Përcillet Besa Imami, aktorja e 90 karaktereve

Sep 23, 2014 | 7:35

Besa Imami në një nga rolet e interpretuara në teatër
Miq, kolegë e politikanë, homazhe për nder të artistes.

Roza Anagnosti: Brezi i ri nuk ia njeh rolet, shumë nuk i janë dokumentuar.

Një nga meraket e saj deri sa iku ishte pse dhjetëra vepra të realizuara në skenën e teatrit nuk shfaqeshin në ekranin e televizionit.
Kështu edhe më të rinjtë do të mund të mësonin se si bëhej teatër në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. “Kemi bërë shumë regjistrime në radio. Shumë drama janë regjistruar, por nuk shohim të transmetohen kurrë nga Radio Televizionin Shqiptar. Përse nuk e shfaqin “Lumin e vdekur”, një kryevepër e letërsisë, por që është vënë edhe bukur në skenë. Apo shumë vepra të tjera. Ç’rëndësi ka nëse i përkasin asaj kohe. Ne nuk mund të mohojmë kohën”, do të thoshte vite më parë gjatë një bisede aktorja Besa Imami, e cila u nda nga jeta ditën e diel, në moshën 86-vjeçare. Ndonëse ka realizuar rreth 90 role, kryesisht në teatër, një pjesë e tyre kanë mbetur të padokumentuara. Këtë shqetësim duket se ia dinin edhe koleget, edhe pse më të reja se ajo në moshë. “Ju jeni brez i ri dhe nuk i keni arritur, por është një brez, të cilit duhet t’i përkulesh deri në tokë, jo vetëm ne artistët, por të gjithë spektatorët… Besa Imami ka realizuar role të mrekullueshme, por fatkeqësisht jo të gjithë janë të dokumentuara, pasi televizioni filloi vonë”, thotë aktorja Roza Anagnosti. E pikërisht për këtë Besa Imami u është fiksuar spektatorëve më së shumti në role filmash, e mbi të gjitha në atë të Donika Kastriotit, në filmin “Skënderbeu”. Falë interpretimit të Imamit, Donika Kastrioti nuk kishte veçse fytyrën dhe sytë e saj dhe me ikjen nga kjo jetë, u duk sikur bashkëshortja e heroit u shua për së dyti.
Ceremonia

Kreu i Kuvendit, Meta gjatë homazheve për nder të aktores Besa Imami
Dje, nga ora 13:00-14:00, në hollin e Teatrit Kombëtar u zhvilluan homazhet për nder të aktores Besa Imami. Kolegët e saj, ata pak të brezit e të saj që kanë mbetur, por edhe të rinj, që e patën si shkollë, i dhanë lamtumirën e fundit aktores së dhjetëra roleve në teatër e kinematografi. Kishin ardhur për ta përcjellë edhe politikanë, qeveritarë, deputetë, që nga kreu i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, me bashkëshorten, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha me bashkëshorten, deputetët Gramoz Ruçi, Valentina Leskaj, Fatmir Toçi, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ministri Erion Veliaj etj. Ngushëllime iu drejtuan familjes edhe nga kreu i shtetit, Bujar Nishani, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili përmes një statusi në Facebook ndau me ndjekësit e tij dhe kujtime të hershme të rinisë së tij.

Ngushëllim nga Presidenti i Republikës
“Aktorja i hapi rrugën emancipimit të gruas”

Bujar Nishani

I nderuar Artur!
“Kam ndjerë një trishtim të thellë dje, kur mora vesh për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, aktores së madhe Besa Imami. Ky lajm më ka prekur jashtëzakonisht thellë dhe është një humbje e madhe për kulturën shqiptare në përgjithësi, teatrin në veçanti dhe gjithë shoqërinë shqiptare. Besa do mbahet mend gjithmonë, se e vuri qenien e jetës së saj në shërbim të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, duke u bërë një nga figurat më të shquara në këto dy gjini artistike. Do kujtohet prej artdashësve të shumtë për interpretimin e përsosur të personazheve historike të gruas shqiptare si ‘Donika e Skënderbeut’, por edhe roleve të shumtë me përmbajtje social-psikologjike, mitologjike, patriotike, emancipuese, etj., të cilët jepnin kurdoherë mesazhe kulturë formuese. Ajo i ka dhënë nder dhe krenari teatrit, kinematografisë me rolet e shumta që ka luajtur në skenë dhe kinematografi. Por jo vetëm kaq. Së bashku me Violeta Manushin, Drita Pelinkun, Tinka Kurtin, Margarita Xhepën dhe shumë gra të tjera shqiptare i kanë hapur rrugë me kurajë një emancipimi të vrullshëm shoqëror që përjetoi gruaja shqiptare. Besa Imami e donte shumë kombin e saj. E ardhur nga Kosova në Shqipëri me familjen e saj i fali dashurisë së atdheut, jo vetëm artin e saj, por edhe zemrën e saj. Dhe këtë dashuri e ka shprehur jo vetëm nëpërmjet roleve të shumtë në skenë, por përditshmërisht në çdo bisedë të lirë. Duke ndarë këto momente të hidhura me ju, të dashurit e saj, dhimbjen time më të thellë, jam i bindur se kujtimi dhe vepra e saj kulturore ne fushën e teatrit, kinematografisë dhe operës shqiptare do të kujtohen dhe mbeten gjallë si një pasuri e përjetshme për të gjithë kombin shqiptar.
U prehtë në paqe shpirti i saj!”

