
Prokuroria nis hetimet për tokat e kthyera familjes Jenisheri në vijën bregdetare pranë fshatrave Vilë-Bashtovë, Spille, Greth dhe Domen, në bazë të vendimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nr. 276, datë 10.09.2008. Sinjalizimet e para për të hapur hetimet duket se kanë shkuar disa muaj më parë nga përfaqësues të autoriteteve lokale nga dy komuna që përfshijnë këto fshatra, Gosë dhe Kryevidh. Dyshimet janë shtuar më pas me pretendimet e katër personave të tjerë për të njëjtat prona. Në këto rrethana, mësohet se aktualisht Prokuroria e Tiranës ka mbledhur të plotë dokumentacionin, në bazë të të cilit i është kthyer toka familjes Jenisheri (Neime) në 4 fshatrat bregdetare dhe po verifikon vërtetësinë e tyre.
Çfarë po hetohet
Pikat kryesore se ku janë përqendruar hetimet e Prokurorisë kanë të bëjnë me llojin e tokës së kthyer, zhvendosjen e saj në pronë publike, largësinë sipas ligjit me vijën bregdetare (duhet 300 metra larg), verifikimit nëse ka apo jo mbivendosje, si dhe çdo dokument tjetër që ka argumentuar vendimin për kthimin e pronave familjes Jenisheri. Më konkretisht, burime pranë Prokurorisë bëjnë me dije se po hetohen dokumentet mbi pronësinë e vjetër para vitit 1946, pra Vërtetimit Nr. 70, protokolluar datë 01.06.2007 të Këshillit të Qarkut Tiranë. Sipas këtij vërtetimi, rezulton se prona e vjetër është tokë buke dhe jo rërë deti, siç i është kthyer familjes Jenisheri. Dyshimet e Prokurorisë vijojnë edhe për një zhvendosje të pronës gjatë procesit të kthimit. Referuar dokumentit të pronësisë së vjetër, lëshuar nga zyra e Regjistrimit të Pasurisë Kavajë, rezulton se prona e pretenduar është me vendndodhje në fshatin Rreth-Greth, të komunës Kryevidh, dhe jo në fshatin Vilë-Bashtovë. “Kufizimet e pronës së vjetër, referuar dokumenteve që janë paraqitur, nuk përputhen me pronën e kthyer nga Komisioni, sipas plan-rilevimit. Ndërsa harta me të cilën është pasqyruar prona e kthyer është ajo e vitit para 1991, e jo sipas hartës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë. Vendimi numër 276, datë 10.09.2008 i Komisionit të Kthimit të Pronave për familjen Janisheri, referuar plan-vendosjes së saj, për pjesën që është kthyer, ndodhet e gjitha në brezin ranor, aq më tepër deri në ujin e detit”, bëjnë të ditur burime të Prokurorisë, teksa na informojnë mbi pistat e hetimit. Sipas tyre, po mëshohet edhe mbi faktin nëse prona e kthyer subjektit të familjes Jenisheri është pasuri publike apo jo. Sipas ligjit, deri në 300 metra larg vijës bregdetare, e gjithë sipërfaqja e tokës ka qenë pronë e shtetit. Me kthimin e pronës familjes Jenisheri, dyshohet se është shkelur ky ligj.
Katër pretendentë
Zyrtarisht, tokave Vilë-Bashtovës, Grethit, Spillesë dhe Domenit i kanë dalë edhe katër pretendentë, ku secili prej tyre thekson se është pronar i një pjese. Numri i tyre shkon deri në 8, por këta katër persona janë marrë parasysh, duke qenë se kanë pasur një dokumentacion për t’u marrë në konsideratë. Ndërkaq, sipërfaqja që i është njohur familjes Jenisheri është shumë herë më e madhe sesa ajo e kthyer. Bëhet fjalë për qindra dynymë të tjerë, për të cilat kjo dinasti pret kompensim financiar. Së bashku me tokat e kthyera, gjithçka do të ndahet në mes pasardhësve të Neime Jenisherit, pasi ajo ka ndërruar jetë prej vitesh. Trashëgimtarë ligjorë të saj janë njohur Ferzilet Spahiu dhe Minerva Jenisheri.
