Projekti i Kodit të ri Penal ka sjellë ndryshime edhe në mënyrën e rregullimit të dënimeve plotësuese. Risia e parë lidhet me personalizimin e dënimeve plotësuese për veprat penale që përbëjnë krime dhe ato që jepen për kundërvajtjet penale. Kështu, në nenin 67 listohen dënimet plotësuese për krimet, duke u shtuar disa të tjera ndër to në raport me Kodin Penal në fuqi, gjë që përbën risinë e dytë. Lista parashikohet të jetë si vijon: a) ndalimi i të drejtës për të ushtruar funksione publike; b) konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të veprës penale; c) ndalimi për të drejtuar automjete; ç) ndalimi për të mbajtur armë me leje; d) heqja e dekoratave dhe titujve të nderit; dh) heqja e së drejtës për të ushtruar një veprimtari ose mjeshtëri; e) moslejimi për të marrë pjesë në gara për vende pune publike apo për të përfituar fonde publike; ë) heqja e së drejtës për të ushtruar detyra drejtuese pranë personave juridikë, edhe privatë; f) ndalimi për të qëndruar, ose detyrimi për të qëndruar në një ose disa njësi administrative; g) ndalimi për të banuar në vende të caktuara; gj) dëbimi jashtë territorit; h) detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor në media dhe komunitet; i) humbja e përgjegjësisë prindërore; j) ndalimi për t’iu afruar viktimës, të afërmve të saj apo komunikuar me ta; k) detyrimi për të marrë pjesë në seanca terapeutike sociale, desintoksitimi apo kurse edukimi; l) detyrimi për të mos frekuentuar vende dhe persona të caktuar; ll) përjashtimin e autorit të veprës penale nga e drejta e trashëgimisë që i rrjedh atij prej viktimës dhe humbjen e të drejtave për të përfituar kujdesin prej saj, në rastet kur ky detyrim ekziston për shkak të ligjit apo marrëdhënies gjinore; m) ndalimi i të drejtës për t’u zgjedhur. Sikurse konstatohet, lista e dënimeve plotësuese për krimet shkon në 18, nga 11 që liston neni 30 i Kodit Penal në fuqi, bashkë me ndryshimin pakuptim, të pazbatueshëm dhe të papajtueshëm me Kushtetutën të Ligjit nr. 8/2026 (shih shkrimin “Dënimi i ri plotësues”, datë 03.02.2026). Sikurse konstatohet, ndryshimi i Ligjit nr. 8/2026 nuk ka asnjë pikëtakim me projektin e Kodit të ri Penal.
Nga ana tjetër, neni 69 i projektit parashikon listën e posaçme të dënimeve plotësuese për veprat penale që përbëjnë kundërvajtjet penale. Kështu, kjo dispozitë liston këto dënime plotësuese: a) konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të veprës penale; b) ndalimi për të drejtuar automjete; c) heqja e së drejtës së ushtrimit të një veprimtarie ose mjeshtërie; ç) heqja e së drejtës për të ushtruar detyra drejtuese pranë personave juridikë, edhe privatë; d) detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor në media dhe komunitet; dh) detyrimi për të marrë pjesë në seanca terapeutike sociale, desintoksitimi apo kurse edukimi. Sikurse konstatohet matematikisht rezulton se, nga 11 dënime plotësuese për kundërvajtjet penale që mund të jepen sot sipas nenit 30 të Kodit Penal në fuqi, neni 69 i projektit heq pesë të tilla dhe se parashikon gjithsej 6 dënime plotësuese. Kështu rezulton se, në raport ne Kodin Penal në fuqi, Projekti i Kodit të ri Penal ka suprimuar këto dënime penale plotësuese për kundërvajtjet penale: 1) Ndalimi i së drejtës për të ushtruar funksione publike; 2) Heqja e dekoratave, titujve të nderit; 3) Ndalimi për të qëndruar në një ose disa njësi administrative; 4) Nxjerrja jashtë territorit; 5) Humbja e përgjegjësisë prindërore; – dhe çudia e vitit 2026 – 6) Ndalimi i përhershëm ose i përkohshëm i ushtrimit të aktiviteteve profesionale që përfshijnë kontakte të drejtpërdrejta dhe të rregullta me fëmijët e mitur. Ndryshe nga neni 30 i Kodit Penal në fuqi, projekti shton si dënim plotësues edhe detyrimin për të marrë pjesë në seanca terapeutike sociale, desintoksikimi apo kurse edukimi.
