Tryeza e PS, pakt kombëtar për drejtësinë dhe pronat

Oct 29, 2011 | 10:58
Dje gjate tryezes se PS per drejtesine

Partia Socialiste propozon nisjen e një procesi të reformimit tërësor të sistemit të Drejtësisë për të realizuar prioritetet që kërkon Komisioni Europian. Në tryezën e organizuar dje, PS-ja bëri publike një platformë që prek të gjithë sistemin. Opozita vlerëson se heqja ose kufizimi i imunitetit duhet të bëhet përmes ngritjes së një komisioni ad-hoc, i cili, nga ana e tij, t’i propozojë Parlamentit ndryshimet kushtetuese. Sipas PS-së, komisioni parlamentar duhet të ketë parasysh si rekomandimet e Bashkimit Europian, ashtu dhe opinionin e Komisionit të Venecias. “Krijimi i menjëhershëm i një komisioni ad-hoc parlamentar që të shqyrtojë propozimet e bëra nga BE dhe KiE lidhur me heqjen/kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë (ministra, deputetë, gjyqtarë etj.), me asistencën e ekspertizës së kualifikuar ndërkombëtare e vendase, duke mbajtur parasysh edhe opinionin e Komisionit të Venecias për këtë çështje. Ky komision të paraqesë për miratim në Kuvend projektin konkret me propozimet e nevojshme për ndryshime kushtetuese e ligjore, pjesë e një reforme që synon realisht luftën ndaj korrupsionit përmes forcimit real të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së institucioneve ligjzbatuese”, thuhet në platformën e bërë publike dje nga Partia Socialiste. Në të njëjtën kohë opozita jep vlerësimin e saj edhe për kthimin dhe kompensimin e pronave. PS propozon hartimin e një strategjie, e cila të konsultohet gjerësisht me ekspertë të huaj dhe vendas. “Të nxisim e mbështesim hartimin, miratimin dhe zbatimin e një strategjie dhe plan-veprimi kombëtar për pronën, i cili të adresojë transparencën në kthimin e në kompensimin e pronës dhe domosdoshmërinë e një legjislacioni që krijon mekanizma efikasë në funksion të vendosjes dhe konsolidimit të së drejtës së pronës në të gjithë territorin e vendit. Kjo strategji të iniciohet në një proces të gjerë e gjithëpërfshirës konsultimi me ekspertë të fushës vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe me ekspertizën e pasur të gjykatave ndërkombëtare në këtë fushë”.
Gjyqësori
PS-ja propozon që forcat politike të reflektojnë për të bërë progresin e kërkuar lidhur me pavarësinë kushtetuese dhe paanshmërinë e institucioneve të sistemit gjyqësor, përfshi këtu Gjykatën Kushtetuese, Gjy-katën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Sa i përket financimit të Gjyqësorit, PS propozon: “Të mundësojmë pavarësinë financiare të Prokurorisë dhe gjykatave përmes vendosjes së një standardi detyrues në buxhetin e shtetit që do të garantojë jo vetëm funksionimin e përditshëm të tij, por edhe progresin e kërkuar nga BE lidhur me fuqizimin e kapaciteteve njerëzore e infrastrukturore”. Gjithashtu, Partia Socialiste propozon inkurajimin dhe mbështetjen e strukturave të Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore për “zhvillimin e hetimeve proaktive dhe intensive, jashtë ndikimeve politike për zbardhjen sa më shpejt të një sërë ngjarjesh të rëndësishme me ndikim të rëndësishëm në publik dhe në funksionimin e shtetit të së drejtës”.

Reforma nga Parlamenti
Opozita propozon që reforma në sistemin e Drejtësisë të kalojë nga Komisioni i Ligjeve ose nga një komision i posaçëm parlamentar bipartizan i administruar me të njëjtat parime e metodologji të vlefshme si ai për procesin e reformës zgjedhore. “Të ndërtojmë një proces të hapur e gjithëpërfshirës me kontributet aktive të të gjitha institucioneve pjesë e sistemit, të institucioneve kushtetuese e të pavarura (Konferenca Gjyqësore, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme etj.), si dhe të gjitha grupeve përkatëse të interesit në përputhje me fushat e interesit përkatës”.

Propozimet e PS
.    Hartimi dhe miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i Paktit Kombëtar për Drejtësinë si një strategji gjithëpërfshirëse për të garantuar një qasje europiane të sistemit gjyqësor, të shoqëruar nga një plan veprimi me detyrimet përkatëse për miratimin e të gjitha projektligjeve, përfshirë edhe ato me shumicë të cilësuar, që kanë të bëjnë me reformat në sistemin e Drejtësisë. Ky plan të hartohet nga një komision i posaçëm ad-hoc, përmes një procesi transparent e gjithëpërfshirës për grupet e interesit dhe shoqërinë civile.
.     Të reflektojmë për të bërë progresin e kërkuar lidhur me pavarësinë kushtetuese dhe paanshmërinë e institucioneve të sistemit gjyqësor dhe të organit të Prokurorisë, duke bërë përmirësimet e nevojshme – siç rekomandohet edhe nga raport-progresi – lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si dhe për funksionimin dhe organizimin e tyre të brendshëm.
.     Të mundësojmë pavarësinë financiare të Prokurorisë dhe gjykatave përmes vendosjes së një standardi detyrues në buxhetin e shtetit, që do të garantojë jo vetëm funksionimin e përditshëm të tij, por edhe progresin e kërkuar nga BE lidhur me fuqizimin e kapaciteteve njerëzore e infrastrukturore.
.     Inkurajimin dhe mbështetjen e strukturave të Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore për zhvillimin e hetimeve proaktive dhe intensive, jashtë ndikimeve politike për zbardhjen sa më shpejt të një sërë ngjarjesh të rëndësishme me ndikim të rëndësishëm në publik dhe në funksionimin e shtetit të së drejtës.
.     Krijimi i menjëhershëm i një komisioni ad-hoc parlamentar që të shqyrtojë propozimet e bëra nga BE dhe KiE lidhur me heqjen/kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë (ministra, deputetë, gjyqtarë etj.), me asistencën e ekspertizës së kualifikuar ndërkombëtare e vendase, duke mbajtur parasysh edhe opinionin e Komisionit të Venecias për këtë çështje. Ky komision të paraqesë për miratim në Kuvend projektin konkret me propozimet e nevojshme për ndryshime kushtetuese e ligjore, pjesë e një reforme që synon realisht luftën ndaj korrupsionit përmes forcimit real të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së institucioneve ligjzbatuese.
.    Të nxisim e mbështesim hartimin, miratimin dhe zbatimin e një strategjie dhe plan-veprimi kombëtar për pronën, i cili të adresojë transparencën në kthimin e në kompensimin e pronës dhe domosdoshmërinë e një legjislacioni që krijon mekanizma efikasë në funksion të vendosjes dhe konsolidimit të së drejtës së pronës në të gjithë territorin e vendi. Kjo strategji të iniciohet në një proces të gjerë e gjithëpërfshirës konsultimi me ekspertë të fushës vendas dhe ndërkombëtarë si dhe me ekspertizën e pasur të gjykatave ndërkombëtare në këtë fushë.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura