Asambleja e Përgjithshme e 125 shteteve anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) votoi sot për shkarkimin e kryeprokurorit Karim Khan, pas akuzave për sulm seksual të ngritura nga një anëtare e ekipit të tij. Vetë Khan i ka mohuar kategorikisht akuzat.
Sipas burimeve diplomatike, 82 nga 125 shtetet anëtare votuan pro largimit të juristit britanik 56-vjeçar nga detyra.
Khan dhe avokatët e tij kanë deklaruar se procesi që çoi në këtë votim ishte i paligjshëm, proceduralisht i padrejtë dhe i pabazuar në prova.
Shkarkimi i tij vjen pak pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të nisin një fushatë të re diplomatike për shpërbërjen e GJPN-së, duke argumentuar se institucioni përbën një kërcënim për sovranitetin amerikan.
Muajin e kaluar, diplomatët që drejtojnë organin mbikëqyrës të Gjykatës arritën në përfundimin se Karim Khan kishte pasur një “marrëdhënie të papërshtatshme” me një juriste më të re të GJPN-së dhe rekomanduan largimin e tij. Shtetet anëtare e mbështetën në masë të madhe këtë rekomandim gjatë votimit të zhvilluar në selinë e Kombeve të Bashkuara.
SHBA, e cila nuk është anëtare e GJPN-së, ka vendosur sanksione ndaj 11 gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës, përfshirë edhe Karim Khan, duke kundërshtuar urdhër-arrestet ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, si edhe hetimet e mëparshme për veprimet e ushtarëve amerikanë në Afganistan.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një vizite të fundit në Filipine, deklaroi se në GJPN ka “njerëz të çmendur” dhe theksoi se asnjë politikan apo ushtarak amerikan nuk do të gjykohet ndonjëherë nga kjo gjykatë.
Gruaja që akuzon Khan foli publikisht për herë të parë javën e kaluar në një intervistë për CNN, duke përsëritur pretendimin se kishte pasur marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj me kryeprokurorin.
Me largimin e Karim Khan nis menjëherë procedura për zgjedhjen e një kryeprokurori të ri, megjithëse procesi nuk pritet të përfundojë përpara vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, urdhër-arrestet e lëshuara nga Khan mbeten në fuqi, pasi vetëm gjyqtarët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare kanë kompetencën për t’i tërhequr ato.
© Panorama.al