Ndërkohë risia e tretë lidhet me rregullimet e ndryshme, në raport me paragrafin e dytë të nenit 30 të Kodit Penal në fuqi, pika 1 e nenit 68 dhe të pikës 2 të nenit 69 të projektit, konkretisht tek rregullimet që lejojnë gjykatën të realizojë zëvendësimin e dënimit kryesor me dhënien e dënimit plotësues. Kodi Penal në fuqi parashikon se në raste të veçanta, kur dhënia e dënimeve kryesore çmohet e papërshtatshme dhe kur ligji parashikon dënim me burgim deri në 3 vjet ose dënime të tjera më të lehta për veprën e kryer, mund të mjaftohet vetëm me caktimin e dënimit plotësues. Megjithëse ky rregull parësisht rregullon zëvendësimin e dënimit kryesor me dënim plotësues për krimet, ai zbatohet njëlloj dhe universalisht për të gjitha kundërvajtjet penale. Ndërkohë pika 1 e nenit 68 të projektit të Kodit të ri Penal parashikon se për personat që kanë kryer vepra penale të lehta për të cilat ligji parashikon dënim me burgim ose dënim më të butë, gjykata, në raste të veçanta, kur dhënia e dënimeve kryesore çmohet e papërshtatshme mund të mjaftohet vetëm me caktimin e jo më pak se dy dënimeve plotësuese që përputhen me natyrën e veprës së kryer. Për të kuptuar se ç’është një vepër penale apo krim i lehtë duhet të sillet në vëmendje pika 4 e nenit 3 të projektit të Kodit të ri Penal, rregull i cili ndër të tjera parashikon se krime të lehta janë ato për të cilat ligji parashikon dënim me burgim më pak se 4 vjet apo çdo dënim tjetër më të butë. Nga ana tjetër pika 2 e nenit 69 të projektit parashikon se në raste të veçanta, kur gjykata vlerëson se dënimi kryesor është i papërshtatshëm mjaftohet me caktimin e një dënimi plotësues që përputhet me natyrën e kundërvajtjes së kryer.
Risia e katërt është stërpërsëritja dhe urdhërimi apriori prej Kodit në Pjesën e Posaçme të gjykatave për caktimin me detyrim të dënimeve plotësuese, duke caktuar matematikisht edhe numrin e tyre dhe duke nihilizuar sakaq diskrecionin gjyqësor në matjen e dënimit rast pas rasti në raport me rrethanat konkrete të çështjes. Gjurmë të tilla rregullimesh konstatohen në nenet 235, 274, 298, 334, 352, 359, 386, 413, 428, 440, 444, 445, 446, 464, 467, 471, 486, 552, 581, 611, 654, 668, 686, 696, 730, 737, 796, 856, 871, 883, 907, 914, 941, 949. të projektit të Kodit të ri Penal. Sikurse konstatohet, bashkë me nenin 68, ka gjithsej 35 raste në të cilat dënimet plotësuese paracaktohen në lloj dhe në numër nga ligji, duke nihilizuar diskrecionin gjyqësor në individualizimin e dënimit. Nga ky këndvështrim, projekti i Kodit të ri Penal, nuk përbën rekordin e modelit normativ ku ka më shumë dënime kryesore fikse në historinë e ligjeve penale shqiptare, por përbën edhe rekordin unik shqiptar europian të modelit normativ që parashikon dënimet plotësuese fikse, qoftë në lloj dhe qoftë në numër. Dhe në këtë drejtim vlerësoj se, në përpjesëtim të drejtë me absolutizimin, automatizimin dhe matematizimin e sanksioneve penale kryesore dhe plotësuese, dehumanizohet dhe zhdrejtësohet kushtetutshmëria e dënimit penal.
Risia e pestë është parashikimi rast pas rasti në Pjesën e Posaçme të dënimeve penale plotësuese që nuk njihen nga Pjesa e Përgjithshme. Edhe në këtë drejtim projekti është unik në historinë e shtetit shqiptar dhe në Europë gjithashtu. Kështu për shembull, megjithëse në nenin 68 nuk njihet, në pikën 6 të nenit 586 të projektit, konkretisht në veprën penale “Dëmtimi i tokës dhe i fondit pyjor”, parashikohet se gjykata vendos që klasifikimi i tokës në zonat e prekura nga zjarri në pyje nuk mund të ndryshohet brenda një periudhe deri në tridhjetë vjet dhe se gjykata mund të vendosë kufizime ose ndalime të shfrytëzimeve që po kryheshin në zonat e prekura nga zjarri, si dhe të ndërhyrjeve për administrimin e lëndës drusore të djegur nga zjarri. Më tej, megjithëse neni 68 nuk e parashikon, pika 2 e nenit 593 e projektit parashikon se atyre që kryejnë vepra penale në kundërshtim me regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve u caktohet nga gjykata si dënim plotësues ndalimin e marrjes së ndihmës nga shteti dhe ndalimin e zbatimit të lehtësirave fiskale. Druaj dhe hamendësoj se ka edhe të tjera parashikime të tilla të Pjesës së Posaçme (756 dispozita), që nuk pyesin dhe nuk kanë nevojë për Pjesën e Përgjithshme të Kodit të ri Penal por aktualisht nuk kam arritur për tetë muaj me radhë ta ezauroj studimin e projektit.
