Komisioni Qendror i Zgjedhjeve parashikon sanksione të ashpra ndaj anëtarëve të grupeve të numërimit të votave që do të prishin procesin zgjedhor.Në mbledhjen e sotme KQZ-ja do të miratojë “Manualin e trajnimit të anëtarëve të grupeve të numërimit të votave”, një dokument i ngjashëm me atë të miratuar pak ditë më parë për trajnimin e anëtarëve të komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Në këtë manual janë parashikuar sanksionet për këtë kategori të administratës zgjedhore, duke iu referuar dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe Kodit Penal. Në kapitullin e masave për parandalimin e prishjes së procesit thuhet se, “braktisja e detyrës pa shkaqe të ligjshme nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve, nga anëtarët e grupeve të numërimit apo vëzhguesit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose heqje lirie nga 6 muaj deri në 2 vjet”. Në të njëjtën kohë është parashikuar që në rast se anëtarët e grupeve të numërimit falsifikojnë dokumente ose përdorin dokumente të falsifikuara, mund të dënohen me burgim deri në 3 vjet, ose me gjobë që varion nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë. “Shkelja e dispozitave të Kodit nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve ose nga persona të ngarkuar me detyra, sipas këtij Kodi, kur nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë nga 3 mijë deri në 90 mijë lekë. Shkeljet e tjera të dispozitave të Kodit, kur nuk përbëjnë vepër penale, përkatësisht nga sekretari i KZAZ-së, dënohet me gjobë nga 30 mijë deri në 60 mijë lekë, ose me burgim deri në 6 muaj”, thuhet më tej në manualin që do të miratohet sot në KQZ. Në të njëjtën kohë është parashikuar që shkelja e disa parimeve bazë të procesit zgjedhor, si ligjshmëria, transparenca dhe paanësia, kur nuk ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, dënohet me gjobë nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë. Ndërsa shkeljet e anëtarëve të grupeve të numërimit që ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në dy vjet.
Votimi
Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së është miratuar vendimi për prodhimin e vulave rezervë në të gjithë vendin, për t’u paraprirë rasteve kur komisionerët largohen nga qendrat e votimit së bashku me vulat. Megjithëse dy ditë më parë ishte rënë dakord për të prodhuar vetëm 20 për qind të vulave në rang vendi, dje u vendos përfundimisht që të prodhohet numër i njëjtë vulash me numrin e qendrave të votimit, 4865. “Ideja është të prodhohen aq vula rezervë sa qendra votimi janë, pra vula rezervë të marrë të njëjtin numër, por t’i shtohet shkronja (R) për të thënë që është rezervë. Për efekt të votimit do të prodhojmë aq vula sa e cilëson ligji. Vulat rezervë do t’i mbajmë në KQZ, ashtu siç mbajmë kuti votimi rezervë, ashtu siç mbajmë kode sigurie rezervë, ashtu siç mbajmë bojë matrikuluese rezervë, ashtu siç prodhojmë fletë votimi rezervë”, u shpreh Ristani gjatë mbledhjes. Nga ana tjetër, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, tha se akti duhet të marrë 5 vota, për shkak se ka efekt në të gjithë vendin. “Sipas Kodit Zgjedhor, ky përbën një akt normativ, aq më shumë që ju thatë që miratohet për gjithë Republikën. Kodi Zgjedhor thotë që aktet që nxjerr KQZ-ja, që përcaktojnë rregullat për gjithë Republikën, janë akte normative dhe kërkojnë pesë vota. Akti që lexuat përbën një normë, një rregull për gjithë Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Subashi. Në fund, katër anëtarët e maxhorancës kanë votuar pro, duke e miratuar aktin.
Komisionerët
KQZ-ja do të marrë shumë shpejt një vendim për të gjobitur komisionerët e KZAZ-së Nr. 14, në qarkun e Elbasanit. Kjo për shkak se ata nuk kanë regjistruar PBDNJ-në në listën për Këshillin e Komunës. Këtë vendim të KZAZ-së dhe vendimin e KQZ-së për miratimin e fletës së votimit për Bradasheshin, PBDNJ-ja i ankimoi në Kolegj, ku fitoi të drejtën për të garuar. Ndërkohë, në shoqërinë ku po prodhohen fletët e votimit, fleta për Bradasheshin ka përfunduar, çka do të thotë se ajo do të bëhet nga e para. Për këtë arsye, Ristani kërkoi dje përgatitjen e aktit për shkarkimin e anëtarëve të KZAZ-së dhe gjobitjen e tyre me vlerën e barabartë të dëmit që i është shkaktuar KQZ-së nga prodhimi dy herë i fletës së votimit për Bradasheshin.
