Kandidatja e Partisë Socialiste në Roskovec, Zegjine Çaushi, është kallëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shfrytëzim të aseteve shtetërore në kuadër të fushatës zgjedhore për 11 majin.

Denoncimi është bërë nga organizata “Qëndresa Qytetare”, e cila publikoi fotografi që tregojnë Çaushin duke zhvilluar një aktivitet elektoral në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Rramen Dashi” në fshatin Arapaj.
Ky veprim përbën shkelje të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon përdorimin e institucioneve publike për qëllime elektorale.
Po ashtu, KQZ ka njoftuar se ka nisur procedurat administrative edhe ndaj ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, pas një tjetër kallëzimi nga e njëjta organizatë.
Hoxha dyshohet se ka shpërndarë materiale elektorale në Tiranë duke përdorur makinën zyrtare të ministrisë, një tjetër rast i mundshëm i keqpërdorimit të funksioneve publike në fushatë.
© Panorama.al











