“Populli është i lodhur dhe kërkon shpëtimin”- Lubonja: Nëse kërkesa për heqjen e imunitetit të Ballukut do rrëzohet, do ishte goditje për drejtësinë! Opozita të bashkohet

Dec 16, 2025 | 17:41

Analisti Fatos Lubonja ndan mendimin se tani është momenti që populli po kërkon shpëtim, sepse është i lidhur nga zullumet e trashura të kësaj qeverie.

fatos Lubonja

I ftuar në studion e “News 24”, ai analizoi situatën më të fundit politike dhe të aktualitetit, nga kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku në Kuvend, tek aksioni në AKSH dhe deri te debatet brenda opozitës.

“Nëse kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut do rrëzohet në Kuvend, kjo do të jetë një goditje ndaj drejtësisë, por edhe ky do marri goditje nga ndërkombëtarët, mendoj, në popull po e po. Ky pushtetet i ka për ta injoruar drejtësinë, mund të thotë e të luajë edhe me ndërkombëtarët, me BE apo KE dhe ta shtyjë. Sepse ne jemi të qartë që ky është një regjim. Ka protesta, por populli është i lodhur dhe kërkon shpëtimin. Kur trashet e trashet shumë, bie një ditë. Rreziku i një drejtësie të kapur nga Rama mbetet i njohur dhe prezent, këtë e tregoi edhe Gjykata Kushtetuese. Në një vend normal, Rama do ishte nën hetim dhe do kishte “fluturuar””, shprehet analisti.

Për Lubonjën, drejtësia po punon, por duhet të tregojë më shumë kurajo, sepse në lojë është edhe karriera e tyre. Ai do shpresonte që këto hetime dhe aksione të SPAK ndaj zyrtarëve të mos ishin ndërhyrje e ndërkombëtarëve, por kurajo e tyre.

“Ka kurajo nga SPAK dhe drejtësia, por duhet të hetohet edhe më thellë. Me këto gjëra që janë sheshit dhe ata nuk veprojnë, ata shkatërrohen si karrierë, me këto prova që kanë dalë hapur, me përgjimet, që i dinë edhe ndërkombëtarët, do ishte skandal që të mbrohej Rama. Ata mendojnë edhe për të nesërmen e tyre. Ne e dimë tani që mbreti është lakuriq, e shohin të gjithë, ai shpreson vetëm të mburoja e ndërkombëtarëve që e ka pasur deri tani, si dhe tek Berisha që ka përballë”, shprehet ai.

Në lidhje me rolin e Gjykatës Kushtetuese, Lubonja u shpreh kritik, duke deklaruar se ajo “lau duart” nga vendimi i nxehtë, duke e shtyrë çështjen për më 22 janar. Sipas tij, kjo solli një kundërpërgjigje nga SPAK, i cili kërkoi arrestimin.

Sipas Lubonjës, “nëse Kuvendi nuk voton heqjen e imunitetit të Ballukut, kryeministri Rama “heq maskën”, duke i dhënë një goditje të fortë drejtësisë dhe duke humbur legjitimitetin, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht”.

Ai komentoi edhe situatën në kampin opozitar, ndërsa ndau mendimin se do ishte pozitive që të dilte një grupim opozitar dhe brenda PD-së, ku të mos ketë një lider dhe Berisha të mos largohet, por të rrijë i distancuar. Ai tha se bashkimi i opozitës është me rëndësi, pasi ajo aktualisht është e përçarë.

“Opozita po vepron, psh., kemi Lapajn para kryeministrisë. Kurse te PD shohim përçarje dhe shohim Berishën që kërkon të mos e lëshojë pushtetin në parti dhe palën tjetër, Salianjin e të tjerët, që kërkojnë ta marrin. Do shohim nëse e merr Berisha përsipër ndryshimin që mund të vijë nga gjithë kjo ngjarje, e kjo është një lloj minusi, sepse ka qenë dy herë në pushtet, është akuzuar ka përgjegjësitë e veta, ndaj mendoj se bashkimi i opozitës rreth një figure tjetër dhe pa eliminuar Berishën, do ishte i drejtë dhe më i mirë. Por çështja është se kush do vijë, duhet një lider ose grupim njerëzish që të dalin pa lider”, vijoi Lubonja.

Në fund ai u shpreh se debati i ashpër në vijim brenda PD-së mund ta çojë atë në përçarje edhe më të thellë.

“Ata e dinë rrezikun, se po e kundërshtuan Berishën hapur e t’i thonë të largohet, kjo do e shkatërrojë më shumë partia, sepse është e ndërtuar si piramidë, ndaj veprohet në këtë rrugë me debat”, përfundoi Lubonja.

© Panorama.al

Te lidhura