SHKODER – Përgjaket festa e Pashkëve, pas një aksidenti me viktima në një fshat të Shkodrës. Makina ku udhëtonin 4 të rinj, u përplas mbrëmjen e së dielës me një shtyllë elektrike, duke shkaktuar vdekjen e një prej tyre. Si shkak i humbjes së kontrollit të drejtuesit të makinës “BMW”, ndodhi përplasja me shtyllën anës rrugës. Menjëherë gjeti vdekjen 19-vjeçari Tonin Pjolli dhe u plagosën tre shokët e tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 19:30, në segmentin Golem/Stom-Golem, rreth 5 km larg qytetit të Shkodrës. Katër të rinjtë, banorë të qytetit të Shkodrës, kishin udhëtuar të dielën jashtë qytetit, për tek një i njohur i tyre dhe në mbrëmje kanë marrë rrugën e kthimit. Pak metra pa u afruar tek kthesa e Stom–Golemit, mjeti i drejtuar nga Gjok Pepaj ka humbur drejtimin. Sipas policisë, viktima ka qenë në vendin e pasagjerit dhe nga përplasja me shtyllën ka pësuar vdekjen në vend, ndërsa të plagosur mbetën Armando Gjoni, Anton Gjoni si dhe drejtuesi i mjetit, gjendja e të cilëve paraqitet e rëndë. Burime nga spitali i Shkodrës bëjnë të ditur se po bëhen të gjitha përpjekjet për të mbajtur në jetë të plagosurit e këtij aksidenti. Ndërkohë që nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër mësohet se menjëherë është ngritur një grup pune, për të hetuar mbi ngjarjen. Nga hetimet e para, ka rezultuar se humbja e kontrollit të drejtuesit të makinës shkaktoi aksidentin, duke u përplasur me forcë me shtyllën e tensionit, në anë të rrugës. Ndaj Pepajt është vendosur masa e arrestit në gjendje spitalore, me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. r.d











