
Me vendosjen në punë të këtyre mjeteve nis monitorimi me kamera e mikrofona i punonjësve të policisë. Komisariatit të Qarkullimit të kryeqytetit i shtohen edhe 30 motorë të rinj, donacion i një kompanie turke. Ndryshimet në mjetet logjistike të Policisë së Shtetit u prezantuan dje në një ceremoni të posaçme që u organizua pranë Ministrisë së Brendshme, ku ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, kryetari i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho, deputetë e përfaqësues të misioneve të huaja. Shoqëria turke “Aydiner Insaat grup” dhe “Aynier Energy” janë kompanitë që kanë dhënë kontributin kryesor për Policinë e Shtetit me 30 motorët prodhim i vitit 2014, që do të përdoren nga shërbimet e rendit dhe Policia Rrugore e Tiranës dhe të tjera kompani kanë kontribuar për pajisjen me 20 kamera të cilësisë së lartë, të vendosura në automjetet e patrullave policore dhe të Qarkullimit. Kamerat po programohen nga ekspertët, për të filmuar audio dhe video 24 orë, për të qenë pastaj në dispozicion të monitorimit, jo vetëm nga punonjësit e verifikimit të standardeve në Policinë e Shtetit, por edhe nga media e shoqëria civile.
KAMERAT MONITORUESE

PD: Qeveria e përfshirë në trafik droge
Partia Demokratike akuzoi dje qeverinë se është e përfshirë në trafikun e drogës. Duke iu referuar kapjes së 1.4 tonëve drogë në Itali, që kishte ardhur nga Shqipëria, deputeti Arben Ristani tha se kambanat e alarmit nuk i dëgjon vetëm Kryeministri Rama. “1.4 ton drogë i ka shpëtuar kontrollit të kufirit shqiptar, ka kaluar nën hundën e autoriteteve tona, në mos me bashkëpunimin e tyre, dhe u kap dje në Bari. Kjo vërteton edhe një herë shqetësimin e opozitës dhe të opinionit publik në Shqipëri se segmente të rëndësishme të shtetit dhe anëtarët e qeverisë janë përfshirë në këtë trafik, duke e kthyer edhe një herë vendin tonë në listën e zezë të drogës”.
PS: Shifrat tregojnë sukses
Deputeti socialist Pirro Lutaj iu përgjigj Partisë Demokratike dhe deputetit të saj Arben Ristani ndaj akuzave për trafik të drogës, duke i kujtuar shifrat e suksesit. “Në gjashtë muajt e fundit policia ka zhvilluar 31 operacione kundër trafikut të drogës, vetëm 24 në kohën e zotit Ristani. Në vetëm gjashtë muaj, Ministria e Brendshme raporton se janë zbuluar 646 raste të trafikut të drogës, 143 më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Sulmi ndaj Policisë se Shtetit është plotësisht i padrejtë. Në vend që Policia e Shtetit të inkurajohet për punën që po bën, për të dhënë më shumë siguri për qytetaret, opozita ka zgjedhur ta sulmojë atë politikisht”, u shpreh deputeti socialist.
ETLEVA DELIA











