“Protesta popullore heroike dhe epike, ka mbështetje të madhe ndërkombëtare”- Berisha thirrje të tijve: Merrni pjesë dhe mbështeteni kryengritjen paqësore, nuk tërhiqemi! PD u ripërtëri

Jul 18, 2026 | 12:30

Kryedemokrati Sali Berisha foli sot në komunikimin me ndjekësit e tij në rrjetet sociale për ripërtëritjen e Kuvendit të PD-së, por edhe protesta qytetare e popullore në bulevard.

sali berisha

Ai e cilësoi një protestë heroike dhe të papërsëritshme që nga viti 90të dhe që nuk do të ndalet. Ai ftoi të gjithë anëtarët demokratë që ta mbështesnin revoltën paqësore deri në largimin e regjimit të Ramës.

Ai shtoi se ajo protestë gëzonte edhe mbështetje të madhe ndërkombëtare.

“Gjatë kësaj jave vazhdoi me heroizëm epik protesta popullore e qytetarëve të Tiranës, pavarësisht terrorit të Ramës dhe falangave të tij të krimit, ndaj eksponentëve të protestës dhe pjesëmarrësve të saj. Kryengritja paqësore e rinisë dhe qytetarëve shqiptarë vazhdon e pamposhtur, duke siguruar mbështetje të madhe ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Më tej Berisha ftoi anëtarët e PD-së t’i bashkoheshin sheshit.

“Duke shprehur edhe njëherë mbështetjen e fuqishme për këtë lëvizje, për këtë protestë të paprecedentë që nga vitet 90-të në historinë e Shqipërisë, ftoj çdo demokrat të marri pjesë në të dhe të bëjnë gjithçka për suksesin e saj”, vijoi ai.

Berisha: Procesi i ripërtëritjes së PD nuk do ndalet, partia në kilometrin e fundit të misionit!

Berisha komentoi edhe zgjedhjet e fundit në PD dhe votimin për strukturat drejtuese, ku pati dhe debate të forta.

Ai tha se strukturat u ripërtërinë, pasi të paktën 60% janë gra dhe të rinj dhe sekretariatet nuk u rizgjodhën në pjesën më të madhe, ashtu sikurse 3 nënkryetarë janë po të rinj.

“Nga ky proces, 60% përbëjnë të rinj dhe gra dhe ky është propocionim shumë të rëndësishëm për ne, pasi patëm të trashëguar një deformim nga i cili u ndamë përfundimisht. 2/3 e drejtimit të Pd zgjidhen për herë të parë, sikurse 3 nënkryetarët e saj. Nga 14 sekretarë vetëm 3 janë të rizgjedhur. Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD-së në të gjithë historinë e saj. Synimi kryesor për partinë dhe anëtarët e saj ka qenë ripërtëritja. Në këtë proces nuk ka ndryshuar vetëm statistika, por janë shpalosur kualitete dhe vlera nga më të shquarat nga PD. Në kilometrin e fundit të saj, ajo (PD) ka një ekip të pajisur me të gjitha aftësitë për të udhëhequr këtë parti në përmbushjen me sukses të misionit të saj. Ne jemi parti që bazohemi të vota e anëtarëve tanë dhe shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë bashkëpunëtorët e mi që nuk u zgjodhën dhe dhanë kontribut të jashtëzakonshëm, ruaj për ta vlerësimin më të lartë. Theksoj se shumë prej tyre kanë funksione të tjera të rëndësishme në grupin e PD dhe parti, në drejtim të reformave themelore në interes të partisë dhe vendit. Por ju them se procesi i ripërtëritjes së PD nuk do ndalet”, u shpreh kreu i selisë blu.

Berisha theksoi se rruga e vetme e demokratëve për t’u kthyer në pushtet ishte vetëm ripërtërirja e partisë dhe protesta e kryengritja paqësore deri në rënien e regjimit.

“Rruga dhe protesta paqësore do jetë e vetmja mënyrë për largimin e këtij regjimi. Ata që e sollën PD në këtë situatë ku ndodhet tani janë heronj, ata rezistuan, ndaluan përpjekjen për ta vënë nën kontroll forcën e tyre politike, për ta asgjësuar opozitën, meritojnë të gjithë nderim dhe vlerësim të jashtëzakonshëm”, tha kryedemokrati.

© Panorama.al

Te lidhura