TIRANE – Një konflikt i vjetër pronësie është bërë shkak për plagosjen e një personi me armë zjarri, si dhe dëmtimin e dy të tjerëve që u qëlluan me gurë në fshatin Ferraj të Tiranës. Konflikti mes fisit Allushi nga fshati Ferraj dhe fisit Zallini nga fshati Brar, sipas policisë, ka nisur prej disa vitesh për një sipërfaqe toke që e pretendojnë të dyja palët. Përleshja mes përfaqësuesve të fiseve ka ndodhur mes vëllezërish e djem xhaxhallarësh për të dy palët. Të dëmtuarit janë dy vëllezër dhe djali i xhaxhait të tyre, të fisit Zallini dhe po kështu, dy vëllezër dhe kushëriri i tyre të fisit Allushi janë shpallur në kërkim si autorë të ngjarjes. Policia e Tiranës njoftoi dje zyrtarisht se janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim për “plagosje të rëndë me dashje” dhe “plagosje të lehtë me dashje”, vëllezërit Pajtim e Erjon Allushi, 38 e 19 vjeç dhe djali i xhaxhait të tyre, Sulejman Allushi, 43 vjeç. Tashmë ndaj tyre ka nisur procedim penal për akuzat e lartpërmendura dhe forcat e Komisariatit Nr.4 të Tiranës po punojnë për arrestimin e tyre. Sipas burimeve zyrtare nga policia, mësohet se procedimi penal në ngarkim të tre personave të fisit Allushi filloi sepse të shtunën rreth orës 11:30, në fshatin Ferraj, pas një konflikti, për motive pronësie dyshohet se Sulejman Allushi ka plagosur me armë zjarri Artur Zallinin, 27 vjeç, banues në fshatin Brar, komuna Dajt. I plagosur aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale në vendngjarje u sekuestrua një gëzhojë, që dyshohet se i përket një arme tip pistoletë. Gjithashtu, prej konfliktit kanë mbetur të plagosur nga gurët e sende të tjera të forta vëllai dhe kushëriri i të plagosurit me armë zjarri, Bardhyl Zallini, 33 vjeç dhe Elvis Zallini, 29 vjeç, të cilët pasi kanë marrë mjekim janë larguar në banesë. Autorë të plagosjes së dy kushërinjve dyshohet të jenë Pajtim, Erjon dhe Sulejman Allushi.











