Prençi-Peka, Burgaj: Urdhrin për FNSH e jap unë

Apr 15, 2011 | 11:10

TIRANE – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i kërkoi politikës të mos ndërhyjë në punën e strukturave të rendit, pasi organizata e policisë dhe forcat në varësi të saj janë të pavarur nga asnjë parti politike dhe kryejnë vetëm detyrën e zbatimin e ligjit. Kjo thirrje e numrit një të Policisë së Shtetit vjen pas konfliktit të fundit, që u pasua me padi të ndërsjella në prokurori nga ministri i Brendshëm në detyrë, Avenir Peka dhe drejtori i Forcave Speciale, Shemsi Prençi. I pyetur nga mediat, pas një takimi të mbajtur dje, kreu i Policisë, Hysni Burgaj, shpjegoi qëndrimin që ai mban për këtë përplasje. Kreu i Policisë së Shtetit, pa akuzuar asnjërën palë në mënyrë të drejtpërdrejtë, sqaroi se urdhrin për ndërhyrjen e forcave speciale në një vendngjarje e jep vetëm ai, pa përcaktuar nëse duhet ndërhyrja e FNSH në periudhë fushate apo jo. “Urdhrin për dërgimin e forcave speciale në një vendngjarje e jep vetëm drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Asnjë prej forcave politike nuk duhet ta sulmojë Policinë, kjo pasi Policia është një institucion i pavarur”, u shpreh drejtori Burgaj, pas takimit të zhvilluar në hotel “Mondial”, në Tiranë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk e ka parë të arsyeshme të mbajë një qëndrim ndaj kallëzimeve të Pekës e Prençit, apo edhe të sqarojë motivet e këtij konflikti. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me paditë e ndërsjella të bëra nga zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka dhe drejtori i Forcave Speciale, Shemsi Prençi. Të dy ata janë thirrur në prokurori për të dhënë shpjegime në lidhje me konfliktin e ndodhur më 10 prill, kur është kërkuar ndërhyrja e FNSH-së në një përplasje mes militantëve të PD-së dhe PS-së në zonën e Bathores në Tiranë.

© Panorama.al

Te lidhura