Presidenti Lula: Brazili i dha botës një “mësim mbi demokracinë” me burgosjen e Bolsonaros

Nov 26, 2025 | 20:06

Presidenti brazilian, Luis Inácio Lula da Silva, deklaroi sot se Brazili i ka dhënë botës “një mësim demokracie”, pasi ish-presidenti Jair Bolsonaro u dënua me 27 vite burg për tentativë grushti shteti. “Për herë të parë në 500 vjet histori të këtij vendi, dikush dënohet me burg për tentativë puçi”, tha Lula gjatë një aktiviteti në kryeqytetin Brasilia.

lula

Në shtator, Bolsonaro u shpall fajtor nga Gjykata e Lartë e Brazilit për komplot me oficerë të lartë të ushtrisë, me qëllim pengimin e rikthimit të Lulës në pushtet, pasi lideri i majtë fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2022. Dënimi i tij konsiderohet historik në një vend ku kujtimet e diktaturës ushtarake të viteve 1964–1985 vijojnë të rëndojnë mbi shoqërinë.

Ish-presidenti 70-vjeçar, që drejtoi vendin nga viti 2019 deri në 2022, nisi sot ekzekutimin e dënimit në selinë e policisë federale në Brasilia, ku ishte mbajtur në paraburgim prej së shtunës. Lula theksoi se drejtësia braziliane veproi “pa bujë, me vendosmëri dhe pa u trembur nga presionet e jashtme”, duke dhënë “një vendim shembullor”.

Procesi gjyqësor ka shkaktuar tensione të forta në marrëdhëniet mes Brazilit dhe Shteteve të Bashkuara, pasi Bolsonaro ka qenë aleat i presidentit Donald Trump. Presidenti amerikan vendosi taksa ndëshkuese mbi disa produkte braziliane, duke e cilësuar procesin kundër Bolsonaros “gjueti shtrigash”. Megjithatë, ai i uli ndjeshëm tarifat pas takimit me Lulën në tetor.

© Panorama.al

Te lidhura