Paro Laçi, kartëmonedha një mln dollarëshe me qira

Apr 11, 2011 | 10:33

TIRANE – Zbardhen përgjimet e Prokurorisë franceze në lidhje me veprimtarinë e aksionerit të skuadrës së “Partizanit”, Paro Laçi lidhur me falsifikimin e kartëmonedhave 1 milion dollarëshe. Sipas Prokurorisë, nga përgjimet e bëra në telefonin celular të një shtetasi me iniciale S.Sh, doli se gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator 2007, Paro Laçi i kishte dhënë udhëzime bashkëbiseduesit për t’i çuar kartëmonedhat disa personave në Zvicër, më qëllim që këto kartëmonedha të shkëmbeheshin. Nga hetimet ka dalë se gjatë muajit maj 2007, shtetasi shqiptar me iniciale S.D, kishte shkuar në Zvicër për të çuar dy seri kartëmonedhash një milion dollarëshe. Në gusht 2007, Paro Laçi kishte dërguar një shqiptar me emrin Bashkim, për të marrë këto dy seri kartëmonedhash. Prokuroria në dokumentet hetimore të saj përshkruan se në vijim të bisedës telefonike të datës 14 shtator 2007 midis S.SH dhe Paro Laçit, S.SH përcaktonte që Paro Laçi duhet të dërgonte 5 seri të 100 kartëmonedhave një milion dollarëshe në Zvicër për z.Treguet, i cili duhet të negocionte dhe t’i jepte 5 milionë euro Paro Laçit. Prokuroria pohon se sipas deklarimeve të shtetasve S.Sh dhe S.D, se Paro Laçi ia jepte për një muaj me “qira” këto seri kartëmonedhash, në këmbim të pagesës 15.000 euro personit që duhet t’ia derdhte këtë shumë, dhe të negocionte për kartëmonedhat. Hetimet për këtë çështje kishin filluar në Francë pas zbulimit në kompjuterin e një juristi, me mbiemrin GOULLETQUER, të dokumenteve që flisnin për një negociatë qarkullimi kartëmonedhash një milion dollarëshe. Prokuroria franceze kreu ekspertizë mbi kartëmonedhat dhe rezultoi se ato ishin false. Hetimet gjetën më pas se në zyrën e avokatit me mbiemrin SOUSTRAS ishin kryer takime dhe negociata për disa seri të kartëmonedhave të prerjeve 1 milion dollarëshe. Sipas hetimeve, disa ndërmjetësues kanë ndërhyrë dhe është konstatuar se dy nga mbajtësit e kartëmonedhave ishin qytetarë që i përkitnin komunitetit shqiptaro-belg. Ata janë N.I, i cili është arrestuar kur po shkonte të merrte kartëmonedhat që i kishte lënë tek avokati SOUSTRAS. I implikuar ka dalë edhe një shqiptar tjetër me mbiemrin Sulaj, avokat, i cili ishte bashkëpronar i kartëmonedhave.

Dy të arrestuar implikuan biznesmenin

Emri i biznesmenit Paro Laçi ka dalë në dosjen e falsifikimit të kartëmonedhave 1 milion dollarësh, pas arrestimit të një shtetasi shqiptar në Francë dhe një tjetri në Belgjikë. Të dy këta shqiptarë kishin një ndërmjetës tjetër të përbashkët në kuadrin e negociatave për këto kartëmonedha, i cili quhej M.Q, shqiptar, mik belg i avokatit Sulaj. Shtetasi shqiptar N.Islamaj, sipas të dhënave në dosje, pas arrestimit ka thënë se pronari i vërtetë i kartëmonedhave ishte Paro Laçi, shtetas shqiptar me banim në Tiranë, Shqipëri. “Islamaj pranoi që kartëmonedhat ia kishte dhënë Z.Paro Laçi, të cilin e kishte takuar në Belgjikë, kur ky i fundit banonte atje së bashku me familjen”, thuhet në dosje. Sipas saj, hetimet kanë gjetur se në vitin 2006, shtetasi S.D, banues në Francë, ishte ngarkuar me detyrë nga kushëriri i tij, Paro Laçi ta përfaqësonte në mbledhjet që zhvilloheshin në Paris, lidhur me negociatat për kartëmonedhat 1 milion dollarëshe”, thuhet në dosje.

© Panorama.al

Te lidhura