Protestat masive për largimin e qeverisë, Mentor Kikia: Rrallë herë kanë zbritur në rrugë qytetarët si në ’97 apo 2013! Po shkon drejt kryengritjes

Jun 11, 2026 | 15:12

Analisti Mentor Kikia ka komentuar protestat që po zhvillohen prej 11 ditësh në Tiranë, duke theksuar se ato po marrin përmasa të mëdha dhe mund të shkojnë drejt një kryengritjeje.

mentor kikia protesta

Në një lidhje për “News24”, ai u shpreh se pjesëmarrja është e gjerë dhe nuk kufizohet në një kategori të caktuar shoqërore, por përfshin qytetarë nga të gjitha shtresat.

Sipas Kikias, protesta nuk ka një kërkesë të vetme konkrete, por është përqendruar kryesisht te largimi i qeverisë, çka e bën të vështirë edhe identifikimin e një përfaqësimi të qartë për negociata.

Ai theksoi se çështje si ajo e Zvërnecit kanë shërbyer si simbolikë, ndërsa protesta ka marrë një dimension më të gjerë qytetar.

Kikia shtoi se aktualisht vendi ndodhet në një fazë reagimi masiv qytetar, por sipas tij, zhvillimet mund të çojnë drejt një përplasjeje më të fortë politike.

Mentor Kikia: Ka shumë faktorë që ndikojnë te ky masivitet. Ajo që është me rëndësi, është le të themi qytetaria që e përshkon zhvillimin e kësaj proteste. Nuk bëhet fjalë për një target të popullsisë, si rinia apo fermerë. Aty flitet për gjithçka dhe asgjë konkrete. Gjithçka është përqendruar te largimi i qeverisë. Kjo nënkupton një fakt shumë domethënës, që edhe nëse do të duhet të negociosh me një individ apo një grup, që ekspozohen nesër si përfaqësues zyrtar, do të jetë e vështirë që ty përcaktosh çështjen me të cilën do të negociohet.

Pjesëmarrja nuk është vetëm çështja mjedisore, Zvërneci, pasi ajo ishte simbolika. Flamingo është shndërruar në shpendin e dytë më të rëndësishëm shqiptar, Shqiponja simbol i bashkimit, Flamingo i reagimit. Kjo është ngjarje e rëndësishme pasi ne rrallë protestojmë, siç ishte në 97-ën, kur na morën paratë nga xhepat, apo në 2013 për armët kimike dhe më pas protestat e studentëve. Qytetarët rrallë kanë zbritur në rrugë. Do të doja që kjo protestë të futej në rrugën e kryengritjes, tani jemi në reagim masiv qytetar. Ende nuk kemi një përballje politike me qeverinë apo koncetrim të kësaj proteste në formën e një projekti politik.

© Panorama.al

Te lidhura