Parashkrimi i vrasjeve

Jan 24, 2026 | 7:32

FLORJAN KALAJA

NGA FLORJAN KALAJA

Në shkrimin e 17 të ru brikës “Dilema mbi Kodin e ri Penal” kam zgjedhur të trajtoj një ndër çështjet, e cila në dukje ngjan detaj i parëndësishëm në raport me morinë kaotike të normimit prej 952 nenesh të projektit, por që në thelb tregon një mungesë të tepruar serioziteti të grupit të punës së këtij drafti dhe të ideatorëve të tij. Çështja që do të trajtohet në këtë shkrim është suprimimi normativ i paparashkrueshmërisë së ushtrimit të ndjekjes penale për veprat penale të vrasjeve me dashje. Sjell në vëmendje se nga viti 1995 e deri në vitin 2017 në Kodin Penal nuk ka pasur asnjë vepër penale për të cilën nuk parashkruhej ndjekja penale në Shqipëri. Kjo do të thotë se shteti vetëkufizohej me ligj për të ushtruar ndjekjen penale në kohë për çdo vepër penale, pikërisht nga afatet ligjore të përcaktuara në nenin 66 të Kodit Penal. Thënë thjeshtë, parashkrimi i ushtrimit të ndjekjes penale, sipas ligjit penal shqiptar, është humbja e detyrimit shtetëror për të ushtruar ndjekjen penale me kalimin e një afati të parashikuar në ligj, i cili nis si rregull nga momenti kur kryhet vepra penale dhe përfundon deri në momentin kur prokuroria dështon për të njoftuar akuzën nga autorit të dyshuar si i tillë. Për herë të parë në vitin 2017 u parashikua një përjashtim eksplicit në nenin 66 të Kodit Penal nga fusha e zbatimit të këtij instituti të së drejtës penale. Ligjvënësi shtoi një paragraf të dytë në këtë dispozitë me parashikimin se: “Veprat penale të kreut II, seksionit I, nenet 76 – 79/c, nuk i nënshtrohen parashkrimit”.

Thënë ndryshe rezulton se këto vepra penale janë vrasjet me dashje të drejtpërdrejtë, konkretisht: (i) vrasja e zakonshme me dashje; (ii) vrasja me dashje që lidhet me një krim tjetër; (iii) vrasja me paramendim; (iv) vrasja për gjakmarrje; (v) vrasja në rrethana të tjera cilësuese; (vi) vrasja e funksionarëve publikë; (vii) vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare. Atëbotë një ndryshim i tillë ligjor rezulton se është justifikuar dhe arsyetuar nga vetëm një fjali e parashtruar në dokumentin prej 336 faqesh të analizës së reformës në sistemin e drejtësisë, konkretisht në faqen 155, fjali e cila formulohet si vijon: “Nuk janë riparë afatet e parashkrimit për kategori të caktuara veprash penale”. Nuk kam arritur të gjej nga kërkimet e realizuara relacionin e Ligjit nr. 36/2017, konkretisht ai që shtoi paragrafin e dytë të nenit 66 të Kodit Penal, shpjegime se pse u prezantua rishtazi një parashikim i tillë ligjor. Nga kërkimet në burimet e hapura nuk rezulton një akt i tillë shpjegues. Megjithatë logjikshëm mendoj se, duke qenë se Ligji nr. 36/2017 ishte një nga pjesët e ndryshuara të ligjeve të sistemit të drejtësisë, në erën e reformës së madhe, sigurisht që një ndryshim i tillë e ka gjenezën tek kjo fjali dhe gjetje e të quajturve “Ekspertët e Nivelit të Lartë”, të cilët analizuan dhe evidentuan problematikat kushtetuese dhe ligjore ku duhet të shtrihej reforma.

