Pollo: Tani shërbimet shëndetësore edhe online

Apr 15, 2011 | 11:14

Shëndetësia është sektori i radhës ku do të implementohet projekti më i fundit që synon modernizimin përmes teknologjisë së informacionit. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të implementojë projektin “e-health” apo në shqip, shëndetësinë elektronike, e cila do të shërbejë si një mënyrë për të komunikuar brenda sektorit të shëndetësisë për të marrë në kohë reale të dhëna, asistencë dhe rritje të cilësisë së shërbimit në këtë sektor. Në prezantimin e implementimit të projektit ishin dje të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Fondacioni “Kondrad Adenauer)që do të bashkëpunojë me ISSKSH-në për këtë projekt, ambasadorja gjermane, Carola Müller -Holtkemper si dhe ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit, Genc Pollo. Gjatë fjalës së tij, ministri Pollo vlerësoi këtë projekt si mjaft të rëndësishëm dhe si pjesë të objektivit që ka qeveria për “Shqipërinë Dixhitale”. Duke vlerësuar suksesin që ka pasur modernizimi i një sërë sektorëve në vend përmes shërbimeve elektronike, Pollo u ndal në dy prej tyre si prokurimet(APP) dhe licencimet apo regjistrimet (QKR,QKL) për të treguar se çfarë do të sjellë realisht projekti “e -halth” në shëndetësi. “Ne kemi avantazhin të mësojmë nga eksperiencat e vendeve të tjera, që i kanë zhvilluar më parë se ne shërbimet e – halth dhe këto eksperienca na tregojnë se është e rëndësishme të kemi një strategji për e-health për të orientuar se ku do të ecim në sektorin farmaceutik, sektorin e sigurimeve shëndetësore, si mund të vijmë më mirë në ndihmë të komunitetit, përmes rritjes së efektivitetit dhe cilësisë së shërbimit shëndetësor, duke përdorur si duhet teknologjinë e informacionit dhe komunikimit” tha ministri.

© Panorama.al

Te lidhura