Pensionet, si llogariten vitet për ish-të përndjekurit

Apr 4, 2011 | 13:56

Llogaritja e pensioneve të pleqërisë për ish-të përndjekurit politikë janë ndër pyetjet më të shpeshta në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.Gazeta boton sot dy shembujt e ISSH-së për llogaritjen e përfitimeve të ish-të dënuarve politikë. Sa pjesë e dënimit njihet si vjetërsi pune dhe deri në çfarë moshe. Koha që duhet për lëvrimin e pensionit dhe ligjet ku do të bazohet vendimi.
Shembulli 1
Qytetari M.SH i është drejtuar me kërkesë Sigurimeve Shoqërore për të përfituar pension pleqërie. Në dokumentet e paraqitura, është edhe dokumenti i vuajtjes së dënimit me internim për motive politike. Mbi bazën e këtij dokumenti kërkon të përfitojë pension mesatar si i përndjekur politik. Periudha e vuajtjes së dënimit të tij është nga 7 – 14 vjeç.
Në nenin nr. 5, të Ligjit nr. 7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe ish-të përndjekurve politikë” është përcaktuar se njihet e vlefshme, për efekt vjetërsie në punë ose shërbimi, koha e vuajtjes së dënimit me heqje të lirisë dhe me internim, si dënim penal plotësues.
Në pikën nr. 2, të Udhëzimit nr. 2, datë 4.1.1992 “Për zbatimin e Ligjit nr. 7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe ish-të përndjekurve politikë” është parashikuar që personave të dënuar me heqje të lirisë, me internim ose dëbim për motive politike, u jepet pension mesatar kur nuk kanë mundësi ose nuk kanë interes të zgjedhin pagën mesatare.
Në pikën 5, të  Udhëzimit nr. 2, datë 4.1.1992, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e Ligjit nr. 7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe ish-të përndjekurve politike””, është përcaktuar që për të përfituar të drejtat që parashikon Ligji “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe ish-të përndjekurve politikë” në fushën e sigurimeve shoqërore, të interesuarit e pafajshëm duhet të paraqesin në organet e Sigurimeve Shoqërore të rrethit dokumentet përkatëse, ndër të cilat edhe vërtetimin për kohën e vuajtjes së dënimit me heqje të lirisë, për kohën e vuajtjes së dënimit me internim si dënim penal plotësues, për kohën e vuajtjes së dënimit si i internuar për shkaqe politike, si dhe për rastet e pushkatimit pa gjyq etj. Ky vërtetim lëshohet nga Ministria e Rendit Publik, e cila bashkëpunon për këtë me Ministrinë e Drejtësisë. Më tej, në pikën 10 të Udhëzimit të sipërcituar, është përcaktuar që koha e internimit dhe dëbimit për motive politike nuk njihet si vjetërsi pune, para moshës 15 vjeç. Sa më sipër, periudha e vuajtjes së dënimit para moshës 15 vjeç nuk merret për bazë në llogaritjen e periudhës së sigurimit dhe për rrjedhojë edhe pensioni nuk mund të llogaritet në nivelin mesatar të pensionit për periudhën përkatëse.
Shembulli 2
Qytetari A. R. është i ditëlindjes 20.12.1950. Ai ka një periudhë të përgjithshme sigurimi prej 36 vitesh e 1 muaj. Në datën 15.08.2010, ky qytetar ka paraqitur kërkesën të shoqëruar me të gjithë dokumentacionin përkatës për të përfituar pension të plotë pleqërie, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, pensioni i është caktuar duke filluar nga data 15.08.2010, ndërkohë që ai kërkon që të fillojë pagesa e pensionit nga data kur i ka lindur e drejta për pension.
Sipas datëlindjes të qytetarit, mbështetur në nenin nr. 92, të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, e drejta për të përfituar pension të plotë pleqërie i ka lindur më datën 20.06.2009.
Në nenin 62, të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, është përcaktuar që  e drejta  e pensionit nuk parashkruhet. Pra, pagesa e pensionit, nqs kërkesa bëhet jo më vonë se 1 vit nga data që lind kjo e drejtë, paguhet që nga data e mbushjes së kushteve për pension. Në raste të tjera, pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për përfitim. Për sa më sipër, meqenëse qytetari e ka paraqitur kërkesën pasi ka kaluar një vit nga lindja e së drejtës, pagesa e pensionit ka filluar nga data e paraqitjes së kërkesës për përfitim.

15 vjeç
Është mosha nën të cilën vitet e internimit nuk njihen si vite pune. Në udhëzim parashikohet që “koha e internimit dhe dëbimit për motive politike, nuk njihen si vjetërsi pune, para moshës 15 vjeç.” Të gjithë të internuarit
deri në këtë moshë nuk do të përfitojnë vjetërsinë e duhur për pension\

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura