Pranga 49-vjeçarit, tentoi të vriste gruan për xhelozi

Apr 12, 2011 | 11:08

Bashkëshorti qëllon gruan me thikë, në tentativë për ta vrarë për shkak të xhelozisë.Ngjarja ka ndodhur natën e kaluar në Tiranë, kur një 49-vjeçar ka plagosur me thikë gruan e tij, në tentativë për ta vrarë atë. Krimi i rëndë u parandalua nga djali 21-vjeçar, i cili e ka qëlluar me një shkop druri në kokë të atin, duke i shkaktuar humbje të ndjenjave ndërsa ai po sulmonte nënën e të riut. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:30 të mëngjesit të djeshëm, në shtëpinë e çiftit Fidani, me origjinë nga Kuçova dhe banues në Rrugën e Qelqit, pranë lagjes “Kombinat” në kryeqytet. Policia është lajmëruar për ngjarjen nga djali i madh i çiftit, Anderson Fidani, i cili ka treguar se e kishte goditur të atin në kokë për të shpëtuar nënën nga sulmi i dhunshëm me thikë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë së Komisariatit Nr. 6 dhe oficerë të seksionit kundër krimeve ndaj jetës, duke e arrestuar në flagrancë autorin e krimit, Hetem Fidani, 49 vjeç. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se autori kishte një plagë thike në bark, sepse ishte vetëplagosur pas goditjes së gruas. Ai ka marrë gjithashtu një plagë të lehtë në kokë, të shkaktuar nga i biri. Policia ka nisur procedim penal në gjendje të lirë edhe ndaj djalit që denoncoi krimin, Anderson Fidani, me akuzën “dëmtime të tjera me dashje”. Nga ana tjetër, gruaja është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Mjekët thanë se Esmeralda Fidani, 46 vjeçe, është në gjendje të rëndë shëndetësore pasi është goditur disa herë me thikë nga i shoqi.
MOTIVET E KRIMIT
Nisur nga deklarimet e të arrestuarit për vrasjen e mbetur të tentativë ndaj bashkëshortes, grupi hetimor tha se motivet e krimit të familje lidhen me xhelozinë që autori kishte shfaqur dy javët e fundit ndaj të shoqes. Sipas policisë, Hetem Fidani ka deklaruar se dyshonte se e shoqja e tradhtonte me një tjetër dhe ky dyshim i kishte lindur pas një bisede me vëllanë e tij. Ky i fundit i kishte treguar se e ka parë Esmeraldën me një person tjetër, pa dhënë shpjegime të mëtejshme. Prej atij momenti, Hetem Fidani e kishte ndjekur të shoqen sa herë që ajo dilte nga shtëpia, por nuk e kishte parë me njeri. Megjithatë, në disa raste kur ajo dilte, vonohej dhe për këto vonesa ai dyshonte se ajo bënte ndonjë takim të fshehtë. Dy net më parë, Hetem Fidani ka qëndruar jashtë deri vonë duke pirë dhe kur është kthyer në shtëpi, sipas policisë, ka qenë në gjendje të dehur. Sapo ka mbërritur në banesë i ka kërkuar të shoqes që të bisedonin dhe, për të mos zgjuar djemtë, dy bashkëshortët kanë dalë në verandën e shtëpisë së tyre përdhese dhe kanë debatuar fillimisht me zë të lartë. Më pas, Hetem Fidani, me një thikë flutur që mbante në xhep, e ka goditur disa herë bashkëshorten, Esmeralda Fidani. Djali i madh i tyre, Anderson Fidani, ka dëgjuar thirrjet e nënës për ndihmë dhe është zgjuar. Ai e ka goditur me një shkop druri pas koke babanë e tij, i cili është rrëzuar pa ndjenja, duke qenë se kishte edhe një plagë me thikë në bark, pasi ishte vetëplagosur.

Vetëplagosja e autorit

Në momentin kur forcat e policisë kanë shkuar në banesën e familjes Fidani, të lajmëruar për ngjarjen, i kanë gjetur të plagosur dhe pa ndjenja të dy bashkëshortët. Pasi kishte goditur me thikë disa herë në trup të shoqen, Esmeralda Fidani, autori, Hetem Fidani, është vetëplagosur me thikë duke menduar se e kishte vrarë bashkëshorten. Përveç plagës së shkaktuar me thikë, Hetem Fidani kishte edhe një hematomë në kokë, të shkaktuar nga goditja me shkop druri, të cilën e kishte kryer djali i tij 21-vjeçar, për të shmangur vrasjen në familje. Ai kishte ndërhyrë në kohën kur 49-vjeçari ka qenë duke qëlluar me thikë bashkëshorten në verandën e shtëpisë.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura