Në agim mbi Lagunën e Nartës, përpara se të fillojë vapa, flamingot qëndrojnë në një rresht të gjatë rozë mes ujit dhe Adriatikut. Ata janë riprodhuar përgjatë këtij bregu prej aq shumë kohësh sa askush këtu nuk e mban mend. Por në fillim të javës që vjen, ata do presin ca vizitorë. Një delegacion eurodeputetësh do vijë për t’i parë. Ata nuk vijnë vetëm për të parë zogjtë. Vijnë për të kontrolluar ujin – e për më shumë, “sistemin” që supozohet ta mbajë atë të pastër.
Dhe kur vjen fjala per flamingot: ato nuk blihen.
Ushqehen në ujëra të cekëta, të pastra e të kripura, dhe në momentin kur uji prishet, ata ikin. Asnjë lobist nuk i bind të rrinë më gjatë. Asnjë leje nuk jau shpejton kthimin. Flamingo eshte bërë sot audituesi më i mirë i besueshmërise në Shqipëri – prova jetike për institucionet e vendit. Aty ku flamingot rrinë, uji është i pastër. Aty ku ikin, diçka nuk shkon. Dhe këtë vit, ata ndezën një revolucion.
Në buzë të bregdetit të tyre të mbrojtur, pritet të ndërtohet një resort luksi i lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Por peisazhi është një zonë e mbrojtur sipas klasifikimit ndërkombëtar, Zonë e Rëndësishme për Shpendët (IBA) dhe një zonë e ardhshme Natura 2000, kur Shqipëria të anëtarësohet në BE.
Dhjetëra organizata mjedisore shqiptare, së bashku me BirdLife dhe EuroNatur, kanë protestuar se ndërtimi ka ecur pa një vlerësim të impaktit në mjedis, pa konsultim publik dhe pa leje ligjore. “Natyra, konsultimi publik dhe shteti i së drejtës janë të detyrueshme per anëtarësimin në BE,” deklaroi Gabriel Schwaderer i EuroNatur.
Reagimi popullor është i pa-precedent. Ajo që nisi në 23 maj në fshatin Zvërnec, është tashmë lëvizja qytetare më e madhe që Shqipëria ka parë në 35 vite. Çdo mbrëmje, qytetarët mbushin rrugët e Tiranës. Marshimi i 20 qershorit – ishte më i madhi deri tani, kishte mbi 150,000 veta sipas mediave. Protestuesit janë të rinj, jopartiakë dhe sfidues me paqësinë e tyre, dhe mbajnë krah për krah flamingo, flamuj Shqiptarë, Evropianë dhe Amerikanë. “Shqipëria nuk shitet” është slogani i tyre, i përsëritur më vonë nga eurodeputeti gjerman Sebastian Everding në Parlamentin Evropian.
Kjo nxiti imagjinatën dhe reagimin e mediave globale: Reuters, AP, Financial Times, The Guardian, Le Monde dhe El País raportojnë tani Live nga një vend zakonisht i padukshëm për shtypin perëndimor. Kjo në vetvete është unike.
Sinjalet e para për botën perëndimore janë, që kjo lëvizje nuk është një problem për t’u menaxhuar. Në fakt eshtë dhurata më e madhe falas që Uashingtoni dhe Brukseli do marrin për një kohë të gjatë. Një lëvizje paqësore që do çojë përpara një nga qëllimet madhore për secilin prej tyre.
Ta nisim me Uashingtonin. Doktrina e re e administratës Trump për Ballkanin Perëndimor është e pragmatike dhe tregtare. Administrata e ka mbyllur ciklin e përkëdheljeve dhe mbikëqyrjeve të vazhdueshme per Ballkanin. Ajo kërkon një rajon që qëndron me këmbët e veta dhe shkul korrupsionin dhe rrjetet e organizuara të drogës që helmojnë Amerikën.
Dhe tani një komb në Ballkan, po ndërton veten. Falas. Revolucioni i Flamingove është ekzaktesisht ajo që kërkon doktrina. Shqiptarët nuk po i kërkojnë Amerikës ta rregullojë Shqipërinë; ata kërkojnë që institucionet që Amerika ngriti, të funksionojnë. SPAK-u, gjykata e pavarur kundër korrupsionit që Uashingtoni dhe Brukseli e mbështetën, ka nisur një hetim për marrëveshjet e tokës nga individë të lidhur me trafikun e drogës. SPAK ka ngrirë 128.3 milionë euro të ardhura nga shitjet e kontestuara. Protestuesit kërkojnë vetëm që SPAK të ndjekë rrugën e vet, dhe asnjë marrëveshje, kushdo qoftë, të mos i shpëtojë rregullave të konkurrencës së ndershme. Asgjë nuk përmbush më shumë doktrinën Amerikane, sesa një komb që e bën vetë punën e institucioneve të pastra – pa ushtri, dhe pa miliona dollarë ndihmash nga taksapaguesit amerikane.
Për vite në Dhomën Amerikane të Tregtisë, kam kërkuar vetëm një gjë: kapitali amerikan nuk kërkon favore, kërkon rregulla të drejta, të barabarta dhe të parashikueshme. Projekti i Zvërnecit/Sazanit – pa leje, pa konsultim, dhe pa garë – është e kundërta. Mbështetja e protestuesve nuk shkon kundër investimeve; është në favor të konkurrencës.
Për Brukselin, rasti është akoma dhe më i qartë. Në sondazhin Eurobarometër të 2025, 91% e shqiptarëve mbështetën anëtarësimin në BE – shifra më e lartë e çdo vendi kandidat. Mesa duket, populli më pro-evropian në kontinent nuk ndodhet brenda Unionit; po qëndrojnë në një lagunë, duke mbrojtur rregullat evropiane që vetë qeveria e tyre i shkeli.
Ata nuk kanë asnjë interes të tërheqin pas vetes në Evropë një klasë politike të kapur. Ata duan të hyjnë të pastër.
Dhe duket se Europa po dëgjon. Partia Demokratike Europiane, pjësë e grupit Renew Europe, e ka përqafuar hapur kauzën e protestuesve. Në 17 qershor, Parlamenti Evropian votoi 483 me 103 për ndalimin e menjëherëshëm të ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe shfuqizimin e amendamentit të 2024 që e hoqi mbrojtjen. Brukselit i mjafton vetëm të nderojë parimin e vet: të mbështesë një shoqëri që po ndërton shtetin e së drejtës nga poshtë-lart. Shqipëria po kryen falas, atë që Brukseli shpenzon dekada e miliona duke u përpjekur ta ndërtojë nga lart-poshtë.
Perëndimi pyet shpesh si mund ta bëjë Ballkanin Perëndimor më të sigurtë. Përgjigjja nuk është edhe një samit apo një tjetër prerje shiriti. Përgjigjja qëndron te flamingot rozë në ujërat e cekëta të Nartës – të sigurosh që ata të rrinë aty, mbi një këmbë te ngritur, edhe për vitet që vijnë.
Kur eurodeputetët të shkojnë te laguna javën e ardhshme, mund të bëjnë të vetmen gjë që nuk manipulohet dot: të ecin në buzë të ujit në mëngjes dhe të numërojnë flamingot. Për sa kohë zogjtë janë aty, Shqipëria po bëhet pikërisht partneri që Perëndimi thotë se kërkon. Dhe po ia arrin vetë. Gabimi i vetëm tani do ishte t’ia kthesh shpinën ujit, ndërsa është ende i pastër.
© Panorama.al












