PS kundër, shtyhet heqja e vizave me Serbinë

Oct 19, 2011 | 13:17
Komisioni I Ekonomisë

Maxhoranca nuk arrin të miratojë në Komisionin e Sigurisë një marrëveshje për heqjen e regjimit të vizave me Serbinë. Kjo për shkak se opozita kërkoi që marrëveshja të shtyhet për një periudhë tjetër, pas ngjarjeve të dhunshme të ndodhura në Veri të Kosovës, në dy pikat kufitare me shtetin serb. Në mungesë të deputetëve në mbledhjen e djeshme, kreu i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, e shtyu paktin për një seancë tjetër, përpara se ajo të kalojë për ratifikim në Parlament.
Debati
Fillimisht ishte deputeti Paulin Sterkaj që kërkoi që marrëveshja të shtyhet pas incidenteve në Veri të Kosovës dhe faktit se Serbia nuk e ka njohur shtetin e ri. “Serbia nuk e ka njohur ende Kosovën dhe në Veri të këtij vendi ka probleme. Do të ishte mirë që kjo marrëveshje të shtyhej për t’u miratuar njëherë tjetër”, tha Sterkaj. Në të njëjtën linjë ishte edhe nënkryetari socialist i Komisionit, Ilir Gjoni, i cili kërkoi që përpara se pakti të miratohet, deputetët të njihen përmes Ministrisë së Jashtme me një analizë për efektet pozitive të saj. “Nuk është momenti i përshtatshëm dhe nuk dimë nëse pala serbe e ka ratifikuar. Nuk dimë as analizën që ka bërë Ministria e Jashtme sa i përket impaktit që mund të ketë ratifikimi i marrëveshjes. Propozoj ta shtyjmë atë derisa të marrim informacionin e nevojshëm”, tha Gjoni. Nga ana e shumicës, kryetari i Komisionit, Leonard Demi, theksoi se “kjo është marrëveshje e lëvizjes së lirë të qytetarëve. Shteti ynë do të mbajë qëndrim duke inkurajuar Serbinë që të marrë pjesë në negociata. Ne do të punojmë në gjithë botën dhe do të mbështesim pavarësinë e Kosovës. Kemi bërë dhe do të bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme. Ndërsa kjo është për lëvizjen e lirë”.
Ndërsa ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, e vuri theksin te arritja e një qëndrimi të përbashkët me opozitën për çështje kombëtare si kjo marrëveshje. “Diskutimi në një mbledhje komisioni të hapur për çështje të tilla besoj duhet të ishte diskutim më konfidencial. Besoj se këtu flitet për interesa më madhore dhe kërkesa për shtyrje nuk besoj se sjell zhvillim pozitiv. Kondicionime të tilla duhet të vijnë në mënyrë të koordinuar dypalëshe, nuk mund të kemi një qëndrim të opozitës dhe një qëndrim të maxhorancës për këto çështje kombëtare”, tha Oketa. Në fund, për shkak se opozita kishte 9 deputetë dhe maxhoranca 7, Demi vendosi që marrëveshja të diskutohet në një seancë tjetër para se të kalojë në Kuvend.

Debati
Sterkaj:
Serbia nuk e ka njohur ende Kosovën dhe në Veri të këtij vendi ka probleme. Do të ishte mirë që kjo marrëveshje të shtyhej për t’u miratuar njëherë tjetër.
Demi: Ne do të punojmë në gjithë botën dhe do të mbështesim pavarësinë e Kosovës. Kemi bërë dhe do të bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme. Ndërsa kjo është për lëvizjen e lirë.
Gjoni: Nuk është momenti i përshtatshëm dhe nuk dimë nëse pala serbe e ka ratifikuar.
Oketa: Kondicionime të tilla duhet të vijnë në mënyrë të koordinuar dypalëshe, nuk mund të kemi një qëndrim të opozitës dhe një qëndrim të maxhorancës për këto çështje kombëtare.

Marrëveshja
Në nenin 1 të paktit mes dy vendeve thuhet se “shtetasit e shteteve të secilës palë kontraktuese, mbajtës të dokumenteve të vlefshme të udhëtimit të listuara, përjashtohen nga detyrimi për pajisjen me vizë për hyrjen në territorin e palës tjetër kontraktuese për një vizitë ose qëndrim që nuk do të kalojë 90 ditë brenda 180 ditëve nga data e hyrjes së tyre të parë”.

Ligji “Për shoqëritë tregtare” merr votat e maxhorancës dhe të opozitës
Ndryshimet në ligjin “Për shoqëritë tregtare” janë miratuar dje në Komisionin e Ekonomisë dhe jo vetëm me votat e maxhorancës, por edhe me ato të opozitës. Mund të jetë ndër të paktat raste që deputetët e PS-së vendosin të votojnë “pro” një projektligji të propozuar dhe të diskutuar në komision. Kjo, me sa duket, ka habitur edhe kryetarin e Komisionit, Edmond Spaho, i cili filloi të komentojë votën pro të deputetëve socialistë duke theksuar se jo gjithmonë kanë mbajtur të njëjtin qëndrim dhe gjatë votimeve në seancat parlamentare. Një pjesë e mirë e deputetëve të Komisioni mungonin e, për pasojë, fillimisht maxhoranca dhe opozita ishin në numra të barabartë. Duke qenë se kryetari Spaho nuk priste një votim “pro” të opozitës, u detyrua që të gjente edhe deputetin e shtatë të maxhorancës për të miratuar këtë projektligj. U desh që deputeti Luan Skuqi, pas një sërë telefonatash, të linte Komisionin e Sigurisë për të dhënë votën e tij në Komisionin e Ekonomisë për miratimin e projektligjit, i cili në fund mori vota pro edhe nga socialistët. Arben Malaj, Erjon Braçe, Ilir Bejtja ishin ata që votuan pro, ndërkohë që deputetët e tjerë, Arben Ahmetaj, Ervin Koçi dhe Albert Çaci, preferuan të mos votojnë. Projektligji “Për shoqëritë tregtare”, i miratuar dje, vendos si kusht që për hapjen e një biznesi kapitali fillestar të jetë jo 20 milionë lekë, por 35 milionë.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura