Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë goditur të premten një anije cisternë nafte, e cila dyshohet se tentoi të thyejë bllokadën detare të vendosur nga SHBA ndaj Iranit, sipas Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM).
Sipas zëdhënësit të CENTCOM, Tim Hawkins, anija cisternë M/T Lavine u neutralizua në Gjirin e Omanit, pasi tentoi të shkelte bllokadën detare të paktën katër herë. Deklarata është bërë për agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press.
“Ekuipazhi u paralajmërua në mënyrë të përsëritur, por nuk iu bind urdhrave. Si pasojë, forcat amerikane neutralizuan anijen duke goditur dhomën e motorëve”, deklaroi Hawkins.
Megjithatë, zëdhënësi i CENTCOM nuk konfirmoi raportimet e mediave iraniane, të cilat një ditë më parë pretenduan se si pasojë e sulmit kishin humbur jetën dy persona.
© Panorama.al












