Pogradec, tritoli në banesë, gjykata lë në burg autorët

Apr 23, 2011 | 10:59
Dëmet e shkaktuara nga shpërthimi në familjen Syzo

Gjykata e Pogradecit ka dhënë masën e vlerësimit të sigurisë për tre të rinjtë e arrestuar për vendosjen e tritolit në banesën e kreut të shtabit të PS-së në këtë qytet.Dy prej tyre janë lënë në arrest në burg pa afat dhe një tjetër me “detyrim paraqitjeje” në Prokurori. Seanca është zhvilluar paraditen e së premtes, kur janë paraqitur njëri pas tjetrit tre të akuzuarit për vendosjen e një kallëpi tritoli na banesën e Vasfi Syzos, shefit të shtabit elektoral të kryebashkiakut Artan Shkëmbi në Pogradec. Në këtë seancë, gjykata ka vlerësuar si të drejtë arrestimin në flagrancë që kreu policia për këta tre persona, por vetëm dy prej tyre i ka nxjerrë përgjegjës kryesorë në vendosjen e tritolit që shkaktoi dëme materiale në apartamentin e familjes Syzo. Burime të kësaj gjykate, bënë të ditur se u vendos masa e arrestit në burg për 20-vjeçarin Dorian Hoxhaj dhe 28-vjeçarin Altin Jashllari, ndërsa masa e detyrimit të paraqitjes në Prokurori u la për 20-vjeçarin Enrik Xhambazi. Të tre këta persona akuzohen për shpërthim banese me eksploziv, por sipas hetimeve, dy të akuzuarit kryesorë që mbeten me arrest në burg, kanë qenë më aktivë në vendosjen e tij poshtë dritares së apartamentit të familjes Syzo. Shpërthimi me tritol ndodhi të dielën afër mesnatës, kur në banesë ndodhej vetëm e zonja e shtëpisë, e cila mban detyrën e shefes së Tatimeve në Bashkinë e Pogradecit. Atentati me eksploziv, fillimisht u interpretua si një kërcënim për dy bashkëshortët Syzo që janë punonjës të bashkisë dhe të përfshirë në fushatën elektorale të kryebashkiakut Shkëmbi. Por, policia, e cila nga ana e saj i mëshoi pistës së vendosjes së tritolit për shkak të konflikteve të mëparshme të djalit të kësaj familjeje, vetëm dy ditë më pas e zbardhi ngjarjen, duke identifikuar dhe arrestuar autorët. Policia sqaroi se ka qenë një konflikt me plagosje i ndodhur rreth një vit më parë mes djalit të familjes Syzo dhe të riut nga fshati Buçimas, Dorian Hoxhaj, që çoi në aktin hakmarrës të këtij të fundit me vendosjen e tritolit. Kjo ngjarje u shoqërua me reagime të forta, pasi u dyshua se ndodhi për shkak të përfshirjes në fushatë të të zotëve të shtëpisë. Forcat politike e dënuan aktin, duke akuzuar njëra-tjetrën për të, deri në momentin kur policia zbardhi pas 24 orësh ngjarjen, duke vënë në pranga dhe autorët e saj. Sipas policisë, ngjarja nuk kishte lidhje me detyrat e kryefamiljarëve apo me përfshirjen e tyre në fushatën elektorale, por me një konflikt të vjetër të djalit të tyre. Një vit më parë ndodhi ngjarja, kur Brijan Syzo, pohoi policia, u përfshi në një grindje me një prej tritolvënësve. Ndonëse pati një person të lënduar, Syzo nuk pati ndjekje nga drejtësia për këtë rast.

 

POGRADEC/ GEZIM ASHIMI

© Panorama.al

Te lidhura