Protestat për projektin TID, deputetët e PD nuk lejohen të marrin pjesë në takimin me Ramën, Cara: U refuzuam! Banorët po shpronësohen me gjysmën e çmimit të referencës

Feb 14, 2026 | 11:34

Qytetarët e Durrësit, të cilët preken drejtpërdrejt nga projekti TID, kanë vijuar edhe sot protestën e tyre para dyerve të bashkisë, ndërsa kanë nisur një takim me zyrtarët e Bashkisë, ku dhe iu është bashkuar edhe kryeministri Edi Rama.

cara durres

Në takim kanë kërkuar të jenë të pranishëm edhe deputetët e PD, Igli Cara dhe Arjan Ndoji, por nuk janë lejuar.

Në një deklaratë për mediat, Cara ka deklaruar se ata janë lajmëruar nga banorët dhe me statusin e deputetit kërkuan të ishin të pranishëm në takim, por kërkesa u refuzua.

“Kjo është e paligjshme. Është në vazhdën e mungesës së diskutimeve për këtë projekt. Ligji e thotë qartë që askush nuk ka të drejtë të prekë pronën”, tha ai, ndërsa shtoi se referenca e çmimeve për këtë zonë, të vendosur nga qeveria, është 1.400 euro, ndërsa banorët po shpronësohen me 750 euro, gjysmën e çmimit.

Igli Cara: Jemi lajmëruar nga banorët që janë të prekur nga projekti se sot do të ishin të pranishëm në një takim edhe më kryeministrin Rama. Me statusin e deputetit, bashkë me kolegun Ndoja kërkuam të jemi të pranishëm në takim si deputetë, por na u refuzua kërkesa nga Garda.

Kjo është e paligjshme, deputeti nuk mund të pengohet në aktivitetin e tij dhe në zonën që ai përfaqëson. Është në vazhdën e mungesës së diskutimeve për këtë projekt.

Këto banorë, që janë rreth 200 familje, janë në të drejtën e tyre. Ligji e thotë qartë që askush nuk ka të drejtë të prekë pronën edhe kur është në interes publik pa zbatuar rregullat.  E gjithë procedura ka nisur gabim, ligji e thotë që projekti nuk pranohet pa u pranuar nga të gjitha palët.

Shqipëria ka firmosur disa konventa dhe ligje për trashëgimin kulutore. TiD financohet nga Ministria e Kulturës. Referenca e çmimeve për këtë zonë, të vendosur nga qeveria, është 1.400 €. Banorët po shpronësohen me 750 €, gjysma e çmimit. Kjo është pasuri e shqiptarëve. Kjo është vjedhje e pronave. Ua marrin qytetarëve dhe ua japin privatit për ta menaxhuar.

© Panorama.al

Te lidhura