë shërbime të tatuara në masën 0% TVSH, duke filluar nga data 1 janar 2012. Gjithashtu, sipas tyre, furnizimet me vaj, sheqer dhe oriz janë furnizime të tatueshme në masën 10% të TVSH-së, nga data 1 janar 2012. Socialistët parashikojnë se nga duhet të plotësohen humbjet në buxhet nga heqja e këtyre taksave. “Nevojat për mallrat vaj, sheqer, oriz plotësohen të gjitha nga importi dhe përgjysmimi i TVSH-së për këto mallra do të sillte një efekt në buxhetin e shtetit jo më të madh se 1,8 mld lekë. Ndërsa tatimi me 0% TVSH i grurit, miellit, bukës, qumështit dhe vezëve do të ketë një efekt jo më shumë se 1,9 mld lekë. Efektet financiare, pasojë e kësaj nisme ligjore, mund të përballohen nga të ardhurat e siguruara nga dhënia e licencës së dytë 3G, por edhe nga përmirësimi i administrimit fiskal, e veçanërisht uljes së evazionit fiskal”, thuhet në relacionin që shoqëron draftin e PS.
Platforma
.Mallrat bazë të shportës konsumatore: miell, bukë, qumësht, vezë dhe ilaçe, janë shërbime të tatuara në masën 0% TVSH nga data 1 janar 2012
.Furnizimi i barnave dhe shërbimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore, publike dhe private, është furnizim i përjashtuar, duke filluar nga data 1 janar 2012
.Furnizimet me vaj, sheqer dhe oriz janë furnizime të tatueshme në masën 10% të TVSH-së, nga data 1 janar 2012
.Barra fiskale është rritur:
Energjia elektrike është rritur 62%;
Barnat janë rritur 43%;
Shërbimi shëndetësor është rritur 50%;
Mielli, buka, sheqeri, vaji, orizi janë rritur mesatarisht me 52%
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











