Arrestohet njëri prej autorëve të plagosjes së simpatizantit të Partisë Socialiste, i cili u qëllua me thikë pas një konflikti gjatë mitingut të dy ditëve më parë te qendra “Kristal” në Tiranë.Burime zyrtare nga policia thanë se i arrestuari i parë për këtë ngjarje është 21-vjeçari Arbër Ristani. Ndërkohë, policia ka dyshime se autorët e plagosjes kanë qenë dy persona. Autori i dytë nuk është ndaluar ende, ndonëse policia ka identifikuar emrin e tij. Arbër Ristani, i cili sipas policisë është një prej simpatizantëve të LSI-së, u ndalua në banesën e tij në një bllok pallatesh tek rruga “Margarita Tutulani”, përballë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, në Tiranë. Policia tha se identifikimi i tij është bërë i mundur nga pamjet filmike, të fokusuara nga kamerat e televizioneve dhe për këtë arsye grupi hetimor sekuestroi dje kasetën, ku dukeshin qartë autorët dhe i dëmtuari. Pasi është ballafaquar me pamjet, i dyshuari Arbër Ristani ka pranuar se është një prej personave që ka sulmuar 16-vjeçarin Ali Doçi. Ai megjithatë nuk ka pranuar ta ketë qëlluar me thikë adoleshentin. Nga ana tjetër, i dyshuari, gjatë deklarimeve të tij është shprehur se ai dhe simpatizantë të tjerë të LSI janë irrituar nga fjalët e kyesocialistit Rama. Madje, Ristani tregon se nuk e njeh 16-vjeçarin e plagosur dhe sulmi ndaj tij ishte i rastësishëm, pasi nuk kishin pasur asnjë konflikt tjetër më parë me të. Adoleshenti i plagosur ndodhet i shtruar në pavijonin e Kirurgjisë, në Spitalin Ushtarak, ku pas ndërhyrjes kirurgjikale, e ka kaluar rrezikun për jetën. Mesditën e djeshme ai është vizituar edhe nga kryebashkiaku Edi Rama. Grupi hetimor ka rindërtuar ngjarjen e orës 18:00 të së martës, në afërsi të qendrës “Kristal”, ku para mitingut të Partisë Socialistë u plagos me thikë në shpatull një simpatizant i këtij subjekti, 16-vjeçari Ali Doçi, banues në Selitë. Autorë të ngjarjes dyshohet të jenë disa djem të rinj, militantë të LSI, të cilët ndodheshin në një lokal pranë zyrës elektorale të këtij subjekti politik, afër të cilit ka kaluar turma me personat që do të merrnin pjesë në miting, të kryesuar nga Edi Rama. Gjatë deklarimeve në polici, i arrestuari Arbër Ristani ka treguar se si ka ndodhur ngjarja, duke hedhur poshtë ndonjë konflikt të mëparshëm me të plagosurin. Ai ka fajësuar për ngjarjen kryebashkiakun Rama, që sipas tij ka provokuar militantët e LSI, kur ka kaluar para zyrës së shtabit elektoral. “Kur të fitoj zgjedhjet, do paguani një më një paratë e Bllokut, sepse keni pushtuar të gjithë Bllokun”, këto janë fjalët e cituara nga i arrestuari, që sipas tij ua ka drejtuar Rama simpatizantëve të LSI-së.
Rama: Plumbat dhe thikat ndaj opozitës, të provokuara nga LSI
TIRANE – Kryesocialisti Edi Rama vizitoi paraditen e djeshme në Spitalin Ushtarak 16-vjeçarin, Ali Doçi, që u plagos dje me thikë para fillimit të një takimi elektoral të kreut të PS-së në Tiranë. Rama ka vizituar adoleshentin në dhomën nr.1, tek pavijoni i Kirurgjisë në katin e tretë dhe pas një bisede me të është interesuar për shëndetin e tij. Më pas, në një prononcim për mediat, Rama akuzoi LSI-në për acarimin e situatës në prag të zgjedhjeve të 8 majit. “Është e dyta herë në pak ditë që plumbat dhe thikat prekin trupat e njerëzve të shtetit apo të opozitës, pas incidentesh të provokuara nga një parti, e cila ekziston sot vetëm si rrugaçëri në pushtetin e parasë dhe funksionin vetëm përmes parasë së pushtetit. E kam fjalën për ndjesë pastë LSI-në”, u shpreh Rama. Duke marrë shkas edhe nda denoncimet e ndërsjella që ditët e fundit kanë bërë në Prokurori zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, dhe drejtori i Forcave Speciale, Shemsi Premçi, Rama shfrytëzoi momentin për t’ia faturuar këto incidente pikërisht atij që aktualisht kryen funksionin e ministrit të Brendshëm. “Është korniza më kuptimplotë e këtyre ndodhive, e shumë ndodhive të tjera, e gjërave të tjera aspak ogurmira që zhvillohen nën rrogozin e këtij regjimi kusarësh e matrapazësh që vodhën zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë, vranë dhe tani duan me çdo kusht të marrin atë që nuk i takon mbështetjen e shqiptarëve të cilët në 8 maj duhet të fusin faturën e të gjitha të këqijave që u kanë ndodhur”, përfundoi kryesocialisti Rama.
Meta: Incidentet, të fabrikuara
Kreu i Misionit të vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR-it, Jonathan Stonestreet, u takua dje me liderin e LSI-së. Me këtë rast, Ilir Meta ka sqaruar ngjarjet e ditëve të fundit, ku LSI është akuzuar për incidentet në Berat, ku një militant i PS-së është dhunuar nga dy të afërm të kandidatit të LSI-së; për plagosjen me thikë të A. Doçit në Tiranë nga militantë të LSI-së, si dhe për incidentin e Kasharit dhe parullat kundër kandidatit socialist në Pogradec. Ai ka mohuar që në këto incidente të jenë përfshirë anëtarë apo simpatizantë nga LSI-së: “Nuk ekziston asnjë incident i shkaktuar nga përfaqësues të LSI-së. Fabrikimet që vijnë nga fabrika e shpifjeve, sidomos në drejtim të LSI-së, janë tregues i obsesionit”.
Incidentet
Më shumë se gjashtë incidente të rënda kanë ndodhur në Tiranë gjatë një jave fushatë. Pas ngjarjeve të dhunshme në Kamzë, Bathore dhe në bulevardin kryesor të Tiranës për simbolet apo flamujt elektoralë, së fundi kanë ndodhur dy ngjarje të rënda me shkak fushatën elektorale. Dy vëllezër, mbështetës të PD, janë plagosur në Kashar fundjavën e kaluar, ndërsa dy ditë më parë një militant i PS u qëllua me thikë dhe mbeti i plagosur pas një konflikti që shoqëroi takimin e kreut të PS, Edi Rama, me banorët e zonës. Policia dhe familjarët kanë thënë se shkaku i kësaj ngjarjeje nuk kishte lidhje me takimin elektoral dhe me politikën, por në fakt i plagosuri ishte në mesin e qytetarëve që po shoqëronin kreun e
PS, Edi Rama.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











