Anglia dhe Franca do të luajnë të shtunën ndeshjen për vendin e tretë të Kupës së Botës.
Trajneri i Anglisë, Tomas Tuhel, pas humbjes nga Argjentina në gjysmëfinale, ka thenë se asnjë nga futbollistët nuk duan të luajnë këtë ndeshje, pasi ata donin të luanin në finale.
“Asnjë nga lojtarët tanë dhe gjithashtu, asnjë nga lojtarët francezë nuk dëshiron të luajë në këtë ndeshje. Ata duan të luajnë në finale. Ne dhamë gjithçka për ta arritur këtë. Të gjithë luajnë për të fituar Kupën e Botës, por kështu është. Kemi një ditë më pak rikuperim sesa Franca, por do ta bëjmë me profesionalizëm”, ka deklaruar Tuhel.
Ai komentuar eliminimin nga Argjentina në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, duke deklaruar ndër të tjera se posedimi i topit nuk është pjesë e identitetit tradicional të futbollit anglez.
“Në atë moment kisha ndjesinë se asnjë strukturë në botë nuk do të na kishte ndihmuar. U bëmë shumë pasivë dhe nuk ishim mjaftueshëm fizikë. Nuk arritëm të ndalonim futbollistët që hynin në zonën tonë dhe krosimet e tyre ishin të nivelit më të lartë”, tha Tuhel.
Tekniku gjerman pranoi se skuadra e tij u tërhoq gjithnjë e më shumë në mbrojtje, edhe pse kjo nuk ishte pjesë e planit: “Nuk ishte kurrë plani të tërhiqeshim kaq thellë, por kështu ndodhi. Nuk fitonim më duelet dhe nuk mund të ndalonim depërtimet e mesfushorëve nga vija e dytë. Për të thyer presionin duhet ta rikthesh topin në zotërim, përndryshe nuk e rikthen dot momentumin e ndeshjes”, shtoi ai.
Në fund, Tuhel, përveçse konfirmoi idenë e tij për të vijuar qendrimin në “timonin” e përfaqësueses së “Tre Luanëve”, gjithashtu theksoi se Anglisë i mungon kultura e kontrollit të lojës përmes posedimit të topit, duke e krahasuar me kombëtaret më të suksesshme në këtë aspekt.
“Mendoj se posedimi i topit luan një rol vendimtar. Ndoshta kjo nuk është pjesë e ADN-së sonë, siç është te Spanja apo te Argjentina dhe Brazili, që dinë ta marrin topin dhe ta kontrollojnë ndeshjen përmes tij,” përfundoi trajneri gjerman i anglezëve. /Panorama Sport/
© Panorama.al












