“Poshtë patronazhistët, s’i duam militantët”- Sheshi tejmbushet në ditën e nëntë: Opozitë e shitur, opozita jemi ne! Rama dorëhiqu, Atdheu është i yni, të bëhemi 1 milionë në shesh

Jun 8, 2026 | 19:13

Dita e nëntë e ka gjetur protestën qytetare në bulevardin para kryeministrisë me një pjesëmarrje më masive nga ditët e tjera, ku kanë ardhur shqiptarë nga të gjitha trojet, duke iu bashkuar kauzës kundër qeverisë, politikës 35-vjeçare dhe kundër skandaleve abuzive.


Mes thirrjeve të shumta ranë në sy edhe ato për patronazhistët që kërkojnë përçarjen e qytetarëve në shesh, por edhe të opozitës që e cilësuan “të shitur”.

“Opozita jemi ne, opozita e shitur”, “Atdheu jemi ne”, “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”.

Organizatorët thanë se do kishte pak fjalime nga intelektualë dhe më shumë parulla dhe mesazhe me një kërkesë të vetme: Dorëheqje.

protesta sot3

“Pas fjalimeve të shkurtra sheshi është i qytetarëve, paqësisht marshoni, në paqe në të gjithë qytetet e rrugët. Të bëhemi 1 mln shqiptarë, të kërkojmë dorëheqjen e më antishqiptarit që ka njohur Shqipëria, Edi Rama. Nuk i duam militantët e partive këtu me ne, edhe pse edhe ata janë vëllezërit dhe motrat tona, por sheshi është i yni”, thanë ata.

Mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku bulevardi u mbush me pankarta, flamuj dhe thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi.

protesta bulevard sot

Atmosfera para Kryeministrisë u karakterizua nga slogane të forta si “Rama jep dorëheqjen”, “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët”, “Rama ik”, si dhe thirrje që kërkonin largimin e elitës politike që ka dominuar jetën publike shqiptare prej dekadash.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës kanë vijuar të minimizojnë protestën, duke e lidhur atë me dezinformimin, interesa politike apo ndikime të jashtme. Në deklaratat e fundit, Rama ka ironizuar protestuesit dhe ka sulmuar figura publike që kanë shprehur mbështetje për revoltën qytetare.

Ajo që nisi në Zvërnec si një kundërshtim ndaj një projekti të caktuar, tashmë po merr përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë ndaj të gjithë klasës politike.

Këtë e dëshmojnë edhe mesazhet që dominuan tubimin para Kryeministrisë. “Rama në burg, Berisha në burg”, “Poshtë kasta politike” dhe “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët” ishin ndër thirrjet më të dëgjuara gjatë protestës, duke reflektuar zhgënjimin e një pjese të qytetarëve jo vetëm ndaj qeverisë aktuale, por ndaj gjithë sistemit politik.

protesta sot ne bulevard

Me thirrje kundër klasës politike dhe elemente të forta patriotike ka nisur protesta para Kryeministrisë. Në shesh janë dëgjuar Himni Kombëtar dhe kënga patriotike “Xhamadani Vija-Vija”, ndërsa protestuesit kanë valëvitur flamuj kombëtarë.

Protestuesit kanë shigjetuar me thirrje dhe ironi si kryeministrin Edi Rama, ashtu edhe kreun e PD-së Sali Berisha, duke kërkuar burgosjen e tyre. “Rama n’burg, Berisha n’burg”, kanë thirrur njëzëri pjesëmarrësit.

protesta reuters

Të rinj, të reja, fëmijë dhe të moshuar janë bërë bashkë në këtë protestë, e cila po tërheq vëmendje edhe ndërkombëtare përmes transmetimit live të Reuters. Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, kjo është një kauzë që nuk do të ndalet deri në dëgjimin e kërkesave të tyre.

© Panorama.al

Te lidhura