Sali Berisha iu përgjigj sot edhe pyetjeve të ndjekësve të tij në rrjetin social që lidheshin me deklaratat etnike të ministres serbe Snezhana Paunoviç për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Kryedemokrati akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk e dënon ministren monstër të Beogradit, sepse është vasal i Vuçiçit dhe armik i shqiptarëve.
Berisha, u shpreh se heshtja e kryeministrit Edi Rama ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviç për spastrimin etnik në Kosovë është e papranueshme dhe se po mbante qëndrim të njëanshëm në raport me Beogradin.
“Rama është skllav i Vuçiçit”, u shpreh Berisha mes të tjerash.
Kreu i PD-së deklaroi se reagimet ndërkombëtare ndaj deklaratave të ministres serbe kanë qenë të forta, duke përmendur qëndrime nga institucionet evropiane, Britania e Madhe dhe figura politike në Serbi e Kosovë.
Sipas Berishës, mungesa e një reagimi nga qeveria shqiptare tregon, siç u shpreh ai, një varësi politike të Edi Ramës ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Madje sipas tij edhe Marta Kos i dënoi këto deklrata, kurse Rama jo.
“Deklaratat e ministres monstër të Beogradit, me të cilat ajo dëshmon se zgjidhja më e mirë e problemeve ndëretnike është spastrimi etnik dhe gjenocidi, kanë marrë ndëshkim ndërkombëtar. Kanë reaguar fuqishëm Komisioni Europian në zëdhënësin e saj. Ka reaguar për hir të së vërtetës edhe komisionerja për zgjerimin, zonja Kos. Ka reaguar fuqishëm zëdhënësi i Foreign Office, Ministrisë së Jashtme Britanike. Por kanë reaguar për hir të së vërtetës dhe dhjetëra, dhjetëra deputetë dhe personalitete në vetë Serbi. Republika e Kosovës e ka shpallur non-grata. Edi Rama dhe zëdhënësit e tij të turpit në Ministrinë e Jashtme kanë heshtur si fija e barit. Dhe jo vetëm heshtur, por Edi Rama deklaroi se nuk mund të përfshihet në histerizma sa herë një çyryk flet këto apo ato. Edi Rama është një skllav, një vasal i Vuçiçit”, tha kryedemokrati.
Berisha nënvizoi se deklaratat e zyrtares serbe janë të rrezikshme, raciste dhe antishqiptare.
“Ta kuptojnë shqiptarët mirë se ç’janë këta, ç’përfaqësojnë, që nuk pranojnë dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Dhe tani kur ministrja e Aleksandër Vuçiçit deklaron se duhej spastruar etnikisht Kosova, Edi Rama e quajti një çyryke. Ajo është një raciste e egër antishqiptare e cila në të gjitha ligjet e botës meriton dënimet më të rënda. Por Rama është argat i Vuçiçit, armik i egër i shqiptarëve dhe çështjes së tyre”, përfundoi ai.
© Panorama.al