918 fletë votimi
KQZ vendosi të prodhojë edhe 918 fletë votimi më shumë për Bashkinë e Durrësit, për shkak se një qendër votimi nuk ka 100 zgjedhës, por 1000.
Sanksionet për anëtarët e GNV-ve
Anëtarët e komisioneve zgjedhore dhe nëpunësit e administratës publike në shërbim të këtyre komisioneve mbajnë përgjegjësi penale dhe administrative sipas legjislacionit në fuqi, për shkeljen e dispozitave të këtij kodi.
Braktisja e detyrës pa shkaqe të ligjshme nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve, anëtarët e grupeve të numërimit apo vëzhguesit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose heqje lirie nga 6 muaj deri në 2 vjet.
Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara është i dënueshëm me burgim deri në tre vjet, ose me gjobë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë. Kur kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim më shumë se një herë, ose kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me një gjobë nga 300 mijë deri në një milion lekë. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga një deri në shtatë vjet dhe me një gjobë nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë.
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve ose mosveprimeve që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrave nga ana e një personi që ushtron funksione publike, në rastet kur i ka sjellë atij ose personave përfitime të padrejta materiale ose jomateriale, kanë dëmtuar interesa të ligjshme të shtetit, shtetasve dhe personave juridikë, nëse nuk përbën një tjetër vepër penale, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe me një gjobë nga 300 mijë lekë deri në një milion lekë.
Shkelja e dispozitave të Kodit nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve ose nga persona të ngarkuar me detyra, sipas Kodit, kur nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë nga 3 mijë deri në 90 mijë lekë.
Shkeljet e tjera të dispozitave të Kodit, kur nuk përbëjnë vepër penale, përkatësisht nga sekretari i KZAZ-së, dënohet me gjobë nga 30 mijë deri në 60 mijë lekë, ose me burgim deri në 6 muaj.
Shkelja e rregullave të tjera dhe afateve të parashikuara në pjesën II të Kodit, kur nuk përbën shpërdorim të detyrës, sipas nenit 248 të Kodit Penal, dënohet me gjobë nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë.
Shkelja e ndonjërit nga parimet e përgjithshme të Ligjshmërisë, Transparencës, Paanësisë dhe Profesionalizmit, në rastet kur kjo shkelje nuk ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë.
Shkeljet sipas pikës 1 të këtij neni, kur kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me burgim nga 6 muaj deri në 2 vjet.
PS protestë para KQZ, Arvizu takon Ristanin
Protesta e paralajmëruar e Partisë Socialiste të Kamzës para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me miratimin e disa qendrave të votimit në ambiente private, ka shtyrë për rreth 45 minuta takimin mes ambasadorit të SHBA-ve dhe kreut të KQZ-së. Në orën 11:00, në të njëjtën kohë kur ishte planifikuar protesta e PS-së, diplomati amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, kishte fiksuar një takim me kreun e KQZ-së, Arben Ristani. Në kushtet kur dera kryesore e KQZ-së ishte bllokuar nga protestuesit, Ristani ka dalë në krahun tjetër të këtij institucioni, pranë qendrës së biznesit, ku ka pritur ambasadorin amerikan dhe së bashku kanë shkuar për të pirë kafe në hotel “Rogner”. Në këtë ambient, Risani e Arvizu kanë qëndruar për rreth 45 minuta, deri kur kanë marrë njoftimin se situata pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte qetësuar. Më pas të dy janë drejtuar për në zyrën e kreut të KQZ-së, ku kanë qëndruar për rreth 30 minuta. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe vëzhguesi amerikan pranë KQZ-në, Charles Lasham. Në orën 11:00, banorë të Kamzës protestuan para ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mes tyre edhe deputeti socialist, Namik Dokle, si dhe kandidati për Bashkinë e Kamzës, Rakip Suli. “Banorët e Kamzës, – u shpreh deputeti socialist, – nuk kërkojnë asgjë që nuk u takon. Ata duan që qendrat e votimit të vendosen në ambiente publike, jo në lokale të privatëve që njihen si mbështetës të PD-së. Dokle tha se janë të gjitha mundësitë që edhe banorët e Kamzës të votojnë të qetë, jo nën presionin e pushtetit. Vota e banorëve të Kamzës, garantoi deputeti i PS-së, do jetë e garantuar, pavarësisht tentativave për manipulim të këtij shërbëtori të mjerë të regjimit, që quhet Ristan. Dokle paraqiti dhe korrespondencën që PS ka zhvilluar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të zbatuar Kodin Zgjedhor për qendrat e votimit. “Ne nuk do ta lejojmë as Sali Berishën dhe as Ristanin të merren e të fyejë njerëzit tanë. Njerëzit tanë do të shkojnë të votojnë të qetë, të lirë, sepse vota e lirë është thelbi i demokracisë”, u shpreh Dokle.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