Më tej logjikshëm vlerësoj se një mbrojtje e tillë e shtuar dhe e diferencuar e së drejtës së jetës së individit është justifikuar nga zotimi kushtetues i shtetit në nenin 21 të Kushtetutës, konkretisht ku parashikohet se e drejta e jetës mbrohet me ligj, dhe më tej edhe nga neni 2 i KEDNJ, ku sanksionohet e drejta themelore e individit për jetën. Kështu, megjithëse i paartikuluar, vlerësoj se Kuvendi ka kërkuar të forcojë dhe ashpërsojë luftën kundër kriminalitetit më të rrezikshëm në vend, atij kundër jetës së individit, i cili prek premisën faktike dhe juridike për të gëzuar të gjitha të drejtat e tjera të individit. Por 8 vjet më vonë, konkretisht në fundkorrikun e vitit 2025, nën një mbledhje shkëlqyese dhe me krerë të lartë institucionesh drejtësie, Ministria e Drejtësisë publikon projektin e Kodit të ri Penal, prej 952 nenesh, të hartuar nga një grup pune, që u vetëdeklarua publikisht se e ka nisur punën që prej vitit 2019.

Në nenin 185 të këtij projekti rezulton se është suprimuar rregulli i hartuar nga një grup pune dhe i miratuar nga Kuvendi në vitin 2017, konkretisht paragrafi i dytë i nenit 66 të Kodit Penal në fuqi. Kjo do të thotë se dy vjet pas hartimit nga një grup pune i këtij rregulli, që erdhi për herë të parë në Kodin Penal nga viti 1995, një tjetër grup pune vlerësoi të përshtatshme e përgatitjes së një draft-projekt tjetër, ku ta suprimonte këtë rregull rishtar të prezantuar dy vite më parë. Nga ana tjetër 8 vjet pasi ky rregull ka hyrë në fuqi, pa u kujdesur dhe pa vramendje për ta testuar efektin juridik afatgjatë që kjo politikë penale do të duhet të sillte në mbrojtjen e së drejtës së jetës në Shqipëri, Ministria e Drejtësisë pranon të publikojë dhe zyrtarizojë një draft ku propozohet të suprimohet rregulli i patestuar. Kështu për veprat penale të vrasjes me dashje të drejtpërdrejtë, sipas nenit 185 të projektit të Kodit të ri Penal, ushtrimi i ndjekjes penale do të parashkruhet brenda një afati prej 40 vjetësh, nëse vepra penale dënohet edhe me burgim të përjetshëm, dhe brenda një afat prej 25 vjetësh (shih shkronjën “a” të pikës 1 të kësaj dispozite), nëse vepra penale dënohet me mbi 10 vjet burgim apo dënim tjetër më të rëndë (shih shkronjën “b” të pikës 1 të kësaj dispozite).

Sikurse konstatohet konkretisht dhe sikurse është konstatuar në vijimësi, grupi i punës edhe në hartimin e kësaj norme nuk kujdeset të eliminojë kontradiksionin. Togfjalëshi “apo dënim tjetër më të rëndë”, në shkronjën “b” të pikës 1 të nenit 185 të projektit konkurron dhe zhbën zbatimin e afatit 40-vjeçar të parashkrimit të ndjekjes penale sipas shkronjës “a” të saj. Nuk e di se çfarë dënimi tjetër, veç dënimit me burgim të përjetshëm, ka më të rëndë se sa dënimi me burgim mbi 10 deri në 45 vjet. Por kjo gjë është shqetësim luksi. Pasi e rilexova disa herë dispozitën dhe nuk e gjeta rregullin e paragrafit të dytë të nenit 66 të Kodit Penal në fuqi, duke mos e rrokur dot logjikën respektive të grupit të punës, të formësuar në hapësirën kohore nga 2019 deri në fundkorrikun e vitit 2025, iu drejtova relacionit të projektit për iluminim. Asgjë. Thjeshtë një tregim thatësisht i kursyer, që tregonte se projekti i Kodit të ri Penal ka edhe rregullime mbi institutin e parashkrimit të ndjekjes penale. Pikërisht në këtë moment vlerësova se kjo çështje, kaq periferike në kuturunë e 952 normave të këtij projekti, duhet të jetë objekt i një shkrimi të posaçëm të rubrikës “Dilema mbi Kodin e ri Penal”.

