Projekti, 1.2 milionë euro për transparencën e raportimit financiar

Apr 14, 2011 | 10:05

Më shumë transparencë, ligje më të mira dhe kontabilistë e auditues më të përgjegjshëm. Ky është synimi që ka në thelb projekti që do të financohet me një grant 1.25 milionë euro nga Zvicra. Projekti do të implementohet nga Ministria e Financave, nën mbikëqyrjen e Bankës Botërore. Gjatë fjalës së hapjes të aktivitetit të djeshëm lidhur me këtë projekt, zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda, pranoi se në vendin tonë, raportimi financiar i shoqërive ka probleme, të cilat kanë nevojë të përmirësohen. “Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që profesioni i kontabilistit dhe i audituesit, dhe raportimi i shoqërive në vend kanë probleme të rëndësishme. Të tilla probleme korrigjohen në mënyrë të qëndrueshme përmes reformës, duke parë të vërtetën në sy, tek secili prej nesh, dhe duke krijuar bindjen se rruga e vetme është reformimi dhe arritja, në frymë dhe në germë, e standardeve ndërkombëtare”, nënvizoi Haldeda. Ndërkaq, sipas tij, ajo që do të synohet gjatë implementimit të këtij projekti është përmirësimi i bazës ligjore të fushës, mbështetja e procesit të vendosjes së standardeve të raportimit financiar, përmirësimi i procesit të auditimit dhe mbikëqyrjes publike të auditorëve, përmirësimin i kurrikulave për edukimin e studenteve dhe profesionistëve, si dhe përgatitja e aktorëve vendas për hapat e mëtejshëm të reformës.

© Panorama.al

Te lidhura