Megjithëse është e kotë ta sjell në vëmendje, më duhet të ndaj me lexuesin se në relacionin fjalëpak të projektit fajëshumë nuk ka asgjë për këto që kam parashtruar më lart. Duke e vlerësuar pozitivisht nismën e grupit të punës për rritjen e marzhit referues të dënimit kryesor, nga 3 vjet sot në 4 vjet mot, vlerësoj se për të qenë mirëfilltazi reformë penale referimi normativ nuk duhet të bëhet në mundësinë teorike të parashikimit ligjor të sanksionit penal me burgim por në masën konkrete të dënimit me burgim të individualizuar nga gjykata në rastin konkret. Vlerësoj se kjo mendësi ligjore është e gabuar edhe sot në paragrafin e dytë të nenit 30 të Kodit Penal në fuqi dhe se është trashëguar e pandryshuar në nenin 68/1 dhe në nenin 69/2 të projektit të Kodit të ri Penal. Tej debatit kungulleshkë të numrit të viteve 3 apo 4, cilësisht reformë dhe drejtësie penale do të përbënte rregullimi që do të lejonte zëvendësimin e dënimit me burgim të individualizuar nga gjykata me një apo disa dënime plotësuese. Sjell në vëmendje se teorikisht, në vëllimin e privimit apo kufizimeve penale që shkaktojnë dënimet penale, dënimi plotësues është në çdo rast ndjeshëm më i madh se sa alternativat e dënimit me burgim të ndryshme nga gjysmëliria apo qëndrimi në shtëpi. Në këtë kuptim nuk ka drejtësi logjike dhe proporcionale as Kodi Penal sot dhe as projekti i Kodit të ri Penal që për dënimin alternativ të shërbimit të provës lejon zëvendësimin e dënimit me burgim të individualizuar përfundimisht nga gjykata deri në 5 vjet burgim dhe se për zëvendësimin e dënimit me burgim me dënim apo dënime plotësuese lejon gjykatën ta autorizojë vetëm nëse vepra penale dënohet teorikisht në maksimum me burgim me 3 apo katër vjet. Për rrjedhojë se do të përbënte mirfilltazi reformë penale që zëvendësimi i dënimit me burgim me dënimin apo dënimet plotësuese të bëhet në raport me një masë dënimi që konkretizon gjykata dhe jo që parashikon teorikisht ligji. Ndoshta grupi i punës apo Ministria e Drejtësisë apo Kuvendi mund të guxonte pak më shumë dhe të barazonte zëvendësimin e dënimit kryesor me burgim në dënime plotësuese njëlloj sikurse parashikohet për alternativën e dënimit të vënies së të dënuarit në provë. Në çdo rast duhet të mbahet parasysh se “në raste të veçanta” duhet t’i besohet dhe të vlerësohet më shumë vlera humane dhe kushtetuese e gëzimit të lirisë personale të individit.
Më tej vlerësoj se duhet të rishikohet nga grupi i punës dhe cilido person-organ tjetër deri në rrugëtimin e projektit në Kuvend suprimimi i dënimit plotësues “Ndalimi i së drejtës për të ushtruar funksione publike”, “Heqja e dekoratave, titujve të nderit” dhe “Humbja e përgjegjësisë prindërore” për veprat penale që përbëjnë kundërvajtje penale. Sjell në vëmendje se secila nga këto të drejta të individit të dënuar privohet nga ligjet me natyrë civile, familjare, disiplinore dhe administrative për fakte të paligjshme që nuk kanë natyrë penale dhe se më duket e pamenduar mirë dhe e pamatur që dënime të tilla plotësuese të mos jepen edhe për vepra penale të cilat përbëjnë kundërvajtje penale. Aq më tepër, sidomos në rastet e aftësisë juridike të dënimit plotësues për të zëvendësuar dënimin kryesor, do të duhet që meritorisht kufizimi penal të ketë edhe një ngarkesë proporcionale të caktuar ndëshkuese në kufizimin e të drejtave të të dënuarit.
