Para Ruzhdies, ishte Lura e Kastrati, por jo vetëm ato!

Apr 21, 2011 | 10:26

KOLI BELE

Një nga dramaturgët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, anglezi me origjinë çeke, sir Tom Stoppard, në vitin 1972, në dramën filozofike “Kërcyesit” (Jumpers), shkroi shprehjen ndoshta më të famshme për zgjedhjet: “Demokracia nuk është votimi, por numërimi”!
Kjo thënie e para 40 viteve tingëllon aq aktuale në realitetin politik shqiptar, ku mbas 20 vitesh votime pluraliste, për fat të keq nuk arrihet ende të respektohet parimi i numërimit demokratik të votave.
Në prag të zgjedhjeve lokale, kur po flitet më shumë për dhunë politike, sesa alternativa dhe rregulla loje, ndoshta është e udhës të ndalemi te rrënjët e së keqes që ka “mbërthyer” proceset zgjedhore në Shqipëri.
Në retrospektivë historike, në zgjedhjet e përgjithshme të fundit, dy fshatra të zakonshme janë bërë simbol i keqpërdorimit dhe i manipulimit të rezultatit zgjedhor. Dushku dhe Ruzhdia! I pari simbolizonte manipulimin e sistemit nëpërmjet së ashtuquajturës matematikë elektorale në shkallë vendi, ndërsa në rastin e dytë kemi të bëjmë me një falsifikim të pastër të fletëve dhe materialeve të votimit për të ndryshuar rezultatin në një fshat të vogël e pa rëndësi si Ruzhdia.
Ajo që bëri të njohur Ruzhdien ishte zbardhja dhe faktimi i një fenomeni që dihet e që është i përhapur në shkallë vendi. Në ndryshim nga zgjedhjet e përgjithshme, ato lokale të shkuara nuk kanë qenë lidhur me emra fshatrash që simbolizojnë mashtrimin dhe falsifikimin elektoral. Por sigurisht që të tilla ka pasur! Gjetja e provave direkte duket e pamundur gati 4 vite më pas, por nga një kontroll rutinë i rezultateve të shpallura në faqen e KQZ-së në internet www.cec.org.al, në vitin 2007, të rezultateve për kryetar komunash, lehtësisht konstatohen shifra që është pak të quhen të habitshme.
Në komunën Lurë, qarku Dibër, me 426 votues, dhe në komunën Kastrat, qarku Shkodër, me 4270 votues, kandidatët e koalicionit PS, LSI, PSD, PDS, AD kanë marrë “0” vota, duke mos marrë as edhe votat e tyre personale. Po aq i çuditshëm është rezultati në komunën Bushat, Shkodër, me 5343 votues, ku koalicioni i PS, LSI etj., kanë marrë 0.56%, koalicioni PD, PDK 1.25%, ndërsa kandidati i pavarur ka marrë 98.18% të votave.
Këto rezultate nuk kanë nevojë për komente dhe përtej çdo analize shkaqesh, konkluzioni i parë që vjen në mendje është mashtrimi elektoral. Ky konkluzion përforcohet në qoftë se do krahasohen rezultatet për këto 3 komuna me zgjedhjet e vitit 2003, ku p.sh., në Lurë, i njëjti kandidat dhe subjekt politik (PS), ka marrë 50.1% të votave për të rënë në 0% në vitin 2007.
Format e realizimit të këtyre manipulimeve mund të jenë nga më të ndryshmet, që nga falsifikimi i dhunshëm i rezultatit, deri te marrëveshja midis kandidatëve për të trukuar garën dhe rezultatin final. Ajo që është e papranueshme, janë shifrat që të kujtojnë ato të periudhës së komunizmit, si dhe shkelja e parimeve kushtetuese për zgjedhje të drejta dhe të ndershme.
Këto shembuj shifrash të çuditshme gjenden në shumicën e rasteve në komunat veriore të Shqipërisë, po të tillë mund të gjenden, edhe pse në përmasa më të vogla, dhe në ndonjë komunë në Jug, si p.sh. në Frashër, me 367 votues, ku koalicioni PD, PR ka marrë 2.45% të votave.
Sigurisht që anormaliteti i këtyre rezultateve nuk mund të jetë faj vetëm i disa komisionerëve lokalë, të cilët në analizë të fundit u përgjigjen pritshmërive të drejtuesve të tyre në zyrat rajonale dhe qendrore të partisë. Ajo që i ka motivuar këta komisionerë për të nënshkruar proces-verbalet e këtyre rezultateve haptazi të palogjikshme, është kërkesa për rezultate të thella, e cila mundësohet edhe për shkak të mundësisë praktike për shkak të zonave periferike e larg syve të vëzhguesve të huaj.
