Pejiç ka uri për gol: Rikthehem ndaj Vllaznisë

Apr 18, 2011 | 13:14

Pero Pejiç ka 115 ditë pa e gjetur rrugën e rrjetës ose thënë ndryshe: 12 javë. Golin e fundit kroati e ka shënuar në javën e 16-të, në transfertën kundër Laçit (1-1), në ndeshjen e fundit të vitit 2010.Mirëpo vlen të përmendet se në kupë sulmuesi është zhbllokuar, pasi ndaj Bylisit realizoi njërin nga golat (5-1). Vetëm se, që pas atij momenti, u rifut në kllapi. Në tri ndeshjet e fundit ai ka munguar për shkak të një dëmtimi që pësoi në kavilje, por lajmi i mirë është se do të rikthehet në fushë ndaj Vllaznisë. I uritur për gol, Pejiç premton se do ta rigjejë rrugën e rrjetës, pse jo, duke i dhënë edhe fitoren skuadrës në këtë transfertë aspak të lehtë. Gjatë një interviste për “Panorama”, sulmuesi flet për dëmtimin, golat dhe të ardhmen.
Tri ndeshjet e fundit që e keni parë si spektator Tiranën, ajo ka marrë 6 pikë dhe ka shënuar 10 gola. Si e komentoni këtë kthesë të skuadrës?
Tirana është rikthyer, madje bindshëm. Dy fitore radhazi ndaj Laçit dhe Elbasanit i kanë rikthyer moralin ekipit pas një ngërçi që na kaploi. Nga njëra anë më vjen keq që nuk kam qenë pjesë e grupit për të festuar, por nga ana tjetër pak rëndësi ka se kush luan, sepse ajo që ka vlerë në këto momente janë pikët. Ekipi e ka mbuluar mjaft mirë këtë sektor, prandaj ndihem i kënaqur, padyshim.
Rikthehet Pejiç këtë javë?
Po, do të rikthehet. Madje, dua të sqaroj se isha i gatshëm që ndaj Elbasanit, pasi e kam kaluar plotësisht problemin që pata në kavilje. Por trajneri mendoi të mos më aktivizonte, për arsye se donte të më ruante për ndeshjen e radhës me Vllazninë. Kjo sfidë është mjaft e rëndësishme për ne, pasi luftohet për vendin e tretë.
Keni 12 javë që nuk shënoni, ju mungon goli?
Sigurisht që po, ndaj dhe kur kam luajtur e kam kërkuar me ngulm. Por kur nuk vjen, nuk vjen. Do të isha shumë i lumtur në rast se do të zhbllokohesha në Shkodër, pse jo duke i dhënë edhe pikët e plota skuadrës. Megjithatë, më pëlqen fakti që të gjithë janë zhbllokuar, pasi të paktën në sfidën e fundit me Elbasanin kanë shënuar 5 lojtarë të ndryshëm.
Si e parashikon Pero këtë përballje?
Spektakolare. Për një gjë jam i sigurt, që do të zhvillohet një luftë e pastër sportive, sepse secila skuadër synon të marrë pikë. Ne kemi si objektiv që të mos dalim duarbosh nga Shkodra, ndonëse fitorja do të ishte një mrekulli. Në rast se triumfojmë, i afrohemi vendit të tretë dhe mund të kemi më shumë shpresa për të kapur Kupat e Europës. Ndërkaq, kemi edhe finalen e kupës përpara, po ku ka më mirë se të kemi krahët e ngrohta edhe në kampionat. Unë besoj se mund t’ia dalim, të paktën duke parë lojën e skuadrës, e cila në ndeshjet e fundit ka qenë mbresëlënëse.
Në qershor ju përfundon kontrata me Tiranën, keni në plan të qëndroni apo mendoni largimin?
Te Tirana ndihem padyshim mirë, sepse është një ekip elitar, por është herët për të folur për të ardhmen, pasi kurrë nuk i dihet. Janë edhe pesë javë për t’u luajtur në kampionat, plus edhe finalja e Kupës. Prandaj, të kalojmë njëherë këto, më pas mund të vendos për të ardhmen time.

© Panorama.al

Te lidhura