Kuvendi i Shqipërisë debatoi dje rreth masakrës së ndodhur në pyjet shqiptare në këto 20 vjet. Deputeti i PS-së, Blendi Klosi, propozoi një moratorium dhjetëvjeçar për të ndaluar prerjen dhe shfrytëzimin e pyjeve. Ai theksoi se nëse një vendim i tillë nuk merret tani, do të jetë shumë vonë për brezat e ardhshëm. “Motosharrat po shkatërrojnë pyjet. Një plak i mençur ka thënë që ‘nëse sëpata e gërvisht pyllin, motosharra e shfaros atë’. Ndaj propozoj një moratorium të motosharrave për një periudhë dhjetëvjeçare dhe të pezullohen të gjitha licencat. Është për të mirën e të gjithë shqiptarëve që ky parlament të marrë një vendim të ndërprerjes së motosharrave. Më vonë do të jetë shumë vonë. Është e pafalshme që kur hyn në territorin e Shqipërisë duket qartë shpyllëzimi i maleve dhe kodrave. Është një situatë e patolerueshme që të gjithë duhet të skuqemi. Nëse nuk bëhet moratoriumi, është e kotë çdo përpjekje tjetër”, u shpreh Klosi. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh dakord me një propozim të tillë dhe u tregua e gatshme për ta votuar. “Do të isha e para për të bërë një moratorium, për të penguar çdo gjë. E shkruaj unë moratoriumin, vetëm duhet që ju ta votoni. Ju ftoj që ta votojmë”, tha Topalli. Ndërsa ministri i Mjedisit, Mediu, u shpreh pro bërjes së një ligji që do të ndikonte në përmirësimin e situatës së krijuar me pyjet.