Nga ana tjetër vlerësoj se është detyrim kushtetues të hiqet dorë – qoftë nga ky grup pune dhe qoftë nga grupet e punës që do të krijohen në të ardhmen – nga mendësia e mbrapshtë e kompozimit të ligjit penal. Neni 69/1 të projektit të Kodit të ri Penal ka krijuar një automatizëm dhe absolutizëm penal mbi dënimet plotësuese që zëvendësojnë dënimin kryesor për krimet e lehta, duke parashikuar se mandatën se gjykata në këto raste duhet të japë jo më pak se dy dënime plotësuese. Kjo formulë tradicionale në mbrapshtinë e saj do të thotë se ligji detyron gjykatën, edhe në rastet kur nuk ka dënim të dytë plotësues të përshtatshëm, ta japë me-se-s’bën, vetëm sepse ligji thotë kështu dhe jo se drejtësia kushtetuese e dënimit penal e kërkon. Mendësia e mbrapshtë e kësaj formule të kompozimit të dënimit penal, të certifikuar nga viti 1997 prej Gjykatës Kushtetuese si të papajtueshme me Kushtetutën, do të thotë se në këto raste ndaj një individi, për kryerjen e një krimi të lehtë apo për kryerjen e çdo kundërvajtje penale, dënimi me gjobë apo dënimi me burgim mund të zëvendësohet respektivisht me të paktën 2 deri në 18 dënime plotësuese apo me të paktën 1 deri në 6 dënime plotësuese. Kriteri determinant për caktimin e dënimeve plotësuese nga diskrecioni i gjykatës i ushtruar duhet rast pas rasti nuk duhet të jetë matematika absolute dhe abstrakte e ligjit, por diskrecionaliteti dhe proporcionaliteti i individualizimit të drejtë të ndëshkimit penal prej gjyqësisë. Më tej duhet të rishikohet matematika e absolutizuar dhe e urdhëruar në Pjesën e Posaçme të projektit të Kodit të ri Penal, konkretisht aty ku urdhërohet gjykata, e palidhur nga parimi i proporcionalitetit dhe individualizimi i drejtë i dënimit, të japë jo më pak se dy dënime plotësuese. Në 30-vjetorin e ligjit fantazmë (Ligji nr. 8175/1996, shih për më tepër shkrimin “Mendësia e ligjit të mbrapshtë”) është e nevojshme të sillet në vëmendje se në projektin e Kodit të ri Penal ka gjithsej 35 raste në të cilat premtohet se, nëse do të shndërrohet ligj, Kuvendi do të caktojë apriori jo më pak se dy dënime penale plotësuese për krimet. Sërish nuk ka një kufij maksimal se deri në sa dënime plotësuese mund të caktojë në këto raste gjykata për krimet apo për kundërvajtjet penale. Duke qenë se nuk ka një kufizim maksimal se deri sa dënime plotësuese mund të caktojë gjykata dhe mund të mbajë i dënuari, atëherë grupi i punës në mënyrë implicite konkludon se gjykata mund të caktojë në këto raste 18 dënime plotësuese për një krim apo edhe kundërvajtje penale. Kjo analizë absurde provokohet nga mendësia e mbrapshtë e formulës së kompozimit të dënimit penal me togfjalëshin “jo më pak se”. Nuk kam qëllim të tregoj se ligji penal material duhet të përcaktojë edhe numrin maksimal të dënimeve plotësuese që gjykata mund të caktojë për krimet apo kundërvajtjet penale. Në këtë pjesë grupi i punës ka gabuar kur ka ndryshuar qasjen e drejtë dhe tradicionale të rregullimeve respektive abstrakte dhe diskrecionare të Kodit Penal të vitit 1927, të vitit 1952, të vitit 1977 dhe të Kodit Penal në fuqi mbi caktimin e dënimit apo dënimeve plotësuese nga gjykata rast pas rasti dhe sipas rrethanave konkrete të çështjes. Rregulli i përsëritur përsëtridhjetëegjashti nga grupi i punës është tridhjetegjashtë herë i gabuar.
Gjithashtu, qoftë nga ky grup pune dhe grupet e punës që do të vijnë në të ardhmen, do të duhet të hiqet dorë dhe të mos përsëritet modus-i normativ i pavarësisë juridike të Pjesës së Posaçme nga Pjesa e Përgjithshme e Kodit Penal. Kjo mënyrë se si është operuar me hartimin e nenit 586/6 dhe 593/2 të projektit të Kodit të ri Penal duket sikur ka dyjëzim kodesh penale dhe se ka pavarësi ndërmjet pjesëve integrale të së njëjtit korpus normativ. Kjo gjë quhet rrëmujë apo kaos normativ penal dhe është i papranueshëm për “Kushtetutën Negative” të Shqipërisë.
*AUTORI, GJYQTAR NË GJYKATËN E POSAÇME TË APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












