Përvjetori i vdekjes së Presidentit Wilson

Feb 2, 2013 | 12:46

SAMI REPISHTI

Ridgefield, CT. USA. – Më 3 shkurt 1924 pushoi së rrahuni zemra fisnike e Woodrow Wilson-it,  i 28-ti President i Shteteve të Bashkueme. Më 2 shkurt 1974, në New York City përkujtuem me nji ceremoni dinjitoze 50-vjetorin e vdekjes së Presidentit idealist Wilson. Të nesërmen, në shumë faltore shqiptaro-amerikane u banë lutje fetare në kujtim të Presidentit të ndjerë. Në Washington D.C. bashkësia jonë shqiptaro-amerikane vuni nji kunorë lulesh mbi varrin e Presidentit në Washington National Cathedral. Hirësia e tij, Archbishop Francis Sayre, dekan i Kathedrales dhe nip i Presidentit Wilson, përshëndeti ceremoninë dhe gjestin tonë falënderues për shërbimin që Presidenti Wilson i bani kauzës së Pavarësisë së Shqipërisë, në nji kohë kur ajo rrezikohej me coptimin e plotë nga fqinjtë grabitqarë.
Në Kathedralen e Shën Gjergjit, Boston (ose Kathedralen e Nolit, siç e quejmë ne) kam pa pleqtë e bashkësisë sonë që luteshin para fotografisë së Presidentit Wilson me të njëjtin devocion si para ikonës së Shën Gjergjit, shenjt patron i shqiptarëve. Kështu jemi edukue ne!
Me këtë respekt pothuejse religjoz që shqiptarët e Amerikës kanë për Presidentin Wilson, me keqardhje kemi vrejtë se në festimet për 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar në Shqipëri, emni dhe vepra e Presidentit Wilson nuk u paraqit në veprimtaritë që respektuen figurat e mëdha të miqëve të vendit tonë. Kjo na tronditi, sepse për shqiptaro-amerikanët, Presidenti Wilson ka qenë shtyllë solide e ndërtesës së Pavarësisë së Shqipërisë. A ka mundësi që kjo figurë madhore ashtë “harrue” sepse ishte e lidhun ngushtësisht  me peshkop Fan S. Nolin të anashkaluem paturpsisht? Uroj të mos jetë kështu!
Natyrisht, ka shumë persona që nuk e dinë historinë e vendit tonë, ose e dinë ashtu si ashtë dhanë gjatë diktaturës komuniste, ku çdo gja amerikane, tue përfshi edhe penicilinën, ishin të ndalueme sepse ishin amerikane. Kështu ngjau edhe me Presidentin Wilson. Por “të informuemit” që i dinë ma mirë ngjarjet e së kaluemes, duhet të kishin ngritë zanin kundër nji padrejtësie të këtill. Siç duket, pushtetarët e sotëm janë, në përqindje të madhe, nga ata që u rritën gjatë viteve të regjimit të kuq, me nji fjalë, të indoktrinuam. Dhe kjo ashtë nji fatkeqsi e madhe kombëtare!
* * *
Tashti që duertrokitjet e festimeve madhështore e të meritueme të 100-vjetorit të Pavarësisë nuk ndigjohen ma në sheshet e rrugët e vendit, ashtë mirë të tregohet, për shumicën e painformueme se kush ishte Presidenti Woodrow Wilson për ne shqiptarët?
Shkurtimisht duhet të themi se dy parimet themelore të diplomacisë së Presidentit Wilson kanë qenë:
a) mbështetja në drejtësi;
b) vetëvendosja për të gjitha kombet, të mëdha e të vogla.
Këto dy parime përjashtojnë pushtimet e hueja e sundimin e çdo forme, qoftë të nji fuqie të huej mbi nji vend tjetër. Pikërisht këtë kërkonin shqiptarët: korrigjimin e padrejtësive të së kaluemes dhe njohjen e vullnetit të tyne të lirë.
Më 4 korrik 1917, Presidenti Wilson deklaronte për priftin shqiptar Fan S. Noli: “Unë do të kem vetëm nji zë në Konferencën e Paqes në Paris, dhe këtë zë do ta përdor për të drejtat e Shqipërisë”. Kjo formulë shpëtimtare karakterizoi qëndrimin e tij ndaj çështjes shqiptare.
