OKB -ja kritikoi sot, 8 dhjetor 2025, indiferencën e botës përballë vuajtjeve të miliona njerëzve në planet, duke apeluar për burime shtesë për vitin 2026, duke kërkuar gjysmën e shumës që shpresonte të mblidhte këtë vit, në një kohë kur nevojat humanitare nuk kanë qenë kurrë kaq të mëdha.
“Kjo është një kohë dhune, pandëshkueshmërie dhe indiference”, theksoi shefi humanitar i OKB-së, Tom Fletcher, gjatë një konference për shtyp në Nju Jork, duke denoncuar “brutalitetin dhe intensitetin e vrasjeve”, “shpërfilljen e plotë të ligjit ndërkombëtar” dhe “nivelet e tmerrshme të dhunës seksuale”.
“Një kohë në të cilën ndjenja jonë e mbijetesës është mpirë nga shpërqendrimet dhe është minuar nga apatia, në të cilën i kushtojmë më shumë energji dhe para gjetjes së mënyrave të reja për të vrarë njëri-tjetrin, ndërkohë që shkatërrojmë burimet e fituara me mund që na mbrojnë nga instinktet tona më të këqija, në të cilën politikanët mburren me shkurtimin e ndihmës”, theksoi Fletcher.
Mes shkurtimeve drastike të ndihmës ndërkombëtare të ofruar nga SHBA-të, OKB-ja ka zvogëluar ambiciet e saj, duke kërkuar vetëm 23 miliardë dollarë për të shpëtuar të paktën 87 milionë njerëz që janë më në rrezik.
Ky plan me “prioritet të lartë”, i cili përfshin gjithashtu reforma për të përmirësuar efektivitetin e sistemit humanitar, “bazohet në zgjedhje të padurueshme për jetë a vdekje”, komentoi Tom Fletcher, duke shpresuar se marrja e këtyre “vendimeve të vështira që u inkurajuam të merrnim” do t’i bindë amerikanët të kontribuojnë më shumë.
Megjithatë, OKB thekson se rreth 240 milionë njerëz, viktima të luftërave, epidemive, tërmeteve ose efekteve të ndryshimeve klimatike, janë në nevojë urgjente në të gjithë botën dhe vëren se do të përpiqet të mbështesë 135 milionë prej tyre në vitin 2026 -në Gaza, Sudan, Haiti, Mianmar, Republikën Demokratike të Kongos ose Ukrainë – me një kosto prej 33 miliardë dollarësh, me kusht që të ketë burimet.
Në vitin 2025, OKB-ja kërkoi më shumë se 45 miliardë dollarë, por në fund mblodhi pak më shumë se 12 miliardë dollarë, “shuma më e ulët në një dekadë”.
Me këtë, ajo mbuloi pak më shumë se një të katërtën e nevojave humanitare të botës, duke arritur t’u ofrojë ndihmë vetëm 98 milionë njerëzve, 25 milionë më pak se në vitin 2024.
Sipas të dhënave të OKB-së, SHBA-të mbetën donatori më i madh në botë në vitin 2025, por kontributi i tyre ra ndjeshëm: nga 11 miliardë dollarë në vitin 2024 në vetëm 2.7 miliardë dollarë në vitin 2025.
Apeli më i madh për vitin 2026, me 4.1 miliardë dollarë, është për Gazën dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, për të ndihmuar OKB-në të ndihmojë 3 milionë njerëz. Sudani po kërkon 2.9 miliardë dollarë për të ndihmuar 20 milionë njerëz, ndërsa numri i njerëzve të zhvendosur nga lufta civile vazhdon të rritet.
Për më tepër, OKB-ja do të fillojë të trokasë në dyert e qeverive anembanë botës për 87 ditët e ardhshme, një ditë për çdo milion jetë që duhen shpëtuar.
Dhe nëse një boshllëk financimi vazhdon, Fletcher planifikon të nisë një fushatë më të gjerë që synon shoqërinë civile, bizneset dhe qytetarët, të cilët ai beson se po marrin informacione të rreme që ekzagjerojnë pjesën e taksave të tyre të alokuara për ndihmë të huaj.
“Ne po kërkojmë vetëm pak më shumë se 1% të parave që bota shpenzon për armë dhe programe mbrojtëse. Nuk po u kërkoj njerëzve të zgjedhin midis një spitali në Brooklyn ose një spitali në Kandahar. Po u kërkoj njerëzve të shpenzojnë më pak për mbrojtje dhe më shumë për ndihmë humanitare”, theksoi Fletcher.
© Panorama.al












