Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk i ka dhënë përgjigje pyetjes më të shpeshtë që po bëhet këto ditë në Prishtinë: Sa duhet të jetë numri i deputetëve që votimi për President të quhet i rregullt?Por Kushtetuesja ka kthyer përgjigje të prerë që vendi nuk ka boshllëk institucional dhe se Parlamenti nuk duhet të shkrihet. Sipas Kushtetueses, vendin e Pacollit, që nga data 31 mars, e ka marrë Jakup Krasniqi.
Pyetja kryesore
Pyetja e shtruar nga qeveria, nëse është detyrim kushtetues prania e dy të tretave të deputetëve në seancë, në raundin e parë dhe të dytë të zgjedhjes së presidentit dhe nëse mund të shkohet drejtpërdrejt në raundin e tretë, po qe se nuk janë 80 deputetë të pranishëm, gjykata nuk i ka dhënë një përgjigje shpjeguese. Sipas saj, gjykata nuk ka autoritet për të dalë jashtë objektit të çështjes dhe të komentojë situata hipotetike. “Gjykata rikujton që qëllimi i këtij sqarimi është të bëjë të qartë aktgjykimin dhe nuk ka autoritet për të dalë jashtë objektit të çështjes së kërkesës. Prandaj, situatat hipotetike, siç janë përmendur në letrën e Kryeministrit, janë jashtë kufirit të objektit të çështjes dhe mund të jenë bazë për një rast të ri.”
Thaçi: Opozita fajtore
Më herët, gjatë ditës kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, fajësoi opozitën për situatën e krijuar në vend, ndërsa paralajmëroi një proces të shpejtë të zgjedhjes së presidentit, duke i bërë thirrje opozitës që të heqë dorë nga bojkotimi. Në seancën e 22 shkurtit, kur zoti Pacolli si kandidat i vetëm, u zgjodh në postin e presidentit, në atë që u cilësua si votim jo-kushtetues, opozita braktisi sallën, duke e lënë Parlamentin pa numrin e mjaftueshëm të deputetëve. “Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se shkelja ka ndodhur nga bojkotuesit. Nëse kjo pjesë e opozitës vazhdon me bojkot, atëherë ata detyrimisht e çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh”, tha kryeministri Thaçi, duke nënvizuar se diçka të tillë nuk e pret as Ëashingtoni e as Bashkimi Europian.
Opozita
“Nëse nuk ndryshon qasja e partnerëve të koalicionit, atëherë ai do të mbetet problem i tyre se si do ta zgjedhin presidentin dhe LDK do ta ketë qëndrimin e njëjtë, që e ka pasur, përfshirë bojkotimin e seancës. Është e drejtë demokratike jona, është pjesë e demokracisë, është mjet ligjor i lejueshëm i opozitës që ta përdorë këtë metodë. Po ashtu, ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm për të arritur një marrëveshje kalimtare që nuk do të nënkuptonte në asnjë mënyrë që LDK do të hyjë në koalicion me PDK-në… Por, nuk është obligim i opozitës me i sigurua numrat dhe zgjedhjen as qeverisë, as ndonjë vendimi tjetër pozitës”, tha kreu i grupit kuvendor, Beqiri.
Derisa vazhdojnë diskutimet se si do të veprohet më tej me tejkalimin e situatës, Aleanca Kosova e Re, ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për të kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit për zgjedhjen e presidentit.
Novobërdaliu
Aleanca Kosova e Re (AKR), do të dorëzojë në Kuvendin e Kosovës kërkesën për seancë të jashtëzakonshme pasi janë mbledhur nënshkrimet e 40 deputetëve. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, tha se kundërkandidat i Behgjet Pacollit për President do të jetë Suzan Novobërdaliu. Deputetja e AKR-së është futur në Kuvendin e Kosovës pas krijimit të qeverisë, kur edhe janë liruar 14 vende të reja për deputetë.
Nisi regjistrimi
Kosova nisi dje për herë të parë pas 30 vitesh, procesin e regjistrimit të popullsisë. Regjistrimi i popullsisë, i ekonomive familjare dhe i banesave është cilësuar proces shumë i rëndësishëm edhe nga kryetari Ekzekutiv i Entit të Statistikave të Kosovës, Ibrahim Shabani. Ai u shpreh se qëllimi themelor i projektit të regjistrimit të popullsisë është që të mblidhen të dhëna të sakta mbi realitetin demografik, social dhe ekonomik të vendit.
© Panorama.al