Kaja: Dy herë shkresë AKKP për tokat e komunës
Gjatë intervistës së një dite më parë, kryetari i komunës Kryevidh tha se i ka dërguar zyrtarisht dy herë një shkresë AKKP-së, që “të na dërgojë informacion mbi pronat e regjistruara, kopje të hartave treguese, si kopje të dokumentacioneve të tjera, me anë të së cilës i ka kthyer tokat pranë bregdetit Spille, Greth dhe Domen familjes Janisheri, por nuk kemi arritur që t’i marrim”. Sipas tij, AKKP-ja i ka rekomanduar që për zgjidhjen e çështjes komuna t’u drejtohet organeve gjyqësore.
Kreu i AKKP-së sqaron përplasjen me komunën Kryevidh
Çefa: Vendimi i ish-zyrës rajonale, Kushtetuesja na e ndalon rishqyrtimin

Nuk ka qenë kryetitullar i AKKP-së në kohën kur ky institucion i ka kthyer familjes Jenisheri tokat në katër bregdete të Adriatikut, por tani që është, Elvis Çefa përgjigjet se si është marrë ky vendim. Përgjigjet e tij vijnë duke u forcuar edhe më shumë kur bëhet fjalë për një akuzë të kryetarit të komunës Kryevidh, Fatos Kaja, sipas të cilit, AKKP-ja nuk i ka dhënë kopjet e dokumentacionit për dosjen “Jenisheri”. Herë me gjuhë institucionale e herë personale, Çefa sqaron gjithçka rreth përplasjes me Kajën, si dhe shkrimeve që ka bërë këto ditë gazeta “Panorama”, mbi dyshimet e hedhura për pronat e kthyera në bregdet familjes Jenisheri…
Z. Cefa, AKKP i ka kthyer familjes Jenisheri disa toka në Vilë-Bashtovë, Spille, Greth dhe Domen. Dyshohet si një vendim i paligjshëm nga disa autoritete lokale. Po për AKKP-në pse është i ligjshëm?
Vendimi në fjalë për familjen Jenisheri është dhënë në vitin 2008 nga ish-Zyra Rajonale Tiranë e AKKP dhe është nënshkruar nga drejtori në detyrë në atë kohë, z. Bledar Dervishaj, në datën 10.9.2008 (vendimi nr.276). Megjithatë, si drejtues aktual i AKKP-së, më duhet të sqaroj faktin se vendimi i dhënë nga një zyrë rajonale prezumohej i ligjshëm për AKKP-në “qendër”.
Çfarë është kjo zyrë rajonale?
Është fjala për ish-zyrën rajonale Tiranë të AKKP-së, e cila ka dhënë vendimin dhe AKKP-ja e miratonte në fund, në rast se nuk kishte ankime. Ajo zyrë (rajonale) ishte organi kompetent sipas ligjit për të verifikuar dhe vlerësuar dokumentin e paraqitur nga subjekti dhe për të bërë ekspertimin hartografik të vendndodhjes së pronës objekt trajtimi. Më parë, AKKP-ja kishte në varësi 12 zyra rajonale, për 12 qarqe. Këto zyra jepnin vendime, të cilat mund të shqyrtoheshin pas një ankimi nga AKKP-ja në qendër. Tani këto zyra janë suprimuar dhe ka vetëm AKKP.
Pra, para 3 vitesh nuk ka pasur ndonjë ankimim nga AKKP “qendër” për këto toka ndaj zyrës rajonale?
Jo, nuk ka pasur.
Si mund të ishte kundërshtuar ligjërisht ky vendim i AKKP-së në atë kohë?
Referuar ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, ky vendim mund të ankimohej brenda 30 ditëve në rrugë administrative në AKKP vetëm nga dy subjekte – Avokati i Shtetit dhe subjekti kërkues. Nga faktet rezulton se ky vendim nuk është ankimuar brenda afatit ligjor nga asnjë nga subjektet e mësipërme. Referuar po këtij ligji, edhe afati i shqyrtimit kryesisht të vendimit nga AKKP ka përfunduar pas 30 ditëve, pra në tetor 2008. Kjo ka sjellë si pasojë që vendimi në fjalë, me kalimin e këtij afati, të bëhej titull ekzekutiv. Pra, ankimimi brenda afatit 30-ditor i një vendimi të dhënë nga një zyrë rajonale e AKKP-së nga të paktën njëri nga subjektet e përcaktuara në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, mund të shërbente si indicie që ai (vendimi) të kishte parregullsi. Me kalimin e periudhës në fjalë, këto vendime janë bërë titull ekzekutiv, çka përjashtonte çdo mundësi ligjore që të shfuqizoheshin kryesisht.
Kryekomunari i Gosës dhe dy kryetarë të mandatuar njëri pas tjetrit në komunën Kryevidh e kanë kundërshtuar vendimin e AKKP-së. Si do të procedojë AKKP me ata në këtë rast?
