Peshkopi, Rama: Jo politikës së vjetër e veshëve të shurdhët

Apr 22, 2011 | 14:49

PESHKOPI- Kreu i PS-së, Edi Rama ka kërkuar votën për kandidatin socialist për Peshkopinë, Ilir Vranici. Gjatë prezantimit të kandidatit në Peshkopi, Rama ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin për gjendjen që vuajnë sot shqiptarët. Sipas tij, me  qeverisjen vendore që i kanë bërë Peshkopisë, zona ka mbetur e varfër, pa infrastrukturë, krejt e pazhvilluar dhe me banorë të ndarë në të kuq e blu.

“Ne jemi në këtë betejë për ëndrrat dhe shpresat e këtij vendi që nuk i ndajmë në socialistë dhe demokratë. Është bekim që ka dhe socialistë dhe demokratë që besojnë në parti të tjera, por ky bekim nuk mundet të vazhdojë më të jetë mallkim i ndasive, i një mllefi që përditë shkon me moton përca e sundo duke mbajtur peng të ardhmen e vendit”- tha Rama.

Ai garantoi se PS kërkon që njerëzit në qytetet dhe fshatrat të jenë një vend i bashkëjetesës demokratike dhe jo të ndarë në  flamujt partiakë.  Sipas tij, Peshkopia sot nuk është vendi i ëndrrave dhe shpresave të banorëve. “Nuk është ky vendi i ëndrrave dhe shpresave tuaja, se ky është një vend i zaptuar nga politika e vjetër e syve të verbër dhe veshëve të shurdhër dhe zemrës që rreh vetëm për interesa vetjake që rreh nga Tirana deri në Peshkopi”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura