
Vidhte taksat në emër të Bashkisë së Korçës, duke shfrytëzuar detyrën si inspektor taksash pranë këtij institucioni, arrestohet. Policia e Korçës bëri të ditur se finalizoi dje operacionin e koduar “Taksambledhësi”, nga ku bëri të mundur ndalimin e shtetasit Ernest Shishmani. Mësohet se 35-vjeçari, banues në Lagjen nr.17, ishte me detyrë inspektor i mbledhjes së taksave të parkimit në Bashkinë e Korçës. “Ndalimi i këtij shtetasi u bë nga sektori kundër krimit financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë, në bashkëpunim me njësinë e përbashkët Task-Force në Prokurorinë e rrethit, pas një pune të përbashkët 3-mujore, duke përdorur metodat speciale të hetimit dhe duke dokumentuar aktivitetin kriminal të vjedhjes së taksave në Bashkinë e qytetit”, bëri të ditur Policia. Sipas burimeve të Policisë, 35-vjeçari, në kundërshtim me ligjin e duke abuzuar me detyrën, mblidhte taksa prej të cilave nuk priste biletat e parashikuara në ligj. Ai vidhte një sasi të konsiderueshme të këtyre taksave, duke përfituar sasi të mëdha lekësh nga mosarkëtimi i parave në arkën e Bashkisë. “Në momentin e kapjes, këtij shtetasi iu bllokuan në cilësinë e provës materiale një sasi biletash parkimi, mandate arkëtimi, si dhe 7500 lekë të rinj. Ai u prangos për veprat penale të ‘shpërdorimit të detyrës’ dhe ‘vjedhjes duke shpërdoruar detyrën'”, bëri të ditur Policia. Mësohet se 35-vjeçari ishte punonjës i Bashkisë së Korçës prej 3.5 vitesh. Ndërsa në dy vitet e fundit ai kryente detyrën e inspektorit taksambledhës të parkimit, kryesisht për furgonat të cilët, pasi hynin në qytetin e Korçës nga rrethet e tjera, duhej të paguanin për vendqëndrimin e tyre. Sipas të dhënave, vlera e çdo bilete që duhet të priste Shishmani, kushtonte 50 lekë të rinj, e cila më pas duhej të depozitohej pranë Drejtorisë së të Ardhurave në Bashki. Burime nga Policia bënë të ditur se sinjalizimi për këtë shpërdorim të detyrës nga ana e inspektorit kishte ardhur pikërisht nga Drejtoria e të Ardhurave në institucionin ku ai punonte. Kjo për shkak se të ardhurat e siguruara nga biletat ishin mjaft të pakta dhe nuk korrespondonin me numrin real të mjeteve që qarkullonin në linjën jashtë rrethit të Korçës.
3 VJET e gjysmë më parë kishte nisur detyrën në Bashki inspektori Shishmani. Burime të Bashkisë bëjnë të ditur se dy vitet e fundit ai ishte caktuar në zyrën e taksave
Inspektori, në hetim prej tri muajsh
Drejtoria e të Ardhurave në Bashki kishte dyshuar prej kohësh në abuzimin e detyrës dhe shkeljen e ligjit nga ana e inspektorit të taksave. Për këtë qëllim, ata kishin sinjalizuar policinë, e cila nëpërmjet sektorit të krimit ekonomik kishte nisur hetimin me metoda speciale, derisa pas tre muajsh arriti të dokumentojë veprimtarinë e jashtëligjshme të 35-vjeçarit.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











