Ndeshja me Vllazninë nuk ka prodhuar vetëm mërzi dhe humbje shpresash për ta kapur Europën nëpërmjet kampionatit në kampin e Tiranës.Mësohet se disfata e bardhebluve në Shkodër ka ngjallur edhe indinjatën e trajnerit, Misho Krstiçeviç, i cili ka qenë tejet i pakënaqur me sjelljen e lojtarëve përpara kësaj sfide. Për këtë motiv, ai u është ankuar edhe drejtuesve të lartë të klubit kryeqytetas, të cilëve u ka kërkuar të shkundin ekipin, dhe t’iu kujtojnë lojtarëve se kampionati nuk ka mbaruar, pasi kanë mbetur edhe katër javë për t’u zhvilluar. Megjithatë, Misho ka theksuar se nuk ka ankesa për atë çka futbollistët kanë dhënë në fushën e lojës, por vetëm për situatën e krijuar para takimit të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, ku ka konstatuar se impenjimi dhe serioziteti i lojtarëve për këtë takim kaq të rëndësishëm nuk ka qenë i duhuri. Fill pas ankesës së Mishos, drejtuesit kanë vendosur që sot para fillimit të seancës stërvitore të zhvillojnë një mbledhje urgjente. Qëllimi i kësaj mbledhje ka të bëjë me kthjellimin e skuadrës, pasi kërkohet që t’i bëhet e qartë se sezoni nuk ka përfunduar ende.
I kontaktuar nga “Panorama”, presidenti Refik Halili ka konfirmuar mbledhjen e ditës së sotme në orën 16:30, madje ka qartësuar dhe arsyen e organizimit të saj. Sipas kreut të klubit të Tiranës, ky takim do të zhvillohet me një qëllim të vetëm, për t’iu kujtuar futbollistëve bardheblu, se kampionati nuk ka përfunduar ende, pasi janë edhe katër javë për t’u luajtur, ndaj nuk tolerohen neglizhencat. “Kam organizuar një mbledhje ditën e nesërme (sotme), së bashku me shefin e klubit Dimraj, pas një kërkese të bërë nga trajneri Krstiçeviç. Ky i fundit më tha se kishte pakënaqësi për mënyrën sesi lojtarët janë sjellë përpara ndeshjes me Vllazninë. E theksoj përpara takimit, pasi Misho më saktësoi se nuk ka pasur ankesa për mënyrën sesi është zhvilluar ndeshja në atë 90-minutësh. Duke marrë shkas nga e gjithë kjo, ne si drejtues menduam të bëjmë një mbledhje urgjente, për t’u bërë me dije lojtarëve që sezoni nuk ka përfunduar. Kanë mbetur edhe katër javë kampionat dhe ne duhet të respektojmë çdo përballje dhe çdo kundërshtar. Asnjë nga lojtarët nuk mund të zgjedhë se ku do të luajë, dhe ku jo, pasi ata janë punëmarrës dhe duhet t’i përgjigjen punës për atë që paguhen. Kësisoj, këto neglizhenca nuk duhet t’i tolerojmë, ndaj po e bëjmë këtë mbledhje”, sqaroi kreu i klubit kryeqytetas në lidhje me atë që ka ndodhur përpara fillimit të takimit me Vllazninë.
Lika, Hyka dhe Lilaj me probleme
Tirana është me probleme në prag të Skënderbeut. Kujtojmë që në prag të sfidës me Vllaznisë, gjatë nxehjes, portieri Ilion Lika humbi përballjen pas një dëmtimi të pësuar në gju. Ndërkaq, një tjetër problem që e ka shqetësuar, është dëmtimi i Hykës. Mesfushori ka pësuar tërheqje muskulore, kësisoj Krstiçeviç është detyruar ta zëvendësojë atë, duke futur në fushë Pejiç. Nuk dihet ende nëse lojtarët rrezikojnë aktivizimin në ndeshjen me Skënderbeun, mirëpo mësohet se mesfushori mund të rrezikojë disa ndeshje.
Pejiç: Unë goleadori që s’e kam frikë stolin
Një ditë para ndeshjes me Vllazninë, trajneri Krstiçeviç për mediat kishte thënë se Bala do të jetë zgjedhja e tij e parë, ndërsa Pejiç duhet të presë që t’i vijë shansi. Mirëpo duket se vetë sulmuesin kroat nuk e frikëson stoli, pasi është i vetëdijshëm për cilësitë e tij. Një gjë të tillë e ka pohuar për gazetën gjatë ditës së djeshme, teksa shprehimisht thotë: “E kam kaluar plotësisht dëmtimin, trajneri më tha që para ndeshjes me Elbasanin që nuk isha gati, pasi donte të më ruante për Vllazninë. Trajneri e sheh dhe e di, unë jam lojtar profesionit dhe respektoj çdo vendim, mirëpo jam i vetëdijshëm që jam edhe golashënuesi më i mirë i Tiranës, me 12 gola. Mua nuk më bezdis stoli, pasi i njoh vlerat e mia. Nuk jam frikacak, kam besim te vetja. Edhe në rast se nuk gjej hapësirë, nuk mërzitem, por do të stërvitem intensivisht, pasi kjo është detyra ime”, tha Pejiç.
© Panorama.al











