Auron Tare: T’u rrojë “Kënua”! Na u desh një film hollivudian që të kujtoheshim se fyelli i Vendim Kapajt dhe polifonia shqiptare qenkan pasuri botërore!

Jul 18, 2026 | 13:19

Nga Auron Tare

auron-tare

Dje, në një barakë druri diku në bregdet, një peshkatar më ftoi të ulesha.

Ulu, drejtor! – më tha me atë respektin që shqiptarët vazhdojnë t’ua ruajnë për ofiqe të vjetra.

Më pëlqeve shumë te ajo intervista për Vendimin tonë – vazhdoi. – Ai është mjeshtër i madh. Po e di ç’punë bënte dikur bashkë me mua?

Shiste peshk me biciklete – thashë.

Pastronim plehrat në Vlorë, o babam…

E tha qetë. Pa mllef. Si një fakt që nuk kishte më nevojë për koment.

Ai është fisnik. Nuk ankohet kurrë. Po të lumtë ty që e kujton e që e respekton. Hajde, ta ngremë një gotë për Vendimin!

Përplasëm shishet e birrës.

Për artistin e madh që të dy e duam fort… Sa për këta palaçot… t’u rrojë Kënua!

Po kush është Kënua? e pyeta i habitur.

Peshkatari qeshi.

Kënua, mor burrë… ai zeshkani që erdhi e na klepsi paratë!

Qeshëm të dy. Por, sapo u ndamë, më mbetën në mendje fjalët e tij.

Kisha ndërmend t’ia kushtoja këto radhë mikut tim të vjetër, mjeshtrit të fyellit, Vendim Kapaj. Një artist i rrallë dhe një njeri që e ka mbajtur dinjitetin mbi supe pa bërë zhurmë, pa kërkuar favore dhe pa u përkulur para oborreve të pushtetit.

Për shumë vite kemi ndarë emocione dhe udhë artistike. Si zakonisht, ato mbetën larg syrit të burokratëve të kulturës. Sepse burokrati ynë ka një dhunti të rrallë, nuk sheh kurrë atë që ka vlerë. Ai sheh vetëm atë që prodhon ceremoni.

Por, duke marrë penën në dorë, e kuptova se ky shkrim nuk i takonte më Vendimit.

Ai i takon shoqërisë sonë.

Asaj shoqërie që politika  ka marrë përsipër ta bëjë  “evropiane” me aq zell, sa, në këtë hargalisje  për t’u dukur moderne, ka harruar të mbetet shqiptare.

Na u desh një film hollivudian që të kujtoheshim se fyelli i Vendim Kapajt dhe polifonia shqiptare qenkan pasuri botërore. Menjëherë shpërtheu patriotizmi ceremonial, flamuj, statuse, deklarata, fotografi dhe mburrje pa fund.

Shqiptari ka një ves të vjetër. Thesarin që ka në prag të shtëpisë nuk e sheh. Mjafton t’ia vulosë i huaji dhe menjëherë e shpall mrekulli.

Po këto vlera ku qenë dje?

Ku ishin një javë më parë?

Ku ishin një vit më parë?

Ishin aty ku kanë qenë gjithmonë.

Vendim Kapaj, me biçikletën e tij të vjetër, duke shitur peshk në Vlorë.

Goliku, mjeshtri i polifonisë, me dhitë e tij në Bënçë.

Lebërit, duke mbajtur gjallë këngën që ua lanë amanet të parët me tufat e bagetive ne kullota.

Askush nuk i pengoi të ishin të mëdhenj.

Thjesht askush nuk u kujdes për ta.

Në Shqipëri artisti kujtohet vetëm kur duhet të zbukurojë një podium. E thërrasin të këndojë në inaugurimin e një rruge, ta shoqërojë me iso ardhjen e ndonjë ministri, të bëhet sfond folklorik i ndonjë fjalimi Kryeministror. Por sapo mbaron ceremonia, politikanët marrin duartrokitjet, ndërsa artisti kthehet në vetminë e tij.

Sot desha të shkruaja për mrekullinë e polifonisë sonë.

Nuk munda.

Sepse më doli përpara një kronikë e vitit 2022.

Vendim Kapaj, mjeshtri i fyellit, pastronte plehrat e qytetit.

Mos e quani tragjedinë e Vendimit. Ai punoi gjithë jetën me fisnikërinë që vetëm artistët e mëdhenj e njohin. Nuk u ankua. Punoi për të mbajtur familjen.

Tragjedia është e jona.

Është tragjedia e një  shoqërie që, brez pas brezi, po humbet copëza të identitetit të vet dhe nuk e kupton se po varfërohet shpirtërisht.

Eshtë Tragjedia e një shteti që nuk gjen dot një vend dinjitoz për një artist të këtij rangu, por gjen miliona për spektakle që harrohen sapo fiken projektorët.

Një Ministri Kulture që nuk lodhet duke financuar festivale glikosh, trahanash, lakrorësh e pastërmash, sikur të ishte drejtoria e gastronomisë dhe jo institucioni që duhet të mbrojë kujtesën shpirtërore të kombit.

Një ministër që nuk la studio televizive pa folur për “Kënuan”, por nuk gjen një minutë për të folur për Vendim Kapajn, për Golikun, për rapsodët dhe mjeshtrit që mbajnë mbi supe kulturën shqiptare.

Pse nuk ngrihen shkolla vere për këta artistë?

Pse nuk mbështeten që ta përcjellin artin e tyre te brezi tjetër?

Pse nuk u jepet dinjiteti që e kanë merituar prej kohësh?

Apo kujtohemi për ta vetëm kur na i zbulon Hollivudi?

Ai që sot hyn me tingujt e fyellit në tempullin botëror të kinematografisë, dje mblidhte mbeturina për të siguruar bukën e familjes.

Dhe sot dëgjojmë britma patriotike, sikur kombi u shpëtua vetëm pse bota më në fund dëgjoi fyellin shqiptar.

Jo.

Kombi nuk nderohet kur bota na duartroket.

Kombi nderohet kur di të nderojë bijtë e vet përpara se t’ia zbulojë bota.

Ndryshe mbetemi ata që kemi qenë gjithnjë, mjeshtër për të brohoritur pas çdo suksesi të vulosur nga të huajt dhe po aq mjeshtër për të kaluar pranë njerëzve tanë të mëdhenj pa ua hedhur sytë.

Prandaj sot nuk munda të shkruaj vetëm për Vendimin dhe artin e tij. Sa herë përpiqesha të flisja për fisnikërinë e një artisti të madh, më dilte përpara fytyra e një shoqërie që di të duartrokasë propagandën, por jo vlerën. Dhe atëherë më kujtohej peshkatari vlonjat, që ngriti gotën për Vendimin dhe, me një buzëqeshje therëse, tha:

“Për artistët tanë… sa për këta të tjerët, t’u rrojë Kënua!”.

© Panorama.al

Te lidhura