Idealizmi i Presidentit Wilson u ba i qartë që në fillim. Më 14 shkurt 1918, ai sqaronte: “Çdo gja që prek paqen, prek njerëzimin, dhe çdo problem i zgjidhun me forcë ushtarake, në qoftë se nuk ashtë zgjidhe drejtësisht, konsiderohet krejtësisht i pazgjidhun dhe, si rrjedhim, duhet të shqyrtohet përsëri”.
Nji formulim i këtill mbronte jo vetëm Shqipërinë e 1913-s, por vinte në tryezë pushtimet ushtarake serbo-malazeze në Kosovë dhe ato greke në Çamëri. “E mbështetun në drejtësi, – përcaktonte Presidenti Wilson, – bota do të jetë nji vend i sigurt për demokraci”.
Pika XI e Programit të njohun si “14 Pikat e Wilson-it”, prekte Ballkanin. Ajo shprehimisht thotë: “…Marrëdhanjet e shteteve të ndryshme të Ballkanit me njeni-tjetrin duhet të bahen me nji këshillim të përbashkët, në përputhje me kufinjtë historikë të caktuem nga vetë dëshira e popujve dhe nga parimi i kombësisë; për ma tepër, garanci ndërkombëtare duhet të hyjnë në fuqi me qëllim që të sigurojnë pavarësinë politike dhe ekonomike, si dhe tanësinë tokësore të tyne”.
Ky parim entuziazmoi miljone popuj të shtypun në Ballkan, tue përfshi edhe shqiptarët.
Dy ishin pengesat kryesore të zgjidhjes së drejtë të problemit shqiptar:
a) Traktati i mshehtë i Londrës (1915) që coptonte Shqipërinë; dhe b) “Çështja e Adriatikut”, ose përleshja italo-jugosllave për rregullim tokësor që mospërfillte Shqipërinë si shtet.
Këto dy pengesa u eliminuen me veprimtarinë e diplomacisë amerikane dhe ndërhymjen direkte të Presidentit Wilson.
Për të parën, delegacioni amerikan kërkoi që “problemi shqiptar” të shqyrtohej nga nji komision ku do të bante pjesë edhe Amerika. Kërkesat greke u kundërshtuen, tue shkaktue vonesë në marrjen e nji vendimi deri më 14 maj 1918, datë në të cilën “çështja shqiptare” u shtye definitivisht. Në të njëjtën kohë, u ba publike deklarata e Presidentit Wilson në lidhje me Traktatin e Londrës, se ai ishte “…jo në përputhje me parimet e rregullimit paqësor, dhe se Amerika konsideronte nji zgjidhje të këtill krejtësisht të pamundun”. Me këtë deklaratë, Presidenti Wilson shkatërronte pengesën e parë të problemit shqiptar. Kështu, shpëtonte Korça dhe Gjirokastra.
Më 18 maj 1918, koloneli amerikan Sherman Miles raportonte masakrat serbo-malazeze në Kosovë dhe Mal të Zi dhe ngulte kambë të caktohen kufinjtë e Veriut të Shqipërisë sa ma parë. Ai shtonte: “…Shqipëria duhet të jetë nji shtet i pavarun, por nën mbikqyrjen e Anglisë ose Amerikës”.
Më 20 maj 1918, Presidenti Wilson u përpoq me eliminue pengesën e dytë, dhe kërkoi që çështja shqiptare “…të mos diskutohet së bashku me çështjen e Adriatikut”. Kështu shpëtoi Shqipëria nga “nji invadim i legjitimuem” dhe fitoi kohë për përpjekje të reja.
Më 6 maj 1919, Presidenti Wilson, i informuem për protestat shqiptare, denoncoi shpalljen e protektoratit italian dhe kërkoi që Shqipëria të jetë nji shtet i pavarun. Të alarmuem, Italia dhe Greqia nënshkruen, më 29 korrik 1919, nji Traktat të dytë sekret për coptimin e Shqipërisë (Tittoni-Venizelos). Mbetej Amerika si shpresë e vetme. Më 21 gusht 1919, gazeta “The New York Times” shkruente se “…e vetmja shpresë ku shqiptarët kanë drejtue sytë ashtë Amerika, dhe nga ajo presin shpëtim”.
