Deputeti Dritan Prifti i shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, prezantuan dje në komunën Libofshë të Fierit kandidatin e koalicionit të majtë, Naun Doko. “Kjo votë plebishitare do të jetë një votë politike, e cila përcakton dhe fatin e zgjedhjeve parlamentare”, u shpreh Prifti në fjalën e tij. Sipas Priftit, populli do të dijë të vendosë me mençuri e maturitet këtë herë. “Vij këtu përpara jush, për të prezantuar kandidatin e Partisë Socialiste dhe të mbështetur fuqishëm nga aleanca e majtë, Naun Dokon. Ai është njeriu që ka lënë pas jetën e qytetit, për të ardhur këtu te ju, për të dhënë kontribut në zhvillimin e zonës suaj. Jam sot këtu para jush për të deklaruar devotshmërinë dhe besnikërinë time ndaj Partisë Socialiste dhe kandidatit të ‘Aleancës për të ardhmen’, Naun Doko”, tha Prifti.
“Përfitoj nga ky rast t’i bëj thirrje kandidatit Zarka që të tërhiqet nga kjo garë dhe të mbetet njeri i nderuar nga komuniteti i vet”, tha ndër të tjera në fjalën e vet deputeti Dritan Prifti. Në fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, tha se votat kanë vlerë të dyfishtë këtë herë, pikërisht duke tatuar dhe “pulsin” e zgjedhjeve politike parlamentare. Duke i ftuar libofshasit të votojnë kandidatin e majtë, Naun Doko, Ruçi është shprehur: “Kandidati ynë është konkret në ato që thotë, premton ato që bën dhe bën ato që premton. Shihni kahun tjetër të zhytur në korrupsion, që po shtohet nga dita në ditë”. m.r











