Salvador Kaçaj, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka folur për procesin e primareve që do të organizohet brenda PD-së duke thënë se janë përbashkuese dhe jo përçarëse.

Në një intervistë për News24, ai u shpreh se “PD do dalë më e bashkuar dhe më e fortë” dhe se kanë ndezur motorët dhe janë në rrugën e duhur.
“Ky proces është stil anglosakson, është demokraci e plotë, e ndershme dhe përbashkues brenda llojit. Unë do të kandidoj në Tiranë në primare dhe shpresoj të jem në listën e PD si kandidat për deputet.
Problemet kanë qenë të shumta dhe është në kohën e duhur. Primaret janë të shtunën, është proces përbashkues, jo përçarës. PD do dalë më e bashkuar dhe më e fortë, kemi ndezur motorët dhe jemi në rrugën e duhur”, tha Kaçaj.
I pyetur nga gazetarja se çfarë mund të sjellë një marrëveshje e PD me partitë e tjera, Kaçaj u shpreh si vijon:
“Zoti Berisha ka thënë që PD është e hapur. Çdo parti që është kundër Ramës dhe narkoshtetit duhet të bashkohemi bashkë për ta mundur këtë qeveri. Nuk ka asnjë lloj paragjykimi dhe asnjë lloj paragjykimi. Pra, PD është e hapur për të bashkëpunuar me çdo parti që është kundër Edi Ramës, pavarësisht qejf mbetjeve, pavarësisht shumë gjërave që mund të kenë ndodhur.
Berisha ka dhënë provat se është njeri liberal. Edhe në bashkimin e grupit demokrat parlamentar, po ta shikoni, të gjithë ata që ishin me zotin Basha, i ka vendosur nëpër qarqe. Është vendimi më i mirë sepse janë njerëzit më të përshtatshëm që drejtojnë qarqet. Mendoj se Berisha e mban fjalën dhe është i hapur për çdo parti që është kundër këtij regjimi”.
© Panorama.al