Rama: Hije e lartë e një kohe të vjetër
Ndonëse mund të kishte kohë pa e takuar, Edi Rama nuk i ka harruar ato vite, kur kalonte orë të tëra në shtëpinë e Besa Imamit si mik i djalit të saj, publicistit Artur Zheji. Në një postim në Facebook, përveç një mesazhi ngushëllues, ai ka ndarë me ndjekësit e tij një kujtim rinie, kur i shijonte ushqimet dhe i dëgjonte kritikat. “Besa Imami ishte edhe një nga hijet e larta të kohës së vjetër kur me Arturin i shijonim byrekun e i dëgjonim kritikat! I lehtë i qoftë dheu!”, ka shkruar Kryeministri Edi Rama.

Meta: Ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer
“Një ditë e trishtuar për qytetarët dhe sidomos për komunitetin e njerëzve të kulturës, artit, teatrit e kinematografisë shqiptare, pasi një ikonë e ekranit është ndarë nga jeta, duke lënë një dhembje të thellë, për të gjithë. Por ajo ka lënë pas një trashëgimi të shkëlqyer të veprave që ka interpretuar përmes punës dhe talentit të saj, të cilat do të ndihmojnë ta kujtojmë përgjithmonë”, u shpreh kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, pas homazheve për aktoren Besa Imami.  

Lulzim Basha: E pavdekshme si rolet e saj
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, së bashku me bashkëshorten kreu dje homazhe dhe vendosi një buqetë me lule pranë trupit të pajetë të artistes Besa Imami. Kryebashkiaku i shprehu ngushëllimet e tij familjes së të ndjerës, duke thënë se “ndarja nga jeta e Besa Imamit është një humbje e madhe e një aktoreje e cila do të mbetet e pavdekshme jo vetëm duke u kujtuar për rolet që interpretoi në teatër apo kinematografi, por dhe si një ndër themelueset e teatrit në vend”.

Roza Anagnosti: E shihja si idhull Besa Imamin
“Kur kam ardhur në teatër e shihja si idhull Besa Imamin”. Kështu thotë aktorja Roza Anagnosti, e cila i dha dje lamtumirën e fundit artistes. “Ajo kishte një forcë dramatike të jashtëzakonshme, dhe jo rastësisht u zgjodh që të interpretonte bashkëshorten e Skënderbeut. Ajo në teatër ka role të mrekullueshme. Ju jeni brez i ri dhe nuk i keni arritur, por është një brez të cilit duhet t’i përkulesh deri në tokë, jo vetëm ne artistët, por të gjithë spektatorët. Ajo ishte krejtësisht e veçantë. Nuk mund ta ngatërroje as me Marije Logorecin, as me Liza Vorfin, as me Drita Pelinkun… Ishte një brez që të gjithë ishin yje. Besa ka luajtur shumë role protagonistesh”, thotë Anagnosti, teksa shton se Imami ishte tërësisht unike për forcën shpirtërore dhe komunikimin me publikun, ndërsa veçon rolin e saj të fundit në teatër, atë të malësores te “Streha e të harruarve”, me regji të Mihal Luarasit. “Ajo ka luajtur, si malësoren, edhe intelektualen, ka luajtur në dramaturgjinë botërore, në kinematografi… ka realizuar role të mrekullueshme, por fatkeqësisht jo të gjithë janë të dokumentuar, pasi televizioni filloi vonë. Kur kam ardhur unë në teatër e shihja si idhull Besa Imamin, së bashku me aktoret e brezit të saj”, u shpreh Roza Anagnosti.

Margarita Xhepa: Një zë i fuqishëm femëror
Aktorja Margarita Xhepa nuk i mbyt dot lotët për humbjen e koleges së saj Besa Imami. “Ajo ka luajtur në kohën e pasioneve të mëdha, të aktorëve të mëdhenj. Ajo ishte një zë i fuqishëm i grave. Ishte një aktore e shkëlqyer që nga zbërthimi i personazheve shquhej nga thellësia e mendimit. Ishte shumë emocionale, me një zë të bukur, kumbues. Besa ka krijuar personazhe jo vetëm në teatër, por edhe në kinematografi, që do të mbeten të paharruara në memorien e spektatorit tonë. Ishte një zonjë fisnike që shquhej për qytetarinë e saj”, thotë Margarita Xhepa me zë të dridhur.

Lazër Filipi: Ajo do të mbetet Donika
Për aktorin Lazër Filipi, ajo do të mbetet gjithmonë Donika. “Aktorët luajnë shumë role, por ajo ka luajtur rolin më të madh, rolin e vajzës së të madhit Gjergj Aranitasi, Donikën e Gjergj Kastriotit, që është figura më e shquar e kombit tonë. Ajo u nda nga ne, kur patëm fatin të kishim mes tonë të madhin Papë, i cili erdhi dhe solli mesazhe shumë të rëndësishme në Shqipëri, që ne si komb jemi po ai që kemi qenë në kohën e Skënderbeut, rolin e bashkëshortes të së cilit, Besa Imami e ka interpretuar në mënyrë të shkëlqyer”, tha ai.

Petrit Malaj: Shumë dashuri në rolet e Besa Imamit
Si rektor i Universitetit të Arteve, por edhe si aktor, Petrit Malaj shihte te Besa Imami një shkollë për aktorët e rinj. “Aktorët e brezit të Besa Imamit na kanë lënë shumë, sidomos të rinjve. Ne duhet t’i njohim shumë më tepër atë çka kanë lënë pas këto figura të shquara të artit teatral shqiptar, siç ishte Besa Imami. Prej tyre kemi se ç’të marrim në drejtim të talentit, pasionit, përkushtimit, por edhe të një vetëmohimi në punën e tyre, në skalitjen e personazheve. Ka shumë dashuri në punën e Besa Imamit. Sado i vogël të ishte roli, ajo do të krijonte një figurë të spikatur dhe të dashur për të gjithë”, u shpreh Petrit Malaj.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura