
Deputeti opozita i Parlamentit shqiptar, Dritan Prifti, kërkoi falje para banorëve të komunës Dërmenas për largimin e tij nga PS dhe bashkimin me LSI-në. Prifti shoqërohej nga kreu i Grupit Parlamentar socialist, Ruçi, si dhe deputetë të tjerë socialistë. “Unë ju kërkoj falje për kalimin tim nga PS te LSI. Kam ardhur këtu që t’ju them diçka. Për shkak të asaj që përfaqëson Viktor Fasko, kandidati ynë për komunën Dërmenas dhe shumë shokë të tij që përfaqësojnë LSI-në, këtu janë marrë mbi një mijë vota. Dua të jap një mesazh publik për të gjithë ata që u bashkuan me ne dhe, për fat të keq, në një rrugë të gabuar, t’i bashkohen përfundimisht dhe përgjithmonë PS-së”, u shpreh Prifti. Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Ruçi, tha se Shqipëria është në një krizë institucionale. “E keni parë se çfarë Parlamenti kemi. Ja, ne jemi tre deputetë, unë, Ervini dhe Dritani. Parlamenti ka për detyrë që të diskutojë hallet dhe shqetësimet tuaja. Nuk dëgjoni asgjë nga këto, Parlamenti ka detyrën të kontrollojë Ekzekutivin. Në vend që ligjvënësi të kontrollojë Ekzekutivin, ky i fundit kontrollon Parlamentin. Parlamenti ka për mision të bëjë ligje që t’ju shërbejë juve, në një kohë që sot ky parlament bën arnime ligjesh për t’iu krijuar hapësira korruptive qeveritarëve për të vjedhur pronën, mundin, djersën e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Ruçi. M.r