E kanë bërë shumë vonë. Në korrik 2011 (pra, pas rreth 3 vjetësh nga marrja e vendimit), në AKKP është paraqitur një kërkesë e komunës Kryevidh, Kavajë, kundër vendimit nr. 276, datë 26.5.2008. Së pari, referuar ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, komuna nuk hyn në rrethin e subjekteve, të cilat mund të ankimojnë një vendim. Së dyti, Gjykata Kushtetuese kishte marrë ndërkohë vendimin nr. 27, datë 26.5.2010, sipas të cilit, AKKP nuk mund të shqyrtonte më kryesisht një vendim të dhënë nga ish-zyra rajonale. Përdoret termi “kryesisht”, pasi ky është i vetmi mekanizëm ligjor në dispozicion, në kushtet kur komuna nuk legjitimohet nga ligji 9235/2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” në ankimin administrativ të një vendimi të dhënë nga zyrat rajonale të AKKP-së. Në këto kushte, bazuar në ligj dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, komuna është orientuar zyrtarisht (shkresa e AKKP nr.3736/1, datë 29.07.2011 e botuar nga gazeta) që t’i drejtohet gjykatës për të goditur vendimin nr. 276, datë 10.9.2008 pasi kjo ishte e vetmja mundësi juridike.
Nga komuna Kryevidh ju ka ardhur edhe një shkresë e dytë, ku janë kërkuar kopjet e dokumentacioneve, mbi të cilat AKKP-ja i ka kthyer tokat familjes Jenisheri. Pse nuk i keni dhënë ato?
Këtë më duhet ta sqaroj me detaje. Përsëri, më datë 02.08.2011, komuna Kryevidh kërkon në AKKP informacion nëse për disa numra pasurish të caktuara janë dhënë vendime nga AKKP-ja, duke kërkuar njëkohësisht edhe një kopje të tyre. Sigurisht që referuar mënyrës së administrimit të dokumentacionit në AKKP, i cili administrohet në bazë të emrit të subjektit të shpronësuar apo numrit e datës së vendimit dhe jo numrit të pasurive, komunës i është kthyer përgjigje (shkresa e AKKP nr. 3785/1, datë 12.08.2011 botuar nga gazeta “Panorama”), se informacion i tillë nuk disponohet. Dëshiroj të theksoj edhe një herë se databaza e AKKP-së nuk është ndërtuar mbi bazën e numrit të pasurive, sikurse veprojnë zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Pra, praktikisht, në të gjitha këto raste, AKKP-ja jep këtë lloj përgjigjeje standarde. Në këto kushte, përgjigjja e AKKP-së me shkresën e sipërcituar nuk mund të interpretohet si një fakt që AKKP-ja nuk donte të jepte të dhëna për vendimin në fjalë.
Çfarë duhet të kishte kërkuar komuna që ju t’i jepnit dokumentacionin e kërkuar?
Nëse komuna do të kishte kërkuar rregullisht një kopje të vendimit nr. 276, datë 26.5.2008, apo çfarëdolloj informacioni të administruar në dosjen e ish-zyrës rajonale Tiranë, që i përket atij vendimi, AKKP-ja, në zbatim të detyrimeve ligjore, do t’ia kishte vënë menjëherë në dispozicion. Më lejoni t’ju kujtoj se është vërtetuar zyrtarisht fakti se komuna Kryevidh kishte dijeni për vendimin referuar shkresës së saj drejtuar AKKP-së në korrik 2011, pra kishte të gjitha mundësitë të kërkonte drejtpërdrejt një kopje të tij, pa pasur nevojë të referonte në numra pasurish. Në këto kushte, dëshiroj të theksoj se i gjithë procesi i ndjekur nga AKKP-ja në rastin e korrespondencës me komunën Kryevidh, është krejtësisht ligjor dhe transparent. Çdo lloj tentative për ta keqinterpretuar e konsideroj personalisht dashakeqëse dhe jo të ndershme. Komuna ka pasur dhe ka edhe sot të gjithë mekanizmat ligjorë për të goditur në gjykatë çfarëdo vendimi apo akti administrativ, me anë të të cilit mendon se i janë cenuar interesat e saj.
Në rast se komuna ju bën një shkresë të tretë sipas formatit që thatë, do t’ia vini në dispozicion kopjet?
Patjetër, AKKP-ja është e detyruar me ligj që brenda 10 ditësh t’ia japë.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











