
Asnjë detyrim, asnjë gënjeshtër, asnjë emocion, asnjë mëngjes së bashku, asnjë “më mungon”, asnjë përkëdheli apo veprim që është më se normal në një lidhje. Me pak fjalë “asnjë impenjim”. Por ndërsa ata të dy përpiqen të shmangin çdo lloj lidhjeje, duhet t’i përgjigjen pyetjes: “A munden dy miq të bëjnë seks pa rënë në dashuri?”. Përgjigjja vjen nga “No strings Attached”, një komedi romancë, që prej ditës së premte po shfaqet në kinema “Millenium”, me protagoniste aktoren, fituese të çmimit “Oskar”, Natalie Portman. Pasi ka shkëlqyer me “Black Swan” dhe teksa pritet të zbulojë performancën e saj më të re në filmin “Thor” të Branagh, Portman hyn në komedinë amerikane pa asnjë kufizim: “Flitet për një film tepër zbavitës që ka një personazh femëror me të vërtetë interesant”, ka pohuar para premierës së filmit aktorja Natalie Portman. Në krah të saj është aktori Ashton Kutcher që nuk i kursen lëvdatat për kolegen: “Natalie është një superprofesioniste. Është gjithnjë e përgatitur për të bërë zgjedhje interesante që rrisin intensitetin e personazhit të saj”. Portman interpreton Emën ‘alergjike ndaj marrëdhënieve’, ndërsa Kutcher sjell në këtë romancë Adamin, të zhgënjyer nga lidhja e babait me ish-të fejuarën e tij dhe që është betuar se nuk do të nisë asnjë lidhje të re. Të dy nuk duan të kenë asnjë lidhje emotive dhe se do të mbeten miq për kokë. Filmi është drejtuar nga Ivan Reitman, një regjisor i sprovuar në gjininë e komedisë. “No Strings Attached” është një nga komeditë e suksesshme të këtij sezoni. Në fundjavën e parë të projeksioneve në SHBA, komedia arriti të pozicionohej në vendin e parë të arkëtimit amerikan, duke mbledhur më shumë se 20 milionë dollarë.