Këto rezultate të habitshme komunash në vitin 2007 apo edhe me parë, nuk kanë bërë përshtypje mediatike ndoshta për shkakun se projektorët e zgjedhjeve lokale janë drejtuar nga rezultatet e qyteteve të mëdha të vendit. Sigurisht që subjektet politike që kanë përfituar nga rezultatet nuk mund të mos i kenë konstatuar dhe shpërblyer organizatorët. E vështirë të gjenden statistika për shpërblimin politik apo financiar të komisionerëve në rang fshati, por shembull kuptimplotë janë karrierat e spikatura politike që drejtuesit e lartë të zgjedhjeve famëkeqe të vitit 1996 kanë bërë në vitet në vijim.
Me gjasa, edhe këtë radhë do jetë e njëjta tendencë, e cila mund të kalojë në heshtje derisa Prokuroria, apo ndoshta edhe KQZ-ja, të hapin dhe hetojnë ndonjë kuti votimi, e cila, përveçse do t’i japë famë e do të bëjë të njohur ndonjë fshat të vogël si Ruzhdia, ndoshta do të na bëjë të kuptojmë se pse në një komunë me disa mijëra votues nuk është asnjë i majtë, apo se si 98% votojnë kandidatin e pavarur, dhe jo ata të dy forcave kryesor politike!
E pra, këto raste vlen të analizohen, qoftë edhe për arsyen se bashkitë e mëdha, si Tirana, Durrësi, Elbasani etj., duke pasur me qindra qendra votimi, janë të pamundura për t’u hetuar në detaje. Ashtu si në shkencat e natyrës, si p.sh. biologjia, ku studimi i fenomeneve fillon nga mikroorganizmat, ndoshta është e udhës që në këto zgjedhje lokale që kemi para, – sigurisht që nuk do t’i kapin dot standardet, – të vendosen kamera të hapura apo të fshehta në qendrat e votimit dhe të numërimit për të kuptuar se si funksionon ky mekanizëm i shëmtuar i mashtrimit dhe falsifikimit elektoral, i cili pa dyshim është ndarja më e madhe që ne shqiptarët kemi me Europën. Zbardhja dhe denoncimi i këtij mekanizmi është i nevojshëm jo thjesht të dërguar në gjyqe që nuk përfundojnë kurrë disa komisionerë të vegjël, por si hap i parë i ndryshimit të kulturës politike zgjedhore.
Sigurisht që çështja e manipulimit zgjedhor nuk mund të zgjidhet vetëm duke krijuar mekanizma kontrolli ku palët ruajnë njëra-tjetrën, pasi gjithmonë do të ketë skuta ku manipulimi mund të fshihet, gjithmonë mund të gjenden individë që do të jenë të gatshëm të shiten për shumë apo pak lekë etj.
Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga dita e zgjedhjeve vendore, shumica që drejton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duket pak ose aspak e interesuar për të adresuar problemet reale që lidhen me manipulimet dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore, duke shpenzuar energjitë kryesore në ngritjen e barrierave qesharake ndaj opozitës, siç ishte rasti i vendimmarrjes për të mos pasqyruar në fletën e votimit germat nistore të subjekteve politike. Ndërsa Kolegji Zgjedhor rivendosi ligjshmërinë në rastin e modelit të fletës së votimit, është e vështirë që ankimet në KQZ dhe gjykatë të zgjidhin parregullsitë e panumërta që mund të bëhen në çdo qendër votimi në komunat e bashkitë më periferike, por edhe në ato pranë Tiranës.
Krijimi i këtyre probleme, ashtu si dhe zgjidhja e tyre, nuk mund të vijnë vetëm nëpërmjet garancive teknike të procesit zgjedhor, por para së gjithash kërkojnë vendimmarrje politike. I takon klasës politike të vendit, sidomos asaj pjese të saj që i ka gjeneruar prej 20 vitesh këto problematika, të gjejë kurajën të ndahet njëherë e mirë nga  sponsorizimi i manipulimit zgjedhor si kusht për të pasur një demokraci të vërtetë, e cila nuk do të ketë nevojë të certifikohet nga vëzhgues dhe ambasadorë të huaj!
*Ish-prokuror

© Panorama.al

Te lidhura