Gjithnjë, që nga koha kur studioja Kushtetutën, si student në universitet (2004 – 2008), më ka bërë përshtypje dhe kam mbetur ngahera i dëshiruar mbi përmbajtjen e nenit 21 të saj, konkretisht sanksionimi i së drejtës themelore të jetës së individit, pasi kursimi i formulimit të tij, prej atyre e kanë hartuar, është unik. Nuk ka normë më fjalëkursyer dhe më të shkurtër se sa dispozita e vetme që mbron të drejtën themelore të jetës në Kushtetutën e Shqipërisë. Mjafton të sjellësh në vëmendje për shembull se e drejta e pronës sanksionohet me dy dispozita, konkretisht neni 11 dhe 41 i Kushtetutës, që në total ato kompozohen në 8 paragrafë, dhe se në këtë të drejtë themelore, sikurse edhe në të drejta të tjera themelore ka edhe rezerva kushtetuese krahas rezervave ligjore, ndërkohë që krye-edrejta, e drejta themelore e jetës, ka vetëm katër fjalë dhe se gjithçka në të, përveç imperativit të mbrojtjes, i është besuar ligjit, duke e bërë të drejtën e jetës sakaq ekskluzivitet të rregullimit me ligj. Si nëpër përsiatjet kadareane, m’u duk sikur ky fatalitet dhe ky gabim fillestar, i lejuar në vitin 1998, ishte i destinuar të na shoqëronte në vijim dhe të ngrinte krye herë pas here në mënyrën se si bëhen ligjet në Shqipëri, edhe pse lënda e tyre synon të mbrojë të drejtën themelore të jetës së individit.

Me të njëjtën shkujdesje të hartimit të paragrafit të dytë të nenit 66 të Kodit Penal, nga një grup pune i atëbotshëm, dhe në kushtet e një shurdhërie dhe verbërie analize dhe debati juridik dhe politik, një grup pune i këtbotshëm vendos ta suprimojë këtë rregull, dy vjet më vonë pas hyrjes në fuqi të tij, pa zhurmë, pa debat, pa analizë, pa treguar se pse dhe në një shurdhëri dhe verbëri juridike dhe politike të njëllojtë, sikurse ky rregull u prezantua rishtar në ligjin penal material në Shqipëri. Vlerësoj se, qoftë ndryshimi i vitit 2017 dhe qoftë ndryshimet e propozuara të institutit të parashkrimit të ndjekjes penale në fundkorrikun e vitit 2025, tregojnë një mënyrë tradicionalisht të pamatur të zhvillimit të ligjit penal në Shqipëri. Sikurse Gjykata Kushtetuese ka sjellë në vëmendje në Vendimin nr. 9/2016, kur shfuqizoi ndërhyrjet ligjore në nenin 55 dhe 278 të Kodit Penal të vitit 2013 (pjesë nga dispozita e bashkimit të dënimeve dhe e armëmbajtjes pa leje), ligjvënësit shqiptar, të paraprirë kurdoherë nga grupet e punës, kanë hartuar dhe miratuar dispozita penale episodike dhe jo sistemike.