Më 22 shtator 1919. Amerika nguli kambë që ushtria franceze të mos ia dorëzojë Korçën Greqisë, tue shpëtue këtë qytet nga pushtimi grek. Manovrimet politike të fqinjëve në mshehtësi rrezikuen fatin e Shqipërisë. Nji “kompromis franko-anglo-italian, më 9 dhjetor 1919, dhe akoma ma drastik më 20 janar 1920, rrezikojshin jetën e Shqipërisë si shtet i pavarun. Më 19 janar 1920, anglo-francezët (pa pjesëmarrjen e amerikanëve) pranuen mandatin italian mbi Shqipërinë. Tri protesta shqiptare, më 12, 15 dhe 22 janar 1920, nuk u morën parasysh. Ne momentin ma kritik për Shqipërinë, më 20 janar 1920, sekretari amerikan i Shtetit, Lansing, bani publike se Amerika proteston dhe kundërshton validitetin e nji “Marrëveshje” të këtill pa konsultimin me Amerikën.
Nji shpresë e re u ngjall në mes të shqiptarëve. Më 28 janar 1920 u mblodh Kongresi i Lushnjës, u formue Regjenca, u krijue nji qeveri qendrore, u caktue Tirana si kryeqytet dhe u vendos të luftohet me armë çdo përpjekje me shkelë tokat shqiptare.  Dhe ashtu ngjau!
Por duhej kohë, dhe kohën e siguroi Diplomacia amerikane.
Më 10 shkurt 1920, Presidenti Wilson protestoi kundër metodave franko-angleze. Më 15 shkurt 1920, ai deklaroi se “qeveria amerikane kundërshton me fuqi çdo dam në kurriz të Shqipërisë e në përfitim të Jugosllavisë”. Ai shkoi edhe ma larg tue kërcënue bashkëpunimin me europianët dhe tërheqjen nga Traktati i Paqes me Gjermaninë. Vetëm nji ditë ma vonë, Londra e Parisi u tërhoqën para presionit amerikan.
Më 6 mars 1920, Presidenti Wilson dërgoi nji notë tjetër tue kërkue: “…që çështja shqiptare të mos përfshihet në diskutimet e planifikueme në mes të Italisë dhe Jugosllavisë, dhe se Presidenti dëshironte me afirmue përsëri se nuk do të pranonte asnji plan që parashikonte dhanjen Jugosllavisë të prefekturave veriore të Shqipërisë, si shpërblim tokësor për çka Jugosllavia humbte në kufinjtë me shtetet e tjera”.
Me ndamjen nga “çështja e Adriatikut” eliminohej pengesa e dytë dhe rreziku që kërcënonte Shqipërinë. Shqipëria u forcue dhe problemi i Shqipërisë së Jugut humbi pjesërisht peshën dhe urgjencën e tij. Shqiptarët u banë zotë të vendit të tyne tue luftue me sukses forcat invaduese të Greqisë, Jugosllavisë dhe Italisë (me luftën e Vlorës). Më 2 gusht 1920 u nënshkrue Traktati i Tiranës me Italinë, që e njihte zyrtarisht vendin tonë si shtet të lirë dhe të pavarun. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranue si anëtare e Lidhjes së Kombeve. Kjo ashtë historia e vendit tonë, ku Presidenti Wilson zen vend kryesor!
* * *
Nji shtet i qëndrueshëm nuk ndërtohet mbi boshllëk, as nuk harron të kaluemen e tij qofte ajo e lavdishme, ose jo! Nji shoqëni e qytetnueme respekton figurat kryesore që e kanë krijue ose forcue. Fatkeqsisht, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, kemi përjetue shumë folklore e “politikë” mjerane, dhe pak histori!
Kjo ashtë nji gjendje e vajtueshme! Ashtu si shumë shqiptaro-amerikanë, edhe unë kam mbetë i shgënjyem dhe i ofenduem.

Sami Repishti, Ph.D.*
(* City University of New York. Bashkëthemelues dhe president i parë (1996-1999) i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan – NAAC)

© Panorama.al

Te lidhura