Pedagogu dhe eksperti i sigurisë publike, Gerti Metani i cilësoi 27 ditët e protestave masive kundër qeverisë së Edi Ramës si “ditë që nuk janë parë kurrë në Shqipëri”. Në një intervistë për News24, ai tha se protestat janë pasojë e pakënaqësisë së akumuluar ndër vite ndaj keqqeverisjes.
“Ne jetojmë në një vend që ka nevojë të përmirësohet në shumë sektorë. Kjo keqqeverisjes 35 vjeçare që kanë parë xhepin e tyre para mirëqenies së popullit më bën që çdo ditë të jem aty pjesë e protestës. Të jesh pjesë e këtij revolucioni është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një personi në jetën e tij. Janë 27 ditë që nuk janë parë asnjëherë në Shqipëri. Nisi nga një dhunë e pafalshme por mendoj që një pikë që derdhi gotën finale ishte ndodhia. Kauza e flamingove ka bashkuar edhe çështje të tjera, dhe na kanë bërë të jemi aty. Nuk ishte se mendohej që qytetarët do të rezistonin, do të grumbulloheshin çdo ditë e më shumë.”, tha ai.
Pedagogu i cilësoi reagimet e Ramës si qesharake, duke shtuar se tregojnë se po vjen fundi i një diktatori. Sipas tij, manteli i politikanit karizmatik ka rënë, duke shtuar se tashmë edhe ndërkombëtarët e kanë kuptuar se kush është.
“Qesharake, fundi i një diktatori. Ai e di mirë se manteli me të cilin vishej, i një zyrtari shik me atlete dhe karizëm ka rënë. Ndërkombëtarët, se banorët e Shqipërisë prej kohësh e dinin se nuk ishte lideri i duhur. Por tani edhe për ndërkombëtarët që merrnin informacione të gabuara, ka bërë që ky mbret të dalë lakuriq dhe të jetë një person që bën veprime jo të duhura se ka tendencën e shpërdorimit të fondeve. Nuk ka fokus real në gjërat jetike të vendit, por e ka mendjen të rekrutojë arkitektë, të bëhet koordinator i grupeve kriminale. I kam parë reagimet qesharake dhe të sforcuara, qasjet e fundit një diktatori për të mbajtur me dhunë pushtetin. Diktatori ka rënë dhe është çështje ditës për ta larguar nga ai post ku është. “, shtoi ai.
Ndërkohë duke u ndalur te letra e grupit koordinator të protestës drejtuar ambasadave të huaja, ai theksoi:
“Është një akt që shpeshherë bëhet nga grupet e ekspertëve, sindikatat por në këtë rast është bërë nga protestuesit dhe ai grup organizatorësh që merren me teknikalitetet. Uroj që ambasadat të reflektojnë. E kanë të vështirë të ndërhyjnë se quhet cenim i rendit të brendshëm, por gjithsesi ato kanë treguar se kanë fuqinë dhe kanë mënyrat e tyre se si mund të ndihmojnë një kauzë që është pro natyrës, pro rinisë dhe kundër oligarkisë në pushtet.”
© Panorama.al