Këto ndryshime, sipas dinamikës së nevojave imediate populiste dhe alarmante të çdo qeverie dhe legjislature, tashmë ndër dekada, nuk kanë synuar ndërtimin e një filozofie juridike autentike dhe koherente të ligjit penal material dhe ndërtimit të një politike penale të qëndrueshme, të përshtatur sipas zhvillimit të shoqërisë. Përkundrazi zgjidhjet penale, edhe të një rëndësie kaq të madhe sikurse janë rregullat mbi parashkrimin e ndjekjes penale, janë krijuar aty për aty, në mënyrë të papeshuar dhe jovizionare. Jo vetëm kaq, por se rishikimet e herëpashershme të ligjit penal material kanë krijuar pasiguri juridike, paqartësi në praktikën gjyqësore dhe sistematikisht problematika kushtetuese dhe konventore. Në këtë drejtim vlerësoj se Shqipëria ka pasur nevojë realisht për të rikonfiguruar ligjin penal material në mënyrë sistematike, sikurse me të drejtë është vlerësuar nga Ministria e Drejtësisë të mandatojë ngritjen e një grupi pune për një nismë të tillë strategjike normative.

Jo vetëm kaq, por eksperienca e 15 viteve të punës si gjyqtar më kanë bindur vazhdimisht se të njëjtat nevoja ka edhe Kodi Civil. Këto ndryshime sistematike dhe strategjike të së drejtës penale dhe civile materiale do të kërkojnë për rrjedhojë edhe përshtatje dhe rishikim të Kodit të Procedurës Civile dhe Kodit të Procedurës Penale dhe ligjeve të tjera me të cilat ato lidhen strukturalisht, integralisht dhe funksionalisht. Por është zhgënjyese dhe e trishtë që edhe ky grup pune, aktiviteti hulumtues, sistemues dhe krijues i së cilit vetëshpallet se është shtrirë dhe realizuar nga viti 2019 deri në vitin 2025, arrin të formësojë dhe të prezantojë një projekt me 952 nene, tek të cilat ndërhyrjet janë njëlloj episodike sikurse kanë qenë tradicionalisht. Instituti i parashkrimit të ndjekjes penale, parashkrimit të ekzekutimit të vendimit penal dhe institute të tjera të kësaj fushe të së drejtës tradicionalisht dhe në mënyrë të përbotshme shquhen për konservatorizmin e tyre dhe vështirësinë e ndryshimeve ligjore transformuese. Fati i keq e don që projekti i Kodit të ri Penal të mos e kursejë episodicitetin edhe në institute të tilla të së drejtës penale.

Ndërkohë vlerësoj se, megjithëse i padiskutuar dhe i panalizuar atëbotë dhe për 8 vite rresht, ndryshimi ligjor i paragrafit të dytë të nenit 66 të Kodit Penal në fuqi përbën një zhvillim ligjor që nuk ka se pse të suprimohet dhe të braktiset. Ai përfaqëson një standard ligjor më të lartë të mbrojtjes së të drejtës themelore të jetës së individit, duke krijuar sakaq më shumë diligjencë dhe përgjegjësi të organeve shtetërore për hetimin dhe gjykimin e tyre, me qëllim luftimin pa asnjë tolerim ligjor të krimeve më të egra dhe më të urryera që ekzistojnë. Për rrjedhojë vlerësoj se neni 185 i projektit të Kodit të ri Penal duhet ta trashëgojë këtë rregull paraardhës. Nga ana tjetër kam bindjen se shoqëria shqiptare dhe shteti duhet ta vlerësojë seriozisht çështjen e mbrojtjes kushtetuese të së drejtës themelore të jetës së individit, duke përfshirë aspektet susbstanciale dhe procedurale të saj.

Pse jo, ndoshta i nevojshëm është rishikimi i nenit 21 të Kushtetutës, për të krijuar sa më shumë rezerva me natyrë kushtetuese për këtë kryetëdrejtë dhe për të krijuar në këtë drejtim sa më shumë standarde kushtetuese për mbrojtjen e saj. Në kushtet se si është mbrojtur dhe vazhdon të mbrohet jeta e individit në ligjin penal material, ndoshta rishikimi i Kushtetutës mund të jetë garancia më e madhe që, jo vetëm ky grup pune, por asnjë i tillë në të ardhmen të mos guxojë të kryejë ndërhyrje episodike në ligj.

* Autori, gjyqtar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura