Polici i vrarë, Burgaj: Gati shpallja “Dëshmor i Atdheut”

Apr 4, 2011 | 11:47
Bashkëshortja e efektivit të vrarë, Roland Likaj, me dy vajzat e mitura

Pas arrestimit të autorëve të vrasjes së Roland Likaj, dje vizituan familjarët e tij kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe drejtori i policisë së Vlorës, Ylli Metko.Bashkëshortja e efektivit të vrarë, Lina Likaj, bashkë me dy vajzat e mitura 3 dhe 5 vjeçe, si dhe familjarë të tjerë të të ndjerit, falënderuan krerët e policisë për arrestimin e tre personave, si autorë të këtij krimi të rëndë. Gjatë bisedës së zhvilluar me familjarët e të rënit, Burgaj theksoi se në historinë e Policisë së Shtetit nënkomisar Roland Likaj është memorizuar si figura e punonjësit të policisë të devotshëm që nuk kurseu as jetën në shërbim të komunitetit. Gjithashtu, Burgaj u garantoi familjarëve të Roland Likaj mbështetje të vazhdueshme. Ai theksoi se kanë filluar edhe procedurat për shpalljen dëshmor të Likajt, duke përmbushur kështu edhe kërkesën e bashkëshortes së të ndjerit, që bashkëshorti i saj të vlerësohej ashtu sikurse ishin vlerësuar edhe efektiva të tjerë të vrarë të policisë.
“Policia e Shtetit do të jetë gjithmonë në krah të familjarëve të Roland Likajt, duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për mirërritjen e dy fëmijëve të tij. Me vënien para drejtësisë të autorëve të vrasjes, kanë filluar dhe procedurat për shpalljen “Dëshmor të Atdheut” të punonjësit të policisë Roland Likaj, dhe familjarët e tij do të përfitojnë të gjitha ato privilegje që u njeh ligji familjeve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, një pjesë të të cilave tashmë i kanë përfituar”, u shpreh gjatë vizitës në familjen Likaj kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Familjarët e të rënit Roland Likaj shprehën falënderimet për përkrahjen e dhënë nga Policia e Shtetit dhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar, të cilët në mënyrë të vazhdueshme u janë gjendur pranë gjatë gjithë kësaj kohe. “Shembulli i nënkomisar Roland Likaj dhe i qindra dëshmorëve të policisë ndër vite, përbëjnë një burim frymëzimi për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, për të vazhduar më me vendosmëri punën për të garantuar siguri për komunitetin”, u shpreh Burgaj në përfundim të vizitës së tij. Roland Likaj u vra më 18 dhjetor 2010 në lagjen Cole të Vlorës, gjatë kryerjes së shërbimit. Ai evidentoi natën e vrasjes tre persona të dyshuar, të cilët po kryenin një vjedhje. Efektivi i policisë njoftoi kolegët e tij për përforcime, ndërsa i vetëm është vënë në ndjekje të autorëve. Por, këta të fundit duket se e kanë pikasur se po ndiqeshin, ndaj kanë organizuar vrasjen e tij. Njëri prej tyre, konrketisht 25- vjeçari Jetnor Nakoleci, i është afruar xhamit të mjetit të parkuar të Roland Likajt, nga ku e ka qëlluar për vdekje me armë zjarri. Në vend mbërritën efektivat e policisë së Vlorës, të cilët gjetën kolegun e tyre pa jetë, ndërsa autorët ishin larguar pa lënë asnjë gjurmë. Janë dashur disa muaj hetime, derisa policia të organizonte operacionin për arrestimin e autorëve të identifikuar. Ata janë hetuar me metoda speciale, duke faktuar edhe dyshimin për autorësinë e tyre.

Likaj u vra në ndjekje të tre hajdutëve

Roland Likaj ka punuar në komisariatin e Vlorës në detyrën e komandantit të grupeve të gatshme. Më parë ai kishte punuar edhe në kufi, ndërsa mësohet se disa herë kishte marrë shpërblime për punë të mirë. Natën e vrasjes, ai ra në krye të detyrës, në ndjekje të tre hajdutëve të cilët do të vidhnin një vilë.